Gripi, pse shfaqet vetëm gjatë dimrit?

A jeni pyetur ndonjëherë se pse gripi është sezonal? Sipas një studimi të realizuar kohë më parë, përhapja e gjerë e virusit ka të bëjë me nivelet e lagështisë.
Në regjionet me klimë të mesme, si në Amerikën Veriore dhe Evropë, gripi arrin kulmin gjatë sezonit të dimrit, kur lagështia është e ulët. Por, kërkuesit amerikanë kanë vërejtur se në disa regjione tropikale virusi influenca shpërthen gjatë sezoneve me reshje.
Pasi kanë matur shkallën e mbijetesës së virusit influenca A në nivele të ndryshme të lagështisë, kërkuesit kanë arritur në përfundim se gripi është më i shpeshtë gjatë muajve të dimrit pasi mbijetesa e virusit në mukus rritet kur lagështia relative është 50 për qind. Megjithatë, studiuesit kanë gjetur se virusi po ashtu lulëzon kur lagështia është afro 100 për qind.
Shkencëtarët kishin hedhur viruset në lëngje të ngjashme me gjendjen e traktit respirator si dhe në mukusin njerëzor, dhe pastaj kanë matur përqindjen e mbijetesës së viruseve pas ekspozimit në nivele të ulëta, mesatare dhe të larta të lagështisë.
Kur lagështia është e ulët jashtë, si gjatë dimrit, pikëzat respiratore ishin avulluar plotësisht. Nën këto kushte të thata, virusi ishte më i aftë të mbijetojë.
Kur lagështia rritej në nivele mesatare, pikat nuk avulloheshin krejtësisht, andaj virusi mbetet i ekspozuar ndaj niveleve të larta të lëndëve kimike, dhe është më pak i aftë t’i infektojë qelizat.
Kërkuesit kanë arritur në përfundim se lagështia prek përqendrimet e kripërave dhe proteinave në lëngjet respiratore, që ndikon në mbijetesën e virusit të gripit. Kjo është arsyeja se pse gripi është sezonal.
Në zonat e Amerikës Veriore dhe Evropës, gripi fillon që nga tetori dhe vazhdon deri në majin e vonshëm.

Artikulli paraprak11 shoqëritë sekrete më të famshme të historisë
Artikulli vijues12 zakonet më të këqija për shëndetin tuaj mendor