HAFIZ MUSA DËRGUTI ( 1888 -1961 )

HAFIZ MUSA DËRGUTI
( 1888 -1961 )

Të vjetrit e kanë njohur mirë Hafiz Musa Dërgutin, atë hoxhë të nderuar prei të gjithëve, i shquar për devotshmërinë e tij të thellë, atë hoxhë që gjithnjë ishte pranë nevojtarit, pranë halleve dhe shqetësimeve të njerëzve. Kudo që kishte një hall, kudo në familjet e Shkodrës e të katundeve për rreth që kishte një mosmarrëveshje, do të gjendej Hafiz Musaja me fjalën e tij, me dashamirësinë e me autoritetin e tij për të qetësuar zemrat e plagosura, për të shuar gjakrat e ndezur, për të pajtuar e afruar vëllain me vëllanë, burrin me gruan, familjen me familje, fisin me fis.

E të gjitha këto i bënte për hir të Zotit, duke sakrifikuar kohën e çmuar, pa marrë parasysh lodhjen e mundimet e jo rrallë, duke përballuar shpenzime shpeshherë edhe të rënda. Përkushtimi dhe devotshmëria e tij, e shoqëruar me vullnetin e përpjekjet e shumta e të parreshtura bënë që dituria e aftësitë në drejtimin e veprimtarive fetare në lagjen ku shërbente, në xhaminë e Shaban efendisë, të lidheshin fort, gjithnjë e më tepër me jetën e popullit, me preokupimet e hallet e tij. E këto halle të jetës shoqërore të përditshme, në raste të caktuara merrnin karakter të theksuar atdhetar e politik, prandaj Hafiz Musaja, edhe pse klerik i devotshëm, u bë një udhëheqës shpirtëror në shumë fusha të veprimtarisë shoqërore, kryesisht të jetës familjare, por edhe një luftëtar me armë në dorë kundër pushtuesit, një kundërshtar i paepur kundër asaj ideologjie antikombëtare, kundër polîtikës dhe ideologjisë komuniste, kundër ateizmit, që si murtajë kaloi mbi vendin tonë.

Në kujtimet e veta Z. Tom Lec Marku, një bashkëvuajtës i Hafiz Dërgutit në burgjet e diktaturës komuniste, shkruan: “Ishte fetar e jo fanatik, për të çdo njeri, si katolik, si mysliman ishte kreaturë e Zotit. Fort i ndershëm, guximtar ku s’ka ma, dai (dorëdhanës) për gjithkënd, i jepte kujtdo çka kishte. Atdhetar i shquem, bashkëpunëtor i Opozitës, antikomunist i vendosun. Kështu e kam njoftë Hafiz Musa Dërgutin”.1

Musa Dërguti u lind në Shkodër, më 3.3.1888, në një familje të vjetër shkodrane. Shtëpia e Ethem Dërgutit më parë ishte në lagjen e njohur “Dërgutej “, ku edhe gjendej njëra nga xhamitë më të vjetra te qytetit. Në këtë lagje jetuan shumë familje të shquara që lanë gjurmë të pashlyera në historinë tonë kombëtare: e Dervishëve, e Sokolëve, etj. Ethemi, babai i Musait, me djersë e me punë të ndershme do t’ia shtonte nderin e pasurinë familjes. Ai do të rriste djem të nderuar e punëtorë të shquar, që u dalluan me shenjë ne Pazarin e Shkodrës, ku kishin 7 dyqanet e veta e ku tregtonin kryesisht bylmetna e sende të tjera ushqimore, pa përmendur tokat (ara e livadhe) në Mëhallën e Re (në bregun e liqenit) dhe sidomos në fshatin Trush, ku edhe kullotnin tufat e bagëtive, kryesisht lopë dhe dele. Në këtë mjedis pune të ndershme, në këtë mjedis të edukatës së një tradite të nderuar qytetare e fetare u rrit Musai, i cili më vonë do të bëhej një nga hoxhallarët më të nderuar të qytetit të vet.

Mes katër djemve të Ethem Dërgutit, Abdylit, Zyberit Musait dhe Qamilit, vetëm djali i tretë iu përkushtua studimeve fetare teologjike, duke kapërcyer shkallët e përgatitjes në këtë fushë të nderuar, por, që kërkonte një përkushtim të veçantë. Musai mësimet fillestare i mori ne gjirin e familjes së vet, por edhe në mejtepin e lagjes “Ndocej”, një mejtep që edhe shkolla më e vjetër do të përulej me nderim para tij, sepse këtu mësuan bijtë e nderuar të shumë familjeve të shquara të qytetit tonë. Kujtoni familjen Boksi, nga gjiu i se cilës doli Haxhi Idrizi i famshëm, familjen Myftia, prej së cilës dolën gjithë ata myderrizë e myfti, ndera e qytetit dhe e gjithë Shqipërisë. Kujtoni Sali Ef. e Madh, Abdullah Ef. Myftinë, Sali Ef. Myftinë, familjen Repishti, kujtoni myderrizin e shquar, Hafiz Ibrahimin, familjen Kraja, kujtoni teologun e përmendur Hafiz Aliun; familjen Bomnori, e kush nuk e kujton me respekt Haxhi Sheh Shaban Domnorin; familjen Kruja, kujtoni mistikun e luftëtarin Sheh Ali Kruj a, etj, etj. Këtu fitoi shtysat për të vazhduar studimet e mëtejshme në fushat e ndryshme të diturisë islame. Vazhdoi studimet në Medresenë e Pazarit, ku punuan e studiuan shumë personalitete të kulturës islame, që kishte qenë arenë e gjithë atyre përpjekjeve për luftë kundër pushtuesve turq e mësymjeve grabitqare të Malit të Zi e të Serbisë. Kur gjurmët e plagët e luftërave ende nuk ishin mbyllur në Shkodër, djali i ri filloi mësimet. Duke parë zellin e tij në mësime, nisur edhe nga tradita shkodrane që nxënësit më të mirë t’i dërgonte për studime në Stamboll, që ishte jo vetëm kryeqyteli i Perandorisë turke, por edhe kryeqyteti i kulturës e i diturisë, Musain e dërguan të vazhdonte shkollën, falë edhe mundësive ekonomike. Për përgatitjen e studentëve, për hapjen e medreseve në vend apo për bursat e jashtme, pushtuesi turk asnjëherë nuk ka dhënë subvencione. Kanë qenë vetë qytetarët shkodranë që i kanë hapur mejtepet apo medresetë, ata vetë me shpenzimet e familjes apo me ndihmat e bamirësve i kanë dërguar bijtë për studime.

Megjithë interesimin tonë, familja nuk ka qenë në gjendje të na sigurojë dëftesën e mbarimit të medresesë, gjë që nuk na habit aspak, duke marrë parasysh se nëpër çfarë vuajtjesh kaloi e gjithë familja e Hafiz Musait në burgjet e intemimet e panumurta, në të gjitha viset e Shqipërisë.

Në Stamboll Hafiz Musai u njoh me kulturën e diturinë e gjerë islame, fitoi përgatitjen serioze fetare, u njoh me jetën e një qendre të madhe politike, ekonomike e shkencore. Natyrisht, asgjë e bukur dhe madhështore që përjetoi në Stamboll nuk e habiti studentin shqiptar. Ai, si shumë të tjerë para tij, mendjen e kishte te Shkodra e largët. Atje e priste familja, atje e priste detyra e përhapjes së fjalës së mirë, paqës e mirësisë mes njerëzve. As që i shkonte mendja të harrohej mbas një jete të zhurmshme të kryeqytetit, pëfkundrazi e tërhiqte qetësia e qytetit të vet me të gjitha të mirat që sjell ideja në shërbim të popullit, të idealeve të larta njerëzore, që mishëroheshin në ajetet e Kur’anit të madhërueshëm dhe në Hadithet e Profetit a. s. E hoxha i ri, me plot përkushtim e vendosmëri u kthye në atdhe, u kthye në Shkodër, pranë familjes e miqve.

Detyrën fetare e filloi në xhaminë e Shaban Efendisë. Kjo ka qenë një xhami shumë e vjetër në qytetin tonë,2 e cila u pat shembur e në trojet e saj është ndërtuar më vonë punishta e zhugës, në lagjen “Salo Halili”, e njohur nga banorët e vjetër të Shkodrës, në një pjesë të saj si lagjja, “Shaban Efendisë”. Nuk e dimë nëse lagjja mori emrin e xhamisë apo e kundërta. Është një rast i rrallë që, këtu e filloi dhe këtu e mbaroi detyrën e tij në shërbim të banorëve të asaj lagjeje, që ishte kufi me lagjen ku banonte hoxha i nderuar. Derisa e arrestuan, këtu u fal, këtu u priu banorëve si imam, këtu predikoi çdo ditë të xhuma, këtu banorët e lagjes dëgjuan fjalën e urtë e shpresëdhënëse të Hafiz Musasë. Shumë e dashur u bë kio xhami disi në skajin jugperëndimor të qytetit, sidomos për gratë e të gjitha lagjeve përreth. Në ligjëratat e Hafiz Dërgutit për familjen, për rolin e nënës në edukatë, për marrëdhëniet bashkëshortore, për marrëdhëniet e detyrat e prindërve ndaj fëmijëve e të fëmijëve ndaj prindërve, për marrëdhëniet me fqinjët, me farefisin e me gjithë të tjerët në shoqëri, krijoi e ngjalli shumë interes në gratë e Shkodrës, saqë xhamija ishte e mbushur plot gjithnjë e fjala e Hafiz Dërgutit ngjallte shpresë, mirësi, paqe, harmoni familjare, mirëkuptim e dashuri mes njerëzve.

Hafiz Dërguti nuk ishte i specializuar në sociologji, por duke jetuar mes njerëzve, që i donte aq shumë, në gëzimet e hidhërimet e tyre kërkonte që me burimin e mësimeve të besimit islam, të zbuste sadopak zemrat e njerëzve, t’ua lehtësonte dhëmbjet, që jo rrallë shkakton jeta, t’i drejtonte e t’u ndriçonte rrugën drejt së mirës, së vërtetës, drejtësisë e mirëkuptimit, drejt rrugës që predikon feja islame.

E kjo e bëri atë shumë të dashur për çdo familje shkodrane. Ai ishte i mirëpritur kudo, nderohej e respektohej fjala e tij. Kudo që ai shkonte, hidhej një rreze shprese, burim mirëkuptimi e harmonie njerëzore.

Hafiz Musa Dërguti, duke qenë gjithnjë pranë popullit të vet, jetoi me hallet e tij, ishte për krah tij edhe në çastet më të vështira jo vetëm me fjalën e tij bindëse, por, kur qe nevoja, edhe duke rrokur armët për interesat kombëtare. Ai kështu ndiqte një traditë të hershme të prijësve të shquar fetarë, si: Ahmet Efendi Kalaja, Sheh Shamia, Sali Efendi Hylja, Daut Boriçi, Jusuf Efendi Tabaku, Haxhi Idriz Boksi, Haxhi Hafiz Abaz Golemi etj., të cilët, në raste rreziku për atdheun, krahas fjalës së urtë kishin rrokur armët në luftë kundër pushtuesve turq, serbë e malazesë.

Në gusht të vitit 1920 forcat ushtarake jugosllave pushtuan Këlmendin, Kastratin, Shkrelin e Koplikun. Për të përballuar agresionin jugosllav u rreshtuan në front mbi 3000 luftëtarë shqiptarë, të ardhur nga Shkodra e rrethet e tjera. Mes tyre ishte edhe Hafiz Musa Dërguti, i cili, siç tregojnë, luftoi me trimëri të rrallë. Ai u bë një shembull guximi dhe burrërie, duke përballuar vështirësi e rreziqe të shumta. Bashkëkohësit tregojnë se, kur një shok i luftës u plagos rëndë, Hafiz Musai e nxori nga beteja përmes breshërive të plumbave dhe e mbajti në krah nga kodrat e Mosekut, deri në spitalin e Shkodrës. Ky akt trimërie e sakrifice ruhet ende i freskët në kujtesën e bashkëkohësve.

Vitet 1920 -1924 janë plot tensione politike. Shkodra është një vatër e nxehtë e ngjarjeve të shënuara që kalonte vendi ynë. Hafiz Musai merr pjesë aktive në këto ngjarje dhe përkrah forcat e opozitës. Mbas përmbysjes së regjimit të Fan Nolit, afërsisht mbas 3-4 javësh ai arrestohet dhe mbahet në gjendje arresti për afro 2 muaj.

Me të kanë qenë të burgosur Hafiz Ibrahim Repishti, Dom Pjetër Tusha nga Shiroka etj”3 Me ndërhyrjen e klerit të lartë mysliman lirohet nga burgu.

Kur fillojnë të përhapen në vendin tonë idetë komuniste, Hafiz Musai kupton rrezikun e tyre dhe bëhet një luftëtar i vendosur kundër kësaj ideologjie me aq pasoja për vendin tonë. Që nga viti 1925 nga shumë hoxhallarë të shquar demaskohet ideologjia komuniste. Mund të kujtojmë këtu artikujt e Hafiz Ali Korçës apo librin e njohur të Hafiz Ali Krajës për rrezikun e bolshevizmit në Shqipëri.

Në vitet 1939-1944, kur idetë komuniste u propaganduan në mënyrë më të organizliar, në qytetin e Shkodrës Hafiz Musai është ndër kundërshtarët më të vendosur. Ai në tubime të ndryshme, spontane apo dhe në xhami fliste për rrezikun e madh që do të sillte triumfi i komunizmit në Shqipëri. Ata që e kanë dëgjuar, tregojnë se Hafiz Musai zbërthente dëmet e mëdha që do të pësonte morali dhe personaliteti i njeriut, familja, prona e atdheu, e sidomos theksonte natyrën gjakatare e kriminale të komunistëve, që vrasjen e njeriut e kishin si një gjë tepër të zakontë.

Me një propagande të tillë, Hafiz Musai ishte bërë një figurë mjaft e rrezikshme për grupin komunist të Shkodrës, i cili e dënoi atë me vdekje…”.4 Por nga frika e një konfrontimi popullor, kjo masë dënimi nuk u zbatua. Djemtë e ruanin gjithnjë babain: Fejziu, Hamiti dhe Eqeremi edhe kërcënuan ndonjë nga krerët komunistë të qytetit. Për siguri, Hafiz Musai shoqërohej nga shtëpia në xhami prej dy besimtarëve që i kishte komshinj, vëllezërit Ymer e Hamza Troshani.

Ky qëndrim antikomunist i Hafiz Dërgutit është i njohur prej të gjithëve. Aq më tepër e provon veprimtaria e tij më vonë, burgosja, dënimi e përndjekja e gjithë familjes. Prandaj edhe na duket disi i çuditshëm mendimi i shprehur nga At Zef Pëllumbi për Hafiz Efendiun. Ja çfarë shkruhet në librin e kujtimeve “Rrno vetëm për me tregue”:

– Ashtu asht ! Tamam e ke më thotë ai (Hafiz Musa Dërguti, shënimi im) – Tanë qëllimi asht për me u zhdukë, sepse ju e keni pregatitë popullin qysh me kohë për këtë ditë tue e tregue se çka asht komunizmi: dushman i Allahut, pa Din e pa Iman. Ju nuk i keni lanë me hi kurrkund ndër malsitë tueja. Puna jonë ndryshej. Lene që nuk i njifshim aspak se çka janë kta komunistat, bile edhe i ndihmuem këta kodosha demek se po bajn luftë kundra taljanit e duelen njaty në Postribë, u shpërndanë nepër shpija tue hangër e tue pi. Aman, aman ! Çfarë edepsyzash ishin pasë kenë : Lene ma që thojshin se Komandanti i tyne i madh ishte Enver Hoxha, tamam një Hoxhë i dijtun, por edhe kur mblidheshin aty nën hije të fikut e nuk e prekshin asnji kokërr edhe sikur t’i lutej i zoti i shpisë. “Jooo, thojshin na nuk kemi si e prekim gjanë e popullit: asht gjynah i madh !” E shife tash se çfarë gjynahit! Ala nuk e kanë mbllaçitë bukën që u dhanë postribsit: në gojë e kanë, e po i pushkatojnë pa mëshirë si me kenë tue therë bagti në kasaphane. Vetëm ju i paskeni njoftë mirë se kush janë, sepse keni dijtë me e kndue edhe atë faqen e fundit të librit të tyne. Allah, o Perëndi ! Vetëm ti mund të na heqësh qafe tanë kta edepsyza !”5

Sipas autorit, Hafiz Dërguti s’i kishte pas njohur komunistët “lene që nuk i njifshim aspak se çka janë kta komunistat, bile edhe i ndihmuem kta kodosha demek…” E, jo vetëm Hafiz Dërguti, por mbarë myslimanët, sepse sipas autorit, Hoxhë Efendiu flet në shumës, pra të gjithë hoxhallarët, të gjithë myslimanët, s’i kishin njohur, madje edhe i kishin ndihmuar.

Vetëm kleri katolik i paskësh njohur, vetëm ai e paskësh përgatitur popullin “tue tregue se çka asht komunizmi”.

Aq më tepër, Hafiz Efendiu deklaron me gojën e vet (sipas autorit) se “Komandanti i tyne i madh ishte Enver Hoxha, tamam nji hoxhë i dijtun…” e në të kundërt “Vetëm ju i paskeni njoftë mirë se kush j anë…”

Jo, At Zefi, nuk është kështu, këto janë vetëm sajime. Ju keni shkruar të kundërtën e asqj që ka menduar e ka bërë Hafiz Musa Dërguti.

Për të argumentuar sa thamë, po sjellim vetëm dy shënime nga njerëz që e kanë njohur mirë Hafiz Musain.

Z. Eqerem Dërguti, i biri, shkruan: “Si klerik ishte antikomunist i vendosur. Ky qëndrim buronte në radhë te pare nga fakti se ideologjia komuniste mohonte Zotin. Ai thoshte : “Komunistët janë të pafe, ai që nuk beson në Zotin, s’ka moral, s’ka frikë nga çdo veprim, edhe i mbrapshtë po të jetë.

Sapo nisi në qytetin e Shkodrës veprimtaria e organizuar komuniste, Musa Dërguti filloi në çdo moment, në xhami, në rrugë e kudo ta denonconte farën e keqe të komunizmit. Mbahen mend, veçanërisht replikat e forta që bënte në vitet 1936, 1937 me të rinjtë komunistë. Në këto diskutime të gjata ai shquhej për forcën e argumentimit fetar dhe paralajmëronte rrezikun e madh të komunizmit dhe pasojat e tij për vendin tonë.

Forcat komuniste, që në atë kohë e konsideronin Hafizin pengesë dhe njeri të rrezikshëm, sepse gjatë viteve 1941-1944, kur lëvizja komuniste në Shqipëri u fuqizua, ai me këmbëngulje vazhdonte ta demaskonte hapur atë. Në vitin 1944 iu fut një letër anonime në shtëpi, me të cilën kërcënohej me vdekje si klerik antikomunist.”6

Ndërsa Z. Beqir Ajazi, një bashkëvuajtës në burgun e Burrelit, shkruan për Hafiz Dërgutin: ” … Nepërmjet një zëri ngushëllues prej patriarku, me një kulturë të gjerë sa fetare, aq edhe laike, ai të bënte për vete. Bagazhi i tij i gjerë dhe logjika e fortë bënin që ai të të imponohej. Ky ishte Hafiz Musa Dërguti, që besonte në një Zot të vetëm e të pashoq. Mbi këtë ai nuk bënte asnjë lëshim…” e më poshtë: “Hafiz Musai me dijen e tij të madhe ishte bërë qendër këshillimesh për të gjithë të burgosurit e Burrelit. Nepërmjet shpjegimesh prej kompetenti, fjala e tij hapej tek të gjithë e bënte punën e vet. Kështu ai bëri nacionalistë të vendosur të gjithë ata që i shfaqnin dyshime si rezultat i propagandes komuniste..”7

Burgimi

Mbas luftës filluan menjëherë goditjet ndaj Hafiz Dërgutit. Gjatë vitit 1945 është arrestuar tri herë, duke u mbajtur nën vërejtje 4-5 ditë. Gjatë këtyre ditëve i bënin presione të ndryshme, i thurnin shpifje nga më të ultat, por ai i përballoi me vendosmëri. Në pamundësi për ta përkulur apo për ta korruptuar, u detyruan ta lironin për mungesë provash. Dhe provat u gjetën. Për këtë shërbeu Kryengritja e Postribës me datën 9 shtator 1946. Forcat e sigurimit të shtetit, pasi shuan kryengritjen, pushkatuan shumë fshatarë e qytetarë dhe arrestuan një numër të konsiderueshëm prej burrave të familjeve më të mira të fshatrave dhe të qytetit. E, në mes tyre u arrestua edhe Hafiz Musa Dërguti.

Ditën e kryengritjes ai ka qenë në Oblikë, ku është takuar me nacionalistin Rasim Gjyrezi, i cili ishte strehuar në fshatin Krebej. Porsa kthehet në qytet, të nesërmen e Kryengritjes së Postribës, në rrugë, tek Çinari i Hoxhëdheut, ndalet nga forcat e sigurimit dhe arrestohet. Ishte data 11. IX. 1946.

Për shumë muaj rresht u torturua në birucat e sigurimit, po ai qëndroi me trimëri, duke ruajtur dinjitetin e tij si besimtar i devotshëm.

Bashkëvuajtësi i tij, Z. Tom Lec Marku, kujton: “Në burgun e Fretënve * *, dhoma 47, më bashkuen me të parin njeri, me Hafiz Musa Dërgutin. Tetari Dhimitër Çifliku nga Boboshtica e Korçës, më lidhi me të këmbë e duar. Ashtu të lidhun u prezantuem. Më pyeti Hafiz Musaja: Si ta thonë emnit ? – Tomë Leci, iu përgjegja.

Iu mbushën sytë me lot, kur më pa aq të ri, ende pa i mbushë 24 vjetët. Në atë kohë i kapi hekurat dhe u përpoq që të m’i lironte pak të mijat. – A po të dhamin ?…

Ishte njeri dai që bukën e vet e ndante me mue, më bante me zor me hangër. – Ha, se je i ri. Ndërkohë më tha: “A të vjen keq djalë i dashtun, me u falë? – Me gjithë qejf, iu përgjigja, por lutiu Zotit edhe për mue se jam tue vuejtë shumë në tortura.

U suell nga muri, u çueme në kambë e filloi me u falë.

Unë nuk i dinja ritet, por veprojshe tue e pa Hoxhën. Unë çohesha e ulesha së bashku me të, sepse ishim të lidhun duer e kambë bashkë.

Tue mos dijtë se s’ban me folë, i bana me krah, – Lutju Zotit edhe për mue. Ai nuk më ktheu përgjigje.- Mos harro, Hoxhë, lutju Zotit ! Kur e mbaroi faljen e bani selam djathtas e majtas, nisi me folë me mue. – Tomë, më tha, nuk flitet gjatë faljes.- Më fal, i thaçë, e u kondendova kur më tha se ishte falë e lutë për të dy. M’u duk se m’u lehtësuen torturat. Kështu i falte të tana vaktet…

Edhe kur dilnim me krye nevojën personale, duhet të ecnim të dy së bashku, me të njajtën kambë, fillonte e djathta ime dhe e majta e tij. Sillnim kryet nga ana tjetër…”8

Ish i burgosuri politik, Z. Ruzhdi Çoba, kujton: “Hafiz Musanë e kam njoftë si hoxhë në burg, kam qenë shumë afër tij, qoftë për edukatën qytetare, qoftë edhe si fetar islam, dojshe me përfitue nga dij et e tij … Në hetuesi, në Burgun e Kishës vazhdonte me falë të pesë vaktet. Tue qenë se ishte i lidhun me një të burgosun tjetër, i lutet shokut me e krye këtë detyrë fetare. Tue qenë se partneri i lidhun ishte katolik dhe pikërisht Gjon Serreqi, për respekt pranoi me u ulë e me u çue muej me radhë, tue i kërkue hallallek. Besoj se kjo është një gjest i veçantë mirëkuptimi në burgjet komuniste dhe Gjoni më ka thanë : “Ruzhdi, kjo m’u ba refleks dhe jo vetëm që nuk pritojshe me u falë me hafizin, por kishe një farë kujdesi me e ndigjue orën e kishës, kur vinte ora e faljes…”9

Lidhur me qëndrimin në hetuesi flitet edhe në një artikull të gazetës “Balli i Kombit”.10

Pas shumë muaj torturash e nisën për ta gjykuar në gjyqin e popullit. “Shumë muaj pas, të pafuqishëm, me lot në sytë i pamë të kalonin në mes të një turme që bërtiste me zemrim, të lidhur me pranga dy e nga dy. Ishin 39 vetë e ndërmjet tyre ishin françeskani Pater Gjon Shllaku, seminaristët Mark Çuni e Gjon Shllaku, profesori Gjelosh Luli dhe Hafiz Dërguti, një drejtues mysliman.”11

Mbas një gjyqi të inskenuar dhe me akuze false, Gjykata Ushtarake e Qarkut të Shkodrës e deklaroi fajtor për “Krimin si armik i popullit, neni 2 dhe 3, ligji 372.

Sipas regjistrit të Gjendjes Gjyqësore të Ministrisë së Drejtësisë, në numrin e Protokollit 7596 theksohet se “Për të quajturin Musa Dërguti, i biri i Ethemit dhe i Meleqes, lindur në Shkodër, me vendimin Nr. 463, dt. 27.11.1947, nga Gjykata Ushtarake Shkodër është deklaruar fajtor për krimin si armik i popullit, neni 2 dhe 3 të ligjit 372, dënuar me 10 (dhjetë) vjet privim lirie dhe heqjen e së drejtës Civile.”12

Gjithashtu, në një shkresë tjetër, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik, Drejtoria e Administratës së Burgjeve theksohet se “Z. Musa Ethem Dërguti, i vitlindjes 1888, në bazë të regjistrit themeltar Nr.1, me numër rendor 5264 është arrestuar më 11.09.1946 dhe liruar më 8.11.1956.”13

Nga këto dy dokumente theksojmë se, megjithë përpjekjet tona për t’u njohur me dosjen gjyqësore dhe dosjen hetimore të Hafiz Musa Dërgutit, nuk qe e mundur, sepse Gjykata e Rrethit të Shkodrës nuk pranoi të na i vinte në dispozicion.” Kuptojmë se Hafiz Musa Dërguti është arrestuar më datën 11.9.1946, të nesërmen e Kryengritjes së Postribës, është gjykuar më datën 27.11.1947, është mbajtur në hetuesi për një vit, dy muaj e 16 ditë. Pra, që nga 11 shtatori 1946 e deri më 27 nëntor 1947, ky hoxhë i nderuar, krejtësisht i pafajshëm është torturuar në birucat e sigurimit të shtetit për të arritur që të shpallet armik i popullit e të dënohet me 15 vjet nga pretenca e Prokurorit e të merret vendimi nga trupi gjykues i drejtuar nga Aranit Çela me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës civile. Është për t’u theksuar se Hafiz Dërguti nuk përfitoi nga asnjë lloj amnistie dhe i ka vuajtur plotësisht të gjitha vitet e dënimit, madje ka bërë edhe 2 muaj burg më shumë se dhjetë vitet e dënimit. E të gjitha këta, në burgun famëkeq të Burrelit. Ai, me sa duket, ka qenë një armik shumë i rrezikshëm i popullit (kupto i regjimit komunist).

Dëshirojmë të theksojmë se, kur u arrestua Hafiz Musa Dërguti ishte në moshën 56 vjeçare dhe doli nga burgu mbi 66 vjeç, plak i lodhur. Hafiz Musa Dërguti dënohet në bazë të ligjeve komuniste dhe cilësohet armik i popullit, ndërsa e gjithë veprimtaria e tij gjatë gjithë jetës provon fare qartë se ka qenë një mik i të gjithëve, një propagandues i paqës, i mirësisë, i mëshirës, i devotshmërisë, njeri i aftë për t’iu gjetur prane njerezve në hallet e shqetësimet familjare, në brengat e mosmarrëveshjet që ka çdo ditë jeta. Ai gjithnjë me fjalën e urtë, me autoritetin e devotshmërinë e tij ishte mik i ngushtë, i çdo familjeje, i çdo nevojtari, ishte mik i popullit, ishte një atdhetar i shquar. Po ku pyeste gjyqi ushtarak komunist për këto ? Ai me shpatën e luftës së klasave nuk bënte dallime, donte terror e këtë nuk e kursente kundër askujt, pa marrë parasysh asnjëri, asnjë fakt, sado kuptimplotë që të ishte. Kështu Hafiz Dërguti çohet në fillim në Burgun e Madh e pastaj në burgun e Burrelit.

Lidhur me jetën e tij të mjerë në këto burgje, me vuajtjet që kaloi dhjetë vjet në ato biruca të llahtarshme dëshmitarët flasin vetëm në një drejtim, theksojnë vetëm një fakt : Hafiz Musa Dërguti nuk u ankua asnjëherë, nuk e humbi aspak besimin në ditën e bardhë të lirisë, ishte optimist e me këtë optimizëm i frymëzonte të gjithë. Z. Ruzhdi Çoba i përfundon kujtimet e veta me këto fjalë : “Ky qe Hafiz Musa Dërguti që kam njoftë vetë. I durueshëm. Kur mori vesht se i kishin internue familjen, gjë që i shkaktoi shumë dhimbje, i lutei Zotit ditë e natë. Në fakt ndej shumë vite në burg, por kurrë nuk u mërzit, gjithnjë jepte kurajo e shpresë, sidomos të rinjve. Gjithmonë optimist, optimist, optimist, megjithëse ishte në moshë të pleqnisë”.14

Për të treguar besimin e thellë e optimizmin e Hafiz Dërgutit po citojmë një fragment nga artikulli i Z. Beqir Ajazit: “Njëherë më doli gjumi shumë heret. Sipas ndërrimit të rojeve, kuptova se ishte ora 3 pas mesnate. U mërzita injaft, se e dija që, me t’u zgjuar njëherë, gjumi arratisej përfundimisht prej meje dhe ua linte vendin brengave e dhëmbjeve, që s’kish melhem që t i zbuste. Në këtë kohë vura re se Hafizi i kish hapur sytë. I shkrirë i tëri në hallet e mija unë e harrova për një çast respektin që i detyrohesha dhe kështu guxova dhe i thashë:

Efendi, a thua vallë se nuk pati Zot fare dhe ne e humbëm jetën ashtu kot së koti, duke i dhënë rast komunizmit të na hajë për mish pëllumbi?

Me këtë pyetje unë nuk prisnja nga ai ndonjë leksion teologjik, por donja vetëm njëfarë ngushëllimi, sa për të qetsuar pak shpirtin tim të cfilitur. E pashë që ai u nevrikos me mua, ngriti kokën nga jasteku dhe me ata sy që i shndrisnin fort, duke e ngritur gishtin tregues në formë kërcënimi, filloi të më fliste me zemrim:

– A e di ti sa vjeç jam? Sa vjet burg kam bërë dhe sa më kanë mbetur për të bërë? Po, a ta merr mendja ty se me të vërtetë Hafiz Musai i plotëson edhe të gjitha këto vjet dhe del e shkon në shtëpi i gjallë?

– Jo, në të vërtetë jo.

– E pra shiko këtu, vërja veshin mirë këtyre fjalëve, se nuk ke për t’i dëgjuar kurrë prej gojës sime. Nëqoftëse Hafiz Musa Dërguti vdes në burg, atëherë rri i qetë e pa kurrfarë frike se Zot nuk ka fare, por ama, nëse Musai del prej burgut e shkon e vdes në shtëpi të vet, atëherë të jesh i sigurt se ka një Zot që e rregullon në harmoni të plotë të gjithë rruzullin. Kjo vuajtje që po heqim ne, nuk është tjetër, veçse një shkallë ngritjeje shpirtërore që na çoi Zoti për të na nisur drejt përsosmërisë.

Me të mbaruar këto fjalë, ai e vuri rishtazi kryet në jastëk dhe hyri në atë fazë ku shiheshin vetëm buzët që lëviznin dhe vetëm një Zot e dinte nëse ai po flinte apo i lutej Atij.

Nuk kishin kaluar akoma mirë as dy vjet nga lirimi im prej burgut të Burrelit, kur një ditë dikush trokiti në portën e shtëpisë time. Ishte postjeri që më dorëzoi një telegram. E hapa atë me një farë habie, sepse s’kisha marrë kurrë letër as telegram prej askujt, qyshse kisha dalë nga burgu.

-“Hafiz Musai sosi në shtëpi dhe ju pret. Familja.”

Nuk mund t’u besonja syve të mij. Më dukej fare e pamundur. Madje, për t’u siguruar se nuk isha në kllapinë e një ëndërre, ia dhashë dikuj që të ma lexonte … Vetëm atëherë më ranë në mend fjalët që më kish thënë Musa Dërguti atë natë … Kuptimi i këtij telegrami donte të thoshte : “A e shikon pra dhe a e kupton provën që të kam dhënë dikur se KA NJË ZOT QË ËSHTË I VETËM E I PASHOQ ?”15

Optimizmin e Hafiz Dërgutit, besimin në jetën, besimin për vazhdimësinë e saj mund ta shohim fare qartë edhe në këtë bisedë që po shënojmë më poshtë, dhënë nga At Zef Pëllumi në Burgun e Madh të Shkodrës. Hafizi, duke parë tek seminaristi një djalë të ri edhe në rrethanat e errta të burgjeve komuniste e ka mendjen te jeta, te vazhdimi i saj, tek rrjedha e saj e natyrshme, tek fejesa e martesa e prandaj, në konfidencë e me dashamirësinë që e karakterizonte, i thotë : “A din Zef se gjithë këtyne netëve, në këtë zallahi që ka dhoma jonë po na kalon nata pa fjetë dhe kam mendue për ly?…

Shif, me çka dij unë, ti nuk je prift si kta tjerët. Prandaj tue mendue me vedi gjithë natën pa gjumë kam thanë : Asht një vajzë tamam perri. E njof une. E bukur … ajo ma! I ka flokët e verdhë valë-valë, që i bien mbrapa deri poshtë brezit. Aman o Perendi, tamam një perri. Asht shpijes së mirë. Për hise i takojnë dy shpija. Shif, kur të më vijë në takim, unë po u çoj fjalë për ty. Mos më thuej jo. Jam unë dorëzanë për gjithçka. Kurrgja ma të bukur e ma të mirë nuk ka krijue Perendija se martesën. Asht e mirë dhe ambël mjalta? E pra nuk i rrin kurrkund afër grues së mirë ! Me të qitë Zoti nji grue të mirë, të bukur, të pastër, të bahet jeta xhenet. Ajo vajza që mendoj unë asht me të vërtetë një perri…”16

Cilësitë e larta morale dhe burrëria e Hafiz Dërgutit dalin qartë në pah në kushtet e rënda të jetës së burgut. Të gjithë ata që kanë pasur latin e keq të kalojnë vitet në këto burgje së bashku me të, theksojnë se ai ishte zemërmirë, gjithnjë pranë nevojtarëve, shembull i lartë qëndrushmërie. Ai ia hiqte vetes kafshatën e gojës për ta ndarë me të tjerët. Tom Lec Marku e quan “Dai (dorëdhanës) për gjithkënd, i jepte kujtdo çka kishte”, ndërsa Beqir Ajazi shkruan . “Kalova pranë tij dhe i bëra shërbim 40 muaj dhe po aq herë u kam shpërndarë të mjeruarve të kaushit kushedi sa sheqer, vaj, oriz, djathë etj. pa marrë parasysh gjellët e gatuara, të cilat me aq mundim e sakrifica bliheshin me të shtrenjtë e transportoheshin nga Shkodra në Burrel”.

Prej ushqimeve që i dërgonte familja mbante për vete vetëm ullinjtë, me të cilët ushqehej, e të gjitha të tjerat ua shpëmdante nevojtarëve, të cilët nuk kishin ndihma nga familjarët.

Hafiz Dërguti ishte një hoxhë i ditur, që për problemet e fesë islame dhe të sheriatit nuk bënte lëshime, por megjilhë këtë ishte tolerant, predikonte paqë e mirëkuptim mes njerëzve, mes besimtarëve të feve të ndryshme. At Zef Pllumi mes tjerave shkruan: ” … hoxha jo vetëm ishte shumë tolerant, por edhe shumë mirdashës…”,”… ai na respektonte (është fjala kur të gjithë klerikët katolikë të dhomës së burgut ku jetonte edhe Hafiz Dërguti. Shënimi ynë) e për këtë kishte stimën e dashuninë e ne të gjithve. Ishte një plak i hijshëm e shumë i sinqertë: na thoshte se gjithë jetën kishte treguar simpati për Klerin Katolik…” E më poshtë At Zefi shkruan : “Hafiz Dërguti ishte shumë i devotshëm, por jo fanatik…” Duke kujtuar jetën e burgut At Zefi thekson një episod shumë interesant : “Nuk shkuen shumë ditë e pa pritë e pa kujtue u hap dera e birucës sonë. Hini mbrenda një oficer madhor….Na pyeti për emën secilin.
– Të gjithë prifta?
– Po të gjithë.
– A shifni çka dort me thanë revolucion ? Deri tash ligjet e borgjezisë priftin e konsiderojshin të paprekshëm, ndërsa na tashti edhe Zotin e biem këtu të shoqnuem me dy polic. Kjo asht forca e Partisë. Po ti Hoxhë Efendi – iu suell Hafiz Dërgutit – çka ban ti këtu?
– Edhe unë si klerikët e tjerë.
– Jo Hoxhë Efendi, ti deri tash na ke mësue se asht sevap me mytë kaurrin, e tash si e kalon ti bashkë me priftën?
– Unë e kaloj shumë mirë me këta – iu përgjegj hoxha. – Na jemi robtë e Zotit. Sa për ato mësime që po thue, asht një dëshmi e rreme: unë kurr nuk kam mësue në mejtep si thue ti.
Ne mos paç kenë ti vetë personalisht – i tha oficen – ka kenë një hoxhë tjetër, krejt si ti: me këtë mjekër të bardhë e të bukur.
– Këtu ndrron loja – iu përgjegj Hafizi – unë jam unë e ai tjetri asht nji tjetër. Në pastë kenë ndonji hoxhë, që të ka mësue ty me vra kaurrat, po ta them troç se ai paska kenë nji hoxhë xhahil e jo nji hoxhë halim!”17

Hafiz Dërguti ishte një besimtar i devotshëm. Edhe në kushtet e vështira të burgut ai i kryente të gjitha ritet fetare. Jo vetëm falte të pesë vaktet, por edhe agjëronte ramazanin. Me shembullin e tij, por edhe si rezultat i punës së Hafiz Dërgutit, mund të them me bindje të plotë se ato tri vjet që kam qenë unë atj e, nuk ka mbetur mysliman pa e agjëruar ramazanin…”18

Lidhur me vullnetin e bindjen e tij ndaj ibadeteve fetare islame po sjellim edhe një shembull kuptimplotë, që na e sjell në kujtimet e veta Z. Ruzhdi Çoba. “Hafizi u sëmur nga adenidet. Jo vetëm ai, por edhe të burgosurit e tjerë u shqetësuan dhe kërkuan nga familja e tij të siguroheshin streptomicina për të shëruar sëmundjen. Ilaçet erdhën, kur për besimtarët myslimanë kishte filluar ramazani. Edhe pse në Kur’an lejohet besimtari islam të mos agjërojë për arsye sëmundjeje, Hafizi nuk pranoi të mjekohet, por vazhdoi i bindur thellësisht të mos e prishte ramazanin. Mbas 30 ditësh, për çudinë e të gjithëve, Hafiz Dërguti nuk kishte më nevojë të mjekohej, ai ishte shëruar plotësisht nga sëmundja. Këtë Zotni Ruzhdiu e shpjegon si mrekulli të të Plotfuqishmit. Por ne do të shtonim edhe një faktor tjetër psikologjik, që na duket me shumë rëndësi. Ilaçet kanë rolin e vet në mjekimin e sëmundjeve, por bindja e njeriut ndaj detyrës, përkushtimi i tij, gjendja e tij shpirtërore në shumë raste janë shumë më të fuqishme se çdo medikament. E Hafiz Dërguti e përballoi sëmundjen me vullnetin e tii, me durimin e tij, me përkushtimine bindjen e thellë ndaj të madhit Zot, me devocionin e tij ndaj detyrës islame. Ky është një ilaç më i fuqishëm se çdo medikament. Ai kishte besim në jetën, ai nuk iu përkul asnjëherë mjerimeve të burgut, nuk i humbi kurrë shpresat. Ai i ishte mbështetur Zotit të madh e mëshirëplotë. E kush tjetër mund të arrinte që t’i shpëtonte aq e aq të burgosur që kaluan në torturat çnjerëzore, që jetuan në qelitë e errëta e plot lagështirë, në të ftohtin acar, që u zhytën në baltën e zezë të kënetave, mes shushunjave gjakpirëse, në punët cfilitëse, pa ushqim, pa e ngopur njëherë barkun me bukë e pa gjumë në sy, veç besimit në jetën, veç mbështetjes në mëshirën e të madhit Zot?

Hafiz Dërguti ka qenë sa i dashur dhe i dhëmbshur, aq edhe krenar, trim e burrëror. Me punën e tij, me sjellj en, me fjalën e tij e ka provuar gjithnjë këtë, jo vetëm duke rrokur armët për t’i dalë zot vendit në çaste të vështira, por në çdo moment ai ka ditur të sillet e të veprojë për të ruajtur dinjitetin e vet, të familjes apo të shokëve me të cilët e kishte lidhur jeta. Nga jeta e burgut tregojnë një rast kuptimplotë, kur Hafiz Dërguti, duke e ndjerë veten të fyer nga sjellja e një polici, pa iu tutur syri fare për pasojat, kapi paguren e ujit dhe i ra kokës me sa fuqi pat. Këtë ngjarje rapsodi popullor Dedë Shyti e përshkruan kështu në vargjet e mëposhtme:

Policët me pengue banë përpjekje,
Të mos i shërbente Hafizi fesë…
Ia prishen t’falunit qentë e pabesë
Policin e qëlloi tenxhere kresë.19

Jeta në burgjet komuniste për çdo të dënuar politik është shoqëruar edhe me vuajtje të thellë shpirtërore për fatet e familjes, e cila pësonte përndjekje e keqtrajtime të shumëfishta. Arrestimi i solli jo vetëm Hafizit një jetë plot vuajtje e tortura, por edhe për familjen e tij filloi një kalvar i vërtetë.

Me 5 prill të vitit 1949 arrestohet e gjithë familja e tij dhe vendoset në burgun e Shkodrës. Nuk mbahet gjatë në Shkodër dhe internohet në Berat, më vonë dërgohet në Tepelenë, në Luzhan të Korçës dhe pastaj izolohen në Kalanë e Portopalermos. Më vonë dërgohen në Tepelenë, Skrapar, Lushnje. Dhe mbas katër vjetësh, më në fund lirohet e shoqja, ndërsa djali i vogël i Hafiz Dërgutit, Sabriu, lirohet pas tetë vjetësh. Dy djemtë e mëdhenj të Hafizit, Fejziu dhe Hamiti, arratisen që në ditët e para, ndërsa djali i tretë, Eqeremi, mbahet në burg edhe katër vjet.

Burgu, arratisja, papunësia, diskriminimi politik dhe ekonomik, mohimi i shkollës për fëmijët, demaskimet e herëpashershme në lagje publikisht, si armiq të rrezikshëm qenë pranga që e lidhen gjithnjë e më fort gjatë sundimit komunist familjen e Hafiz Musa Dërgutit, vetë atë, gruan e tij, fëmijët, nipërit dhe mbesat.

E, mendoni plakun e gjorë, kë të qante më parë, hallet e tij në tortura e në mjerimet e burgjeve apo gruan e fëmijët e shpëmdarë nëpër të gjitha skajet më të humbura të vendit, ngrënë e pa ngrënë, strehë e pa strehë, pa u nxënë këmba dhe, nga njëri burg në tjetrin, nga njëri kamp në tjetrin.

E megjithëkëtë, Hafiz Musa Dërguti dhe familja e tij mbijetoi. Nderi, dinjiteti, krenaria nuk u mposhtën. Ata i qëndruan këtij persekùcioni të shumëfishtë me dinjitet, me besimin e thellë në Zotin e madhërueshëm, me punë të palodhur, duke fituar kështu respektin e të gjithë qytetit. Ata mund të kenë vuajtur edhe për bukën e gojës, mund të kenë bërë punë nga më të rëndat, mund të kenë humbur të drejtën e studimeve, si shumë moshatarë të tjerë, por nderin e dinjitetin e ruajtën thellë, ata s’e humbën kurrë besimin në Zotin, pra, kështu mbijetuan.

Lirimi nga burgu me 8.11.1956 qe nje ngjarje e gëzueshme për vetë Hafiz Musain, tashmë i plakur dhe i lodhur nga vuajtjet e gjata, për tërë familjen, farefisin e gjithë miqtë e dashamirët. Shtëpia e tij nuk pushoi duke pritur e përcjellur miq që vinin për urim, me gjithë kujdesin e frikën e përhershme që ndjellte persekutimi komunist.

Hafiz Dërguti vdiq me 15 mars 1961. Përcjellja e xhenazes qe një sfidë për diktaturën komuniste. Qytetarët shkodranë, klerikët e të dy besimeve, fshatarët nga zonat për rreth e shumë miq e shokë të burgjeve e shoqëruan me lotë në sy. Ata kështu shprehnin dhëmbjen e thellë dhe respektin e veçantë për këtë bir të denjë të Shqipërisë, për këtë Hoxhë të nderuar.

Hafiz Musa Dërguti ka mbetur në kujtimin tonë si një personalitet i shquar i kulturës islame, si një hoxhë i devotshëm, si atdhetar, demokrat dhe antikomuiiist î vendosur, si qytetar i nderuar, si shembëlltyrë e paqes, mirëkuptimit, tolerancës mes njerëzve.

Edhe sot ruhen në kujtesën popullore shumë shprehje e mendime të tij, si: “Ban mirë në këtë jetë”, “Atë që mund të bejsh, mos e le pa ba”, “Përpiqu me i ndihmue të tjerët jo vetëm kur janë të varfn, por edhe kur bijnë në fatkeqësi e kanë hallet e jetës”. Këto mësime morale të jetës së përditshme, nga të cilat ai udhëhiqej, e bënë Hafiz Musa Dërgutin një “Gjykatës popullor.”

Referenca

1. Tom Lec Marku, nga Shkodra, i burgosur për Lëvizjen e Postribes, arrestuar me1946,bashkevuajtës me H. M. Dërgutin ne burgun e Fretënve, dhorna 47. Kujtime, dorëshkrim, data 26.5.1996, Shkodër.
2. Hamdi Bushati ne vepren “Shkodra ne mote”, duke berë fjalë për këtë xhami thekson se ka qene një nga me te vjetrat e qytetit, por pet fat te keq, pllaka e gurtë e vendosur ne urin e saj, nga pakujdesia ështe zhdukur, prandaj edhe nuk ka mundur te përcaktojë datën e ndërtimit.
3. M, Q. Gazeta “Balli i Kombit”, e enjte, 12.tetor 1995, fq.6
4. Po aty.
5. At Zef Pllumi, “Rrno vetëm pet me tregue”, (Libri i kujtimeve) Pjesa e pare, 1944-195 1, Botues “Hylli i Dritës”, 1995, fq. 222.
6. Eqerem Dërguti, “Hafiz Musa Derguti”, gazeta “Drita Islame”, Viti I i botimit, e enjte, II.Vl. 1992, nr. 12, faqe 3.
7. Beqir Ajazi,,”Se ka një zot që ështe i vetem dhe i pashoq”, gazeta”Drita Islame”, Viti II i botimit, nr. 1 3 (38), shtator 1993, fq. 3
8. Tomë Lec Marku, Kujtime, dorëshkrim, dhene me datën 26. 05. 1996
9. Ruzhdi Çoba, Kujtime, dorëshkrim, dhëne me datën 15. 6. 1996
10. M.Q. Hafiz Musa Dërguti, “Balli i Kombit” e enite, 12 tetor 1995, fq. 6
11. Mark Kalaj, “Edhe komunistet janë vëllezërit tane”, Testamenti i dashurise dhe i paqës i Pader Dajanit, ne librin ” 1946-1996 Martiret Jezuitë ne Shqipëri”, Milano, 1996, fq. 103,
12. Dëshmi e lëshuar nga Ministria e Drejtesise, Regjistri i Gjendjes Gjyqesore, Nr. i Prot. 7596, Tirane, me 27.V. 1 993.
13. Vertetim i leshuar nga Ministria e Rendit Publik, Drejtoria e Administratës se burgjeve, Tiranë, me 22.09.1993.
14. Ruzhdi Çoba, kujtime, cituar me sipër.
15. Beqir Ajazi, cituar me sipër.
16. At Zef Pliumi, vepër e cituar, fq. 222, 223.
17. At Zef Pllumi, vepër e cituar, fq. 226
18. Beqir Ajazi, cituar me sipër.
19. Dede Shyti, Kronike rapsodike, vjersha, Shkoder 1996, fq.30

Artikulli paraprakMOLLA AHMET EFENDI KALAJA (1823-1878)
Artikulli vijuesHAFIZ SALI HYLJA (SALI EFENDIU I VOGEL) (1820-1900)