Bahri Hyseni zgjidhet kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Me 10 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Bahri Hyseni, është zgjedhur kryesues i ri i Këshillit Prokurorial i Kosovës, pas përfundimit të mandatit trevjeçar nga Blerim Isufaj.

Bahri Hyseni, tha se ka konkurruar për kryesues të Këshillit Prokuorial, sepse sipas tij, ai ka përgatitjet e duhura për këtë pozitë.

“Nga viti 2012 kam punuar në Ferizaj, jam munduar që të jap kontribut, në të gjitha lëndët që kanë ardhur në zyrën time. Me gjitha angazhimet që kam pasur, kam arritur t’i zgjesh 1150 akte akuzuese. Tani e kemi pak më lehtë sepse kemi një këshill të konsoliduar, funksional, megjithatë vetës ia kam vënë disa parime”, tha Hyseni.

Ai tha se do të punojë në mënyrë që të shtoi llogaridhënien.

“Rëndësi të veçantë do t’i kushtohet avancimit të buxhet, në mënyrë që të krijojmë mundësi që çdo prokuror të punoj në kushte normale. Do të përpiqem që të avancojë një rrugë të mirë të bashkëpunimit me zyrën e kryeprokurorit të shtetit. Që të ketë besim edhe më tej ndaj KPK-së”, ka thënë ai.

Në këtë takim po ashtu është miratuar plani i punës së komisionit për vlerësimin e performancës së prokurorëve.

Valon Jupa, drejtor për vlerësimin e performances së prokurorëve, tha se kanë identifikuar 89 prokurorë që duhet t’i nënshtrohen vlerësimit gjatë vitit 2019.

Mes tjerash Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vazhduar mandatin e Lavdim Krasniqit edhe për tri vjet si drejtor i sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Artikulli paraprakSindikata e arsimit: Nuk pranojmë të kemi paga më të ulëta se shoferët e ministrave
Artikulli vijuesVuk Drashkoviq: Nëse nuk arrihet marrëveshja me Kosovën, do të shkatërrohemi