Hahn: Maqedonia ta bëjë edhe kilometrin e fundit

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka kërkuar nga zyrtarët e Maqedonisë që të zbatojnë reformat e domosdoshme për marrjen e një raporti pozitiv nga Brukseli në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Pas takimit në Shkup me kryeministrin, Zoran Zaev, komisioneri Hahn, tha se vendi duhet ta bëjë edhe kilometrin e fundit për arritjen e synimit përfundimtar, marrjen e rekomandimit pozitiv dhe një datë të mundshme për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

“Kam ndjenjën se misioni im do të ishte i përfunduar vetëm nëse fillojnë negociatat. Mendoj se kemi arritur shumë, por tani është e rëndësishme të bëhet diçka sepse jemi ne kilometrin e fundit, s’kemi të bëjmë me maratonë, por me gjysme maratonë. Jam shume i lumtur kur dëgjoj projektet dhe qëllimet e ndryshme që i keni, ne mënyrë qe t’i zbatoni gjërat e nevojshme dhe të na mundësoni edhe neve të dalim me rekomandim pozitiv”, ka deklaruar komisioneri Hahn duke përmendur sferat ku Brukseli kërkon rezultate konkrete.

“Bëhet fjalë për reformat ne gjyqësor, në shërbimet e inteligjencës dhe në administratën publike ku deri në fund te vitit na duhen rezultate konkrete dhe jo vetëm paralajmërime. Me siguruan se ka një agjendë në Kuvend për të zbatuar këto reforma, por për këtë është gjithashtu e rëndësishmesh qe rolin e vet ta luaj edhe opozita”, ka deklaruar komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian. Johannes Hahn është ndalur edhe në debatin që po zhvillohet në Kuvend lidhur me miratimin e Ligjit për gjuhët e bashkësive etnike. Ai tha se ky ligj është pjesë e pakos së rekomandimeve të Bashkimit Evropian e as pjesë e marrëveshjes së Përzhinës, por sipas tij Brukseli nuk është kundër një ligji të tillë nëse palët arrijnë marrëveshje.

“Mendoj se për autoritetet duhej të kishin prioritet ato sfera të cilat janë të rëndësishme për të marrë raport pozitiv nga ana e jonë në fillim të vitit të ardhshëm. Nëse do te miratohej Ligji për gjuhët gjatë javëve në vijim mbi bazën të rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, atëherë është në rregull, por është e rëndësishme që Qeveria dhe aktorët e tjerë të fokusohen mbi ato ligje dhe kushte që janë relevante për rekomandim pozitiv. Ligji për gjuhët nuk është pjesë e Marrëveshjes se Përzhinës dhe e raportit te Pribes”, ka theksuar Hahn.

Nga ana tjetër, kryeministri, Zoran Zaev, ka numëruar sferat në të cilat sipas tij Qeveria është e përqendruar në realizimin e reformave, si në sektorët e sigurisë, administratën publike si dhe zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve me shtetet fqinje. Zaev tha se Maqedoni pret marrjen e një raporti pozitiv dhe zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Deri në fund të vitit presim të miratohet pakoja e ligjeve të domosdoshme për reformat në sistemin e ndjekjes së komunikimeve si dhe vendosjes së një mekanizimi të jashtëm kontrollues. Janë ndërmarrë edhe aktivitete tjera për depolitizimin dhe profesionalizimin e plotë të administratës. Këto janë vetëm disa nga prioritetet, pasi po bëjmë edhe shumë punë të tjera. Po punojmë intensivisht për forcimin e raporteve me të gjitha shtetet fqinje, përfshirë edhe Greqinë me të cilën në mënyrë të përshpejtuar po punojmë për zgjidhjen e çështjes së emrit. Prandaj me të drejt presim që Maqedonia të bëhet pjesë e strategjisë për zgjerimin e Bashkimit Evropian që pritet të publikohet në shkurt të vitit të ardhshëm. Presim të marrim rekomandim të pastër për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Në kuadër të vizitës në Shkup, komisioneri për zgjerim i BE-së, ka takuar edhe liderët e partive politike, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela dhe liderin e VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Të martën, Hahn do të realizojë takime me drejtuesit e sektorit civil.

Artikulli paraprakMerkel: Më mirë zgjedhje të parakohshme sesa qeveri të pakicës
Artikulli vijues“Kudo ku ka shkelur çizmja e Mlladiqit, është bërë gjenocid”