Hafiz Ali Korça

Hafiz Ali Korça

lindi me 5 prill 1873 në Korçë. Rrjedh prej një familje fetare, intelektuale. Është djali i Iljaz efendiut, një figurë e shquar në qytetin e Korçës.

Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, ku krahas mësimeve u bë hafiz, pra, e mësoi Kur’anin përmendësh, në moshën 12 vjeçare. Po në vendlindje mbaroi edhe shkollën Ibadije (të mesmen), kurse studimet në Stamboll.

Në Stamboll studioj me përkushtim, aty zgjeroi, thelloi dituri të ndryshme, në veçanti aty mësoi gjuhën arabe, perse, frënge, kuptohet edhe gjuhën turke, të cilën veç e dinte…

Përveç mësimeve, studimeve, Hafiz Ali Korça ishte përkushtuar me dashuri të madhe në shërbim të Atdheut, ideali të pastër kombëtar dhe popullit shqiptar…

Pas diplomimit në Stambol, Hafiz Ali Korça u kthye në Shqipëri, ku e vazhdoi veprimtarinë e tij…

Një nga frytet e kësaj veprimtarie atdhetare ishte organizimi dhe mbajtja e Kongresit Shqiptar të Dibrës, me 23 korrik 1909, ku merrnin pjesë, ndër të tjerë, këta atdhetarë të shquar shqiptarë: Dervish Hima, Fehim Bej Zavalani, Aqif Pashë Elbasani, Abdyl Bej Ypi, Ferid Bej Ypi, Sotir Peci, Myderrizi nga Tetova, Mehmed Efendiu…

Në Kongresin e Dibrës fjalën kryesore e kishte Hafiz Ali Korça… Fjala e tij në këtë kuvend ka shumë rëndësi, ka jo vetëm rëndësi historike, arsimore, kulturore, por edhe rëndësi politike në gjithë Shqipërinë Etnike…

Në gjithë Shqipërinë Entike, tashmë Hafiz Ali Korça ishte ndër përkrahësit kryesor të alfabetit të gjuhës shqipe…

Kongresi i Manastirit, që filloi punimet me 14 nëntor 1908, hyri në histori, në këtë histori shënohet edhe emri i tij…

Hafiz Ali Korça ishte ndër ata atdhetarë që përkrahu edhe Kongresin e Elbasanit, 2 shtator 1909, që vuri themelet e Arsimit Kombëtar…

Në vitin 1916, Hafiz Aliu u emërue Drejtor i Arsimit për Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Dibrën, Matin dhe Pogradecin, pra, për gjithë Shqipërinë e Mesme…Ka qenë edhe Kryemyfti në Këshillin e Naltë të Sheriatit në Shkodër…

Po, në Shkodër u emërue anëtar i Komisis Letrare, ku vepronin At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Salih Nivica, Mati Logoreci, vepruan bashkërisht, me përkushtim, në fushën e gjuhësisë, për t’mirën e Shqipnisë…

Në vitet 1918-1924, Hafiz Ali Korça ishte Kryetar i Këshillit të Naltë të Sheriatit…

Në vitin 1925, Hafiz Aliu botoi veprën: “Bolshevizma çkatrrim i njerëzimit”, për të cilën bolshevikët e Tiranës e burgosën, e internuan në pleqëri…

Hafiz Ali Korça për afër gjysmë shekulli ka kontribuar shumë për Shqipni, në disa lëmi…Shquhet veprimtaria e tij në publicistikë, islamistikë, gjuhësi, letërsi…

Disa prej veprave, ndër të tjera, janë:

1.Treqind e tri fjalët e Imam Aliut, 1900.

2. Historija e shenjt dhe kater halifet, 1900

3. Mevludi shqip, 1900.

4. Jusufi me Zelihanë, 1900

5. Abetare, 1910

6. Alfabeti arabisht, 1914

7. Muslimanija, 1916

8. Gramatika dhe syntaksa, Shqip-Arabisht, 1916

9. Shtat ëndërrat e Shqipërisë, 1924

10.Bolshevizma çkatrrim i njerëzimit, 1925

11. Kur’ani i Madhënueshëm e thelbi tij, 1926

12.Gjylistani (Trëndafilishtja), e Sa’adiut, 1925

13.Rubaijjati (Katroret) e Umer Khajjamit, 1930…

Përveç këtyre veprave të botuara në gjuhën shqipe, Hafiz Ali Korça ka shkrue, ka botue, edhe shumë punime, studime, në gjuhët të tjera, si turqisht, arabisht, persisht, për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare. Këtu vlen të përmenden gazetat “Sabah”, “Aksham”, “Sirati mustekim”, “Bejan ul-Hak”, që botoheshin në Stamboll, në shtypin e Egjiptit, në gazetën “Es-Sijaset” në shtypin e Iranit, në “Hallaxh”…

Edhe pse ishte luftëtar për liri, kur kishte shqiptar, por s’kishte Shqipëri, edhe pse ishte poet, përkthyes, shkrimtar, letrar, atdhetar, mësues, myderriz, profesor, pedagog, islamolog, hartues tekstesh mësimore-shkollore…, “Nëna Parti” në Shqipëri, e arrestoi, e internoi…

Hafiz Ali Korça ndrroi jetë me 31 dhjetor 1956, në Kavajë, në mjerim, por veprat e tij ende jetojnë, frymëzojnë…

Shkruan: Mexhid YVEJSI – Gjakovë

(Autori është studiues i religjioneve)

Artikulli paraprakRevolucioni Iranian në këndvështrimin e Shqipërisë komuniste
Artikulli vijuesHistoria prekëse, kjo foto ia ndryshoi jetën Abdulit