Justinian Topulli: Mbi komentet “Pse në kohën kur tërë bota po tronditet me radikalizmin islam, duhet të mbështetet përhapja dhe promovimi i kësaj feje në një vend që ka pretendime të integrohet në EU

Justinian Topulli

Një shqiptar i shkolluar në Perëndim, duke komentuar në një postim, shkruante:
“Nuk e kuptoj pse në një kohe kur tërë Bota po tronditet me rrezikun e islamit radikal, duhet të mbështetet përhapja dhe promovimi i kësaj feje në një vend që ka pretendime të integrohet ne institucionet Evropiane dhe Euro/atlantike.”
Ky opinion në fakt është mendimi i shumë prej atyre shqiptarëve, që Islamin si fe e shohin si sinonim të së keqes, apo një prej burimeve të saj. Feja dhe besimi islam, sipas tyre, përbën një ngërç problematik kulturor për shqiptarët dhe i pengon ata të bëhen pjesë e qytetërimit më të përparuar të kohës, që konsiderohet ai perëndimor. Dhe kur i thuhet atyre se nuk është vetë feja islame burimi i ngjarjeve të dhunshme që ne shohim sot, por se “radikalizëm dhe ekstremizëm e terrorizëm gjen në çdo fe dhe çdo ideologji, këto fenomene të dëmshme janë pasoja të gjendjeve sociale, ekonomike, politike, ushtarake, historike etj. në të cilat gjenden ithtarët e këtij apo atij besimi, apo rajone të caktuara gjeografike ku ndodhen ithtarë të këtij apo atij besimi dhe nuk kanë lidhje me vetë besimin. Historia është dëshmitari më i mirë i kësaj gjëje dhe provon se në të tilla situata kanë rënë dhe bien besimtarë ose jo, të feve dhe raca dhe ideologjive të ndryshme.” Ata këmbëngulin se është pikërisht besimi islam, duke të sugjeruar madje edhe video, që i gjen nga kushdo në youtube, për të të bindur se është pikërisht historia e kësaj feje, burimi i së keqes, që shfaqet sot nga ithtarët e saj. Sipas këtyre njerëzve radikalizmi dhe ekstremizmi janë tipar i vazhdueshëm dhe historik i kësaj feje!
Në fakt injoranca nuk ka brirë më të dukshëm sesa mos njohja e vetë historisë, e për më tepër, edhe kur i referohen asaj këtë e bëjnë në mënyrë të cunguar dhe tejet subjektive. Këtu ne jemi të detyruar të citojmë e ricitojmë studiues jomusliman, që së paku në konstatimet e tyre për të shkuarën e historisë islame janë më objektiv sesa shumë intelektual të sotëm, që është turp të konstatosh se janë kaq të paditur në histori.
Kështu që u themi këtyre njerëzve, që nëse terrorizmi dhe ekstremizmi do të varej vetëm nga besimi atëherë si qe e mundur që po ky besim, pikërisht atëherë kur ishte edhe më i fortë dhe i freskët krijoi një qytetërim brilant, të cilin politologu hebre Martin Kramer e përshkruan me këto fjalë:
“Në vitin 1000 Lindja e Mesme ishte djepi i civilizimit botëror. Asnjeri nuk mund të pretendonte për arsim të vërtetë, po të mos njihte arabishten… Një Perandori Islame, që kishte triumfuar katër shekuj më parë, kishte krijuar civilizimin Islam, i cili mbahej nga vullneti i lirë i shpirtrave më ndërmarrës dhe krijues të botës… Pa asnjë dyshim, dinastitë islame përfaqësonin superfuqitë politike, ushtarake dhe ekonomike të kohës… Ky civilizim urban i shkallës më të lartë kultivoi dhunti gjeniale. Sikur të kishte çmime Nobel në vitin 1000, pothuajse të gjithë do tu jepeshin myslimanëve.” (Islam’s Sober Millenium’.-Jerusalem Post, 30 December, 1999)

Artikulli paraprakKelmendi: Koha për zgjedhje të parakohshme
Artikulli vijuesShejh Albani për fudbollin