Frika nga komunizmi: si u shkatërrua harta e Folklorit Amerikan në vitet ’50

Gjatë luftës së dytë Botërore, piktori, ilustruesi dhe karikaturisti William Gropper punonte për departamentin amerikan të Thesarit dhe zyrën e Informacionit të luftës në Shtëpinë e Bardhë.

Ai mori një vlerësim për punë të shkëlqyer nga departamenti i Thesarit dhe falënderimet personale të Franklin Delano Roosevelt, për shkak se u dha “formë vizuale objektivave specifike në informacionet e luftës”, përmes posterave propagandistikë dhe pikturave.

Dukej logjike që pas luftës, departamenti i Shtetit, gjithashtu, të gjente vlera në portretizimin e famshëm të kulturës amerikane – një llogjikë që do ta përfshinte Gropper shumë shpejt brenda labirinthit surrealist të Mekkartizmit.

Midis viteve 1946 dhe 1953, biblioteka e Departamentit të Shtetit për programin jashtë territorit amerikan mblodhi dhe shpërndau rreth 1744 kopje të Amerikës së William Gropper: folklorin e saj, një përshkrim shumëngjyrësh i 61 legjendave, rrëfenjave dhe heronjve letrarë si p.sh kauboji i madh Pecos Bill në Nju Meksiko, apo fenomeni që drejtonte hekurat John Henry në Alabama, e personazhe të tjerë.

Blerjet e shpërndarja ishin pjesë e përpjekjeve të pasluftës për të mbjellë “faktet dhe shpjegime me bazë solide dokumentare për Shtetet e Bashkuara”. Bazuar në një pikturë që Gropper e kishte përfunduar në vitin 1945, një hartë e madhe piktoreske u publikua nga Shoqata e Artistëve Amerikanë, në “New York Times”, “Life” dhe botime të tjera popullore. Një broshurë me 16 faqe që shoqëronte hartën u tregonte shikuesve më shumë për Paul Bunyan, Johnny Appleseed, dhe personazhe të tjerë folklorikë.

Ndërsa departamenti i Shtetit shfrytëzonte potencialin propagandistik të hartës jashtë vendit –karakterizimin hokatar të Amerikës si një tokë argëtuese, mikpritëse dhe më e rëndësishmja e lirë – librarët dhe mësuesit përfituan për ta përdorur për përdorim arsimor brenda vendit. Përgjatë gjithë fundit të viteve ’40 dhe fillimit të viteve ’50, gazetat nga njëri breg në tjetrin shkruan artikuj për studentët që mësonin letërsinë me ndihmën e Amerikës: folklorin e saj. Bibliotekat e bashkive madje, jepnin me qira kopje në kornizë, për t’ua bërë më të lehtë studentëve të mburreshin në shtëpi për njohuritë e tyre të sapomësuara.

Por fenomeni hartografik humbi të gjitha favoret në verën e vitit 1953, kur avokati Roy Cohn zhvilloi një tur vizitash në të gjithë libraritë e Departamentit të Shtetit nëpër botë si pjesë e kryqëzatës së tij dhe senatorit Joseph McCarthy kundër komunizmit. Cohn e identifikoi William Gropper si një nga “mbështetësit e thekur dhe simpatizantët e komunizmit” puna e të cilëve supozohej se kishte hyrë në programin e bibliotekave jashtë vendit. Gropper u thirr me urgjencë për të dalë përpara komitetit të përhershëm të senatit për hetimet – dhe fitoi reputacionin e dyshimtë se ishte një mes të parëve në listën e zezë të Amerikës së kohës së McCarthy-it.

Gropper mbërriti në Capitol Hill me pamje “po aq të çrregullt sa edhe divani përballë televizorit”, siç vuri në dukje një komentator. Rrethuar nga dritat, kamerat, policia dhe shtypi, marrja e tij në pyetje nisi thjesht me pyetjen e këshilltarit Cohn: A jeni ju anëtar i partisë Komuniste?. Përsa u interesonte Cohn dhe McCarthy ata e dinin vetë përgjigjen. Por, pasi artisti thirri në ndihmë Amendamentin e Pestë, duke refuzuar t’i përgjigjej pyetjes për të mos dhënë dëshmi kundër vetvetes, Cohn nxiti edhe më tej:

Cohn: A jeni ju William Gropper ai që ka përgatitur harta të ndryshme?

Gropper: Nuk e kuptoj pyetje. Kam përgatitur harta të ndryshme?

Cohn: A keni përgatitur ju një hartë të quajtur “Amerika: folklori i saj?

Gropper: A e keni marrë hartën këtu?

Cohn: Jo, nuk e kam hartën këtu. A e keni përgatitur ju hartën e quajtur “Amerika, folklori i saj”?

Gropper: Kam pikturuar një hartë për folklorin amerikan, po.

Gropper shpjegoi se kishte marrë një paradhënie nga Shoqata e Artistëve Amerikanë, por se nuk kishte marrë honorare. Cohn dëshiroi të dinte nëse ndonjë pjesë e paradhënies kishte mbështetur kauzat komuniste. Sërish, Gropper përdori Amendamendin e Pestë. Kur senatori Stuart Symington ng Missouri e pyeti piktorin nëse një individ “mund të ishte anëtar i partisë Komuniste e në të njëjtën kohë edhe një amerikan i mirë dhe besnik”, Gropper ngurroi: “Do pëlqeja më shumë të flisja për fushën time, ku jam i pajisur me njohuri. Unë nuk i kuptoj këto gjëra”. Pak momente më pas, Gropper u përpoq të distanconte veten akoma edhe shumë nga harta e tij, duke shpjeguar, “unë as nuk bëj harta, unë jam piktor”.

Nuk kishte rëndësi se Gropper në fakt, u përpoq të bënte harta, nuk kishte rëndësi se ai nuk ishte, në fakt, një komunist. Dëmi ishte bërë. Ditën tjetër, artisti me bindje të majta nga Bruklini e gjeti emrin e vet në faqen kryesore të gazetave kombëtare dhe lokale. Mesazhi ishte përcjellë nga dalldisja e McCarthy-t në Senat dhe ishte i qartë: William Gropper ishte i Kuq. Harta e tij ishte anti-amerikane.

Në fakt, nuk ka asgjë ofenduese apo subversive që të bie në sy menjëherë tek “Amerika: folklori i saj”. E vërtetë, puristët e folklorit mund të argumentojnë se në përfshihen edhe përralla dhe legjenda që kanë dalë nga puna e printuar dhe jo nga rrëfenjat e përcjella gojarisht. Por, ajo që ka më shumë rëndësi, është se brenda natës – falë asaj që më pas do të përshkruhej si “Inkuizicioni Amerikan”, puna e tij u shndërrua në hartën e ilustruar më famëkeqe në histori.

Artikulli paraprakVotime në Kosovë për zgjedhjet presidenciale serbe, OSBE-ja i cilëson të qeta
Artikulli vijuesJa çfarë ndodhë me planetin nëse ne nuk konsumojmë më mish (video)