Demokristianët i bashkojnë forcat

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës dhe Partia Demokristiane për Integrim janë bashkuar sot në një subjekt të vetëm politik.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, Ukë Berisha i cili tha se ky vendim është marr nga Kuvendi zgjedhor i të dy subjekteve politike, transmeton kp.

Ai shtoi se demokristianët ishin cak i sulmeve nga subjektet tjera politike.

“Sot Demokristianët e Kosovës janë rikthyer aty ku ishin më parë, duke tejkaluar të gjitha ato probleme dhe vështirësi që kishin më herët. Demokristianët ishin cak i sulmeve nga subjektet e tjera politike, por prapë mbijetuam dhe sot kur të gjithë menduan se Demokristianët u shuan, ata po dalin më të fuqishëm se asnjëherë më parë. Kjo ditë, do të shërbejë si dritë frymëzimi për të dinamizuar rrugën tonë drejt Brukselit dhe jo të rikthej nostalgjitë për perandoritë e humbura, që na kujtojnë vetëm t ë këqija”, tha Berisha.

Kryetari Berisha tha se Kosovës i duhet më shumë se ç’iu duhet një komuniteti me proveniencë të krishterë. Ai shtoi se i duhet për të tejkaluar edhe një sfidë historike, atë të kapërcimit të pragut të vështirë drejt integrimeve euro-perëndimore.

Berisha gjithashtu tha se Kosova është para sfidave të shumëfishta me një imazh të rrënuar ndërkombëtar.

“Kosova ndodhet para sfidave të shumëfishta, me një imazh të rrënuar ndërkombëtar. Demokristianet janë të shqetësuar për zhvillimet politike në Kosovë, që kanë marrë trajtën e veprimit konfliktual të cilat po sjellin dëme të mëdha për zhvillimet e brendshme e të jashtme të Kosovës. Problemi i Asociacionit të Komunave Serbe, problemi i vijës së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, kanë acaruar përtej mase gjendjen në Kosovë. Ne kërkojmë zgjidhjen e çështjes politike në interes të Kosovës, duke përjashtuar çfarëdo dhune. E vetmja zgjidhje e daljes nga kjo situatë, është dialogu i brendshëm politik mes pozitës dhe opozitës. Kompromiset janë të domosdoshme për interesat e Kosovës dhe të popullit të saj “, tha ai.

Në fund kryetari i PSHDK, Ukë Berisha tha se në Kosovë ekziston një diskriminim institucional i katolikëve i cili synon të shndërrohet në proces objektiv, që po vërehet edhe nga miqtë ndërkombëtar. Berisha kujton se ky diskriminim institucional shkon në favor të aleancës sllavo-islamike dhe vazalëve të tyre shqipfolëse. Sipas tij, kjo nuk duhet t’i ndodhte Kosovës e këtë nuk duhet ta lejonin as deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Artikulli paraprakShkodran Mustafi bënë niqah me hoxhë
Artikulli vijuesShën Valentini si spektakël i absurdit