Këto profesione mund të mësohen në burgjet e Kosovës?

Klasat ku mësojnë nuk dallojnë shumë prej qelive, në të cilat vuajnë dënimin. Gjithë dritaret brenda atyre klasave janë me grila.

Në të tilla ambiente, tash e sa kohë ndjekin mësimet rreth 60 të burgosur që gjenden nëpër Qendrat Korrektuese në tërë vendin. Shpeshherë edhe në prani të gardianëve. Por, edhe pse shkollohen brenda hapësirave të burgut, mësimet që ndjekin janë të njëjtat me ato që zhvillohen në shkollat e tjera të vendit.

Nga shtatori i këtij viti, Burgut të Dubravës do t’i shtohet edhe një nxënës i ri.

Faton Hajrizi, i dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e një ushtari rus në Kosovë dhe vepra të tjera, pritet të transferohet në burgun prej të cilit u arratis shtatë herë, për të ndjekur mësimet.

35-vjeçarit nga Skenderaj, më në fund i është aprovuar kërkesa për shkollim, edhe pse fillimisht duhet në transferohet nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz, për në atë të Dubravës.

Shkollimin pritet ta fillojë nga shtatori i këtij viti, por me kushtin që sjelljet e tij të jenë në përputhje me rregullat e burgut dhe nëse që të mos paraqet rrezik për të tjerët.

“… ne ju informojmë që shkollimi i personit në fjalë është lejuar dhe do të mund të filloj në shtator të këtij viti gjithmonë nëse sjelljet e tij janë në përputhje me rregullat e burgut dhe nëse nuk paraqet rrezik për të tjerët, pasi qe ky person ende paraqet rrezikshmëri”, kanë thënë në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Por, Faton Hajrizi nuk është i vetmi që do të shkollohet brenda burgut.

Janë edhe rreth 60 të burgosur të tjerë që aktualisht ndjekin mësimet në dy prej burgjeve, që aktualisht e ofrojnë këtë mundësi.

Zëdhënësi i SHKK’së, Jeton Kabashi i ka thënë Gazetës Express se aktualisht në Qendrat Korrektuese në Lipjan dhe Dubravë, janë duke ndjekur mësimet 61 nxënës. Gjithë këta vijojnë procesin mësimor në paralelet e ndara të një shkolle fillore dhe të mesme.

Kabashi thotë se mosha e të burgosurve që shkollohen në burgje është prej 19 deri në 33 vjeç aktualisht.

“Mosha mesatare e nxënësve në QKL është në mes të moshës 19 dhe 20 vjeqare ndërsa mosha mesatare e nxënësve në QKD është 33 vjeqare. Nxënësit procesin mësimor e vijojnë në QKL në paralelet e ndara të shkollave amë SHMP ,,Adem Gllavica si dhe shkollës fillore ,,Ismajl Luma” si dhe në QKD të paraleles së ndarë SHMT ,,Mithat Frashëri” në Gurrakoc”, thuhet në përgjigjet e Kabashit drejtuar Gazetës Express.

Por, ndonëse mësojnë brenda klasave që u ngjajnë qelive, ata nuk kanë dallim prej nxënësve të tjerë. Edhe në burg, ata mësojnë të njejtat lëndë.

Automekanik, saldator e instalues i ngrohjes janë vetëm disa prej zanateve që ata aftësohen t’i bëjnë brenda hapësirave të burgut.

“Nxënësit që vijojnë procesin mësimor në paralelen e ndarë të shkollës fillore ,,Ismajl Luma” lëndët mësimore janë sipas planprogrameve shkollore për shkolla fillore ndërsa nxënësat e shkollës së mesme mësojn lëndë të Drejtimit të Makinerisë- Operator të prodhimit si dhe Drejtimi i informatikës ndërsa në Paralelen e ndarë në QKD nxënësit vijojnë mësimin në drejtimet: Bujqësi – Blegtori, Makineri – Automekanik, Makineri – Instalues i ngrohjes dhe kanalizimit, makineri – saldator”, tregon Kabashi.

Në bazë të nenit 83, të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, personi i dënuar ka të drejtë në shkollim fillor dhe të mesëm në pajtim me ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm. Ndërsa sipas ligjit për arsim, secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor.

Ndërkohë, numri i personave që aktualisht gjenden prapa grilave në vuajtje të dënimit shkon në rreth 1 mijë e 600 të burgosur.

Secili prej tyre i kushton buxhetit të shtetit më të varfër në rajon rreth 28 euro në ditë, shifër kjo që deri në fund të vitit arrin në mbi 10 mijë euro.

Ndërsa, sipas një përllogaritjeje për të gjithë të burgosurit, vendi harxhon për një vit më shumë se 15 milionë euro. Ndërsa në tri vjetët e fundit janë shpenzuar afër 45 milionë euro nga kuleta e shtetit për këtë qëllim.

Aktualisht, dënimi më i lartë i cili vuhet nëpër burgjet e Kosovës është ai me 40 vjet heqje lirie./Gazeta Express

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/cilat-jane-profesionet-qe-mund-te-mesohen-ne-burgjet-e-kosoves-618243/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Artikulli paraprakUniversiteti i Prishtinës i bashkohet grevës, Nuk ka provime në janar
Artikulli vijuesTë pasurit gjatë 2018-s janë bërë edhe më të pasur, të varfrit edhe më të varfër