Historiani Dülffer: "Ndarja e Evropës nuk është kapërcyer ende"

70 vjet më parë Roosevelt, Churchill dhe Stalin ndanë Evropën në Jaltë. Sot Putin vijon me politikën e pushtetit të Stalinit, thotë historiani nga Këlni, Jost Dülffer. Sipas tij kjo është një situatë shumë e rrezikshme.

Më 4 shkurt të vitit 1945 u takuan tre liderët e fuqive aleate në luftën kundër Gjermanisë naziste: Franklin D. Roosevelt (SHBA), Winston Churchill (Britania e Madhe) dhe Joseph Stalin (BRSS). Ata u mblodhën në Jaltë të Bashkimit të atëhershëm Sovjetik në gadishullin e Krimesë. Takimi i “Tre të mëdhejve” kishte të bënte me ndarjen e Gjermanisë pas kapitullimit dhe me krijimin e një rendi të ri të pasluftës në Evropë. Fuqitë e mëdha të atëhershme ranë dakord me njëra-tjetrën që në fillim lidhur me kërkesat për dorëzimin pa kushte, për denazifickmin dhe demilitarizimin e Gjermanisë. Por disa çështje të tjera dukeshin të pazgjidhshme, aq të mëdha ishin dallimet.

Për gadishullin e Krimesë, ku ndodhet Jalta, ka edhe sot trazira në rendin evropian të paqes. Në një intervistë për Deutsche Welle-n (DW) historiani gjerman Jost Dülffer flet për rëndësinë e konferencës së Jaltës, ku në 1945 u diskutua për paqen dhe ku Evropa faktikisht u nda.

Tre të Medhenjtë

DW: Në Jaltë “Tre të mëdhenjtë” arritën të bien në një farë mase dakord me njëri-tjetrin, paqja në Evropë u sigurua fillimisht. Por disa muaj më vonë bota u përball me një luftë të re, të ashtuquajturën “Lufta e Ftohtë”. Çfarë ndodhi?

Jost Dülffer: Koalicioni anti-Hitler i përbërë nga rusët, amerikanët dhe britanikët as gjatë luftës nuk kishte funksionuar pa tensione. Por në Jaltë aleatët ranë dakord për atë, që për të gjitha palët mund të ishte një pikënisje për një politikë të përbashkët të pasluftës. Por ajo nuk u aplikua konkretisht në diplomaci, për shkak se u thelluan tensionet. Pati diferenca për çështje të caktuara. E para ishte çështja polake. Bashkimi Sovjetik e injoroi qeverinë polake në mërgim në Londër dhe vendosi një qeveri satelite të vetën. Pyetja ishte a duhej të njihej kjo qeveri, veteë sepse BRSS kishte çliruar Poloninë?

Pastaj ishte çështje e reparacioneve. SHBA hezitoi që në Jaltë, që të mbështesë plotësisht kërkesat sovjetike për reparacione nga Gjermania, sepse ishte e sigurtë, se vinte në një vend të shkatërruar, i cili fillimisht ka nevojë për ndihmë. Përveç kësaj amerikanët nuk ishin të gatshëm që të ndanin sekretin e bombës atomike dhe të shfrytëzimit të energjisë bërthamore për qëllime civile. Kjo krijoi tensione. Të përbashkëtat u shterruan deri në vitin 1946/1947.

Le të spekulllojmë: çfarë mund të bëhej ndryshe, sikur të dihej, se çfarë do të ndodhte pak vite pas konferencës?

Bashkimi Sovjetik e çliroi Evropën Lindore nga pushtimi gjerman dhe donte të ushtronte interesat e tij të pushtetit atje. Për shkak se kjo nuk iu pranua, pasoi konfrontimi dhe Lufta e Ftohtë. Të dyja palët kanë faj, sepse fuqitë perëndimore kishin pak mirëkuptim për Bashkimin Sovjetik, edhe për vuajtjet e Bashkimit Sovjetik. Në luftën e ftohtë Bashkimi Sovjetik, amerikanët dhe britanikët kanë qenë të përfshirë njëlloj.

A ishte e qartë që në Jaltë, se ndarja e botës nuk mund të shmangej?

Në tryezën e bisedimeve në Jaltë, shkurt 1945

Në tryezën e bisedimeve në Jaltë, shkurt 1945

Jalta ka qenë një ndër shumë konferenca, ku është diskutuar për rendin e pasluftës dhe ku kërkohej të arrihej marrëveshje për këtë çështje. Një vit e gjysmë më vonë ka pasur vetëm konferenca ministrash të jashtëm, në të cilat u bë e dukshme ndarja e Evropës. Në Jaltë kjo nuk ka qenë aq e manifestuar. Kishte ende shanse. Por ka pasur një konfrontim ideologjish – komunizmit dhe kapitalizmit. Secila palë zgjeronte sferën e saj të ndikimit në mënyrën e vet, Bashkimi Sovjetik më shumë në mënyrë ushtarake, fuqitë perëndimore më shumë në sensin ekonomik.

Disa historianë e shohin Jaltën si vendin, ku Perëndimi ka tradhëtuar Poloninë dhe vende të tjera të Evropës Lindore. E shihni edhe ju kështu?

Gjërat erdhën si erdhën, pjesërisht për shkak të një veprimi të njëanshëm të BRSS, pjesërisht edhe si kompromise. Fuqitë perëndimore nuk mund të fillonin luftë me Bashkimin Sovjetik në momentin, kur Gjermania e Hitlerit nuk ishte mundur akoma.

Nëse do të bëni një skicë në vija të trasha, çfarë i ka sjellë Jalta botës? Çfarë mund të cilësohet sot 70 vjet më pas si pozitive dhe si negative?

Dy muaj pas Jaltës u themelua OKB-ja. Për Kombet e Bashkuara në fakt u fol pak në Jaltë, por u ra dakord, që të pesë fuqitë e mëdha të kenë të drejtën e vetos. Kjo ishte e nevojshme në sistemin e atëhershëm shtetëror, por ky rregull pengon deri sot OKB-në për të qenë më efektive. Pozitivja ishte se po ecej në rrugën e paqes, ndërsa ishte akoma luftë.

Situata e sotme në Euvopë ka prej disa vitesh ngjashmëri me kohën e atëhershme. Në politikën e tij dhe në mënyrën se si prezantohet Putini vazhdon politikën e pushtetit të Stalinit. Dhe kjo është një situatë shumë e rrezikshme. Ne kemi besuar se pas përfundimit të konfliktit Lindje-Perëndim 1989/90 ishte kapërcyer kjo ndarje në sfera të ndryshme të pushtetit në Evropë. Ne shohim sot se Rusia e sotme, shumë më e vogël se Bashkimi i i atëhershëm Sovjetik, ndjek të njëjtën rrugë dhe kjo është shumë serioze. Ne mendonim se e kishim kapërcyer, por jo.

Intervistën e zhvilloi Daria Bryantseva.

Jost Dülffer është profesor për historinë e re në Universitetin e Këlnit. Ai është autor i librit “Jalta, 4 shkurt 1945. Lufta e dytë Botërore dhe krijimi i botës bipolare”./dw

Artikulli paraprakQeveria ia falë borxhet kosovarëve deri në vitin 2008
Artikulli vijuesRemi: Të rinjtë largohen, ndërsa 50 milionë euro shkojnë mëditje dhe shtesa