Dëmtohen varrezat e shqiptarëve në Bujanoc

Mëngjesi i sotëm i ka gjetur të dëmtuara varrezat e shqiptarëve në fshatin Osllarë të komunës së Bujanocit.

Rrënimin e përmendoreve të ngritura në shenjë përkujtimi të anëtarëve të familjes Shabani i ka dënuar kryetari i Bashkësisë Lokale (BL) të Osllarës.
“Ky është një akt vandal që ka ndodhur në fshatin Osllarë. Janë rrënuar gurët e varreve të familjes Shabani gjë të cilën e dënojë dhe kërkoj zbulimindhe ndëshkimin sa ma të shpejtë të aktorëve të këtij akti”, i tha Titullit Naser Bajrami, kryetar i BL-së së fshatit Osllarë.
Bajrami theksoi se për këtë ngjarje është njoftuar mëngjesin e sotëm me ç’rast ka mbajtur një takim urgjent me anëtarët e BL dhe njëzëri kanë dënuar rrënimin e përmendoreve në varreza.
“Në fshatin Osllarë si një fshat multietnik të mos ndodhin akte të tilla që dëmtojnë bashkëjetesën mes qytetarëve shqiptar dhe serb dhe të dënohen edhe nga organet shtetërore”, theksoi mëtej Bajrami.
Dëmtimin e varrezave e ka dënuar edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi duke kërkuar zbulimin sa më shpejt të aktorëve, raporton titulli.
“Është një akt qyqar, akt i turpshëm. E dënoj dhe kërkojë nga organet kompetente që sa më shpejt të zbulohen aktorët e këtij akti vandal, i cili dënohet nga e tërë popullata shqiptare”, tha gjatë prononcimit për Titullin, kryetari Nagip Arifi, duke i apeluar qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë.
Familja Shabani, dëmtimin e pesë varrezave të të dashurve të tyre e kanë paraqitur edhe në stacionin policor në Bujanoc, ku pritet që organet përkatëse të bëjnë hetimin e rastit.
Fshati Osllarë në komunën e Bujanocit është i banuar me rreth 70 për qind shqiptarë dhe 30 për qind serbë./Ind/kohaislame

Artikulli paraprakArrestohet futbollisti shqiptar, shiste drogë në Itali
Artikulli vijuesBrukseli kërkon ndalimin e "Agimit të Artë"