“Fondacioni i Soros, pjesë e grushtit të shtetit më 21 Janar

Kryetari i AK, Kreshnik Spahiu tha sonte se fondacioni Soros ka qenë pjesë e grushtit të shtetit më 21 janar të vitit 2011, ku disa mijëra socialistë protestuan në mënyrë të dhunshme para Kryeministrisë, ngjarje që u shënua me 4 të vrarë.

Spahiu ishte i ftuar sonte të fliste në emisionin me temë “Soros dhe Shqipëria”, në emisionin ‘Të Pa Ekspozuarit’ në ‘News24’. Të ftuar në formatin e gazetarit Ylli Rakipi, ishin edhe analistët Fatos Lubonja, Henri Cili, Andi Bushati.

Spahiu tha ndër të tjera se ky fondacion shkatërroi në emër të shoqërisë së hapur shoqërinë civile në Shqipëri. Vetë Spahiur ka drejtuar për gati dhjetë vite një ndër organizatat më të mëdha në vend.

Pyetjes së Rakipit se ku mbaron biznesi dhe ku fillon politika për Soros-in, Henri Cili tha se Soros është në rolin e tij prej filantropi për të dhënë idetë e tij. “Unë e shoh si fenomen pozitiv. Kur kam qenë në bordin e fondacionit ka qenë një eksperiencë e këndshme, dhe nuk më ka penguar apo ndikuar njeri për të votuar. Soros është në qendër të sulmeve të qeverisjeve autokratike dhe i sulmuar nga të gjitha diktaturat”- tha Cili, cituar nga balkanweb.

Ndërkohë pyetjes nëse ka një ndarje mes biznesit dhe politikës, Lubonja u shpreh se ndarja ka të bëjë me atë qe konsiderohet si pushtet-shtet. “Një problem që shoh unë tek Soros është se si ka mundësi që ai është sponsori më i madh i pushtetit. Mendoj se idealet e bukura mbulojnë qëllimet e mbrapshta”- tha Lubonja. Ndërkohë për ndikimin dhe ardhjen e multimilarderit në Shqipëri Lubonja tha se “ka një dezinformim nga shtypi pasi duket sikur Soros ka qenë me Edi Ramën. Nën urdhrin e Soros u hoq Fran Nazi dhe erdhi Avni Mustafaj, përsëri shqiptaro-amerikan i cili ishte pro Berishës dhe pas kësaj fondacioni “Soros” mban një profil shumë të ulët sa i përket asaj që të ishte më afër shoqërisë civile. Berisha në atë kohë ishte kundër vetes dhe i bëri të gjithë armiq”, – tha Lubonja.

Kreshnik Spahiu u shpreh se historia e Sorosit nuk lidhet vetëm me Shqipërinë, pasi është një oligark i tipit masonik. “Influencën e vet Soros e nisi në vitin 1992, dhe të gjitha lidhjet i bëri me elementë të majtë dhe të sigurimit të shtetit. Janë 10 politikanë sot që kanë lidhje me Soros dhe i pari është kryeministri Rama. Këta kanë marrë financime nga Soros. Fondacioni ka ndërhyrë në politikën e brendshme të shumë shteteve. Ai erdhi më një shoqëri të hapur për të mbështetur organizatat joqeveritare dhe i prishi në themel të gjitha organizatat joqeveritare. Fondacioni i Soros ka qenë pjesë e grushtit të shtetit në 21 janar”- tha Spahiu, cituar nga balkanweb.

Artikulli paraprakRama përkujton Hoxhë Kadri Prishtinën, e quan patriot e vizionar mbarëkombëtar
Artikulli vijuesRusia paralajmëron forcat e Asadit për armëpushimin