ARTË

ARTË mb.
1. Që është bërë prej ari ose që është larë me ar; që është punuar ose qëndisur me fije ari. Unazë e artë. Monedhë e artë. Medalje e artë. Orë e artë. Zinxhir i artë. Jelek i artë. 2. Që ka ngjyrën e arit, i verdhë e i shkëlqyeshëm. Flokë të artë. Grurë i artë. Rreze të arta. 
3. fig. Që ka vlera të mëdha, që ka veti a aftësi të çmueshme. Zemër e artë. Ka duar të arta. Fjalë të arta shprehje, porosi a këshillë që përmban një të vërtetë me vlerë. 
* Çelës i artë libr. mjet për të zgjidhur çdo gjë, shkop magjik. E mesmja e artë (mesi i artë) keq. qëndrim i mesëm, as andej as këtej; qëndrim ose veprim që nuk të çon në ndeshje me dy palët e kundërta dhe që lejon të përfitosh nga të dyja anët. Mosha e artë libr. koha më e bukur në jetën e njeriut, vitet e rinisë. Shekulli i artë (koha e artë) koha e lulëzimit më të madh të shkencave e të arteve në historinë e një vendi. Libër i artë libër nderi, në të cilin shënohen emrat e njerëzve më të shquar. Shkruaj me shkronja të arta përjetësoj diçka të shënuar a të lavdishme. Prerja e artë mat., art. ndarja e një segmenti në dy pjesë, në mënyrë që njëra pjesë të jetë e mesmja e përpjesëtueshme ndërmjet gjithë segmentit dhe pjesës tjetër. Rregulla e artë e mekanikës fiz. parimi i ruajtjes së punës, sipas të cilit në çdo makinë, kur mungojnë forcat e fërkimit, puna lëvizëse është e barabartë me punën e qëndresës.
Artikulli paraprakARTI
Artikulli vijuesARTEZIAN