Lindin dhe shkollohen në Kosovë, ikin për punë në Gjermani!

a chalkboard with the question sprechen sie deutsch? do you speak german? written in german, a pot with pencils, some books and the flag of Germany, on a wooden desk

“Nuk kthehem në Kosovë, pa një ndryshim rrënjësor të politikës”, “Pavarësisht se kam aplikuar në shumë vende pune, konkurse, ishte e kotë”, “Këtu vlerësohesh, në Kosovë jo”, janë disa nga qëndrimet e të rinjve të shkolluar të cilët kanë braktisur vendin.

Ata zgjodhën Gjermaninë si vend që do tu plotësoj ëndrrat e tyre për një punë dhe jetë më të mirë, që siç thonë ata, nuk e gjetën në Kosovë.

 

A.Syla, që përfundoi studimet mastër në Inxhinieri Minierash në Universitetin e Mitrovicës, ndonëse e pati të vështirë të largohet nga vendlindja, ai u detyrua të aplikojë për vizë pune në Gjermani pasi nuk gjeti punë në profesionin e tij.

Ani pse aplikojë në shumë konkurse e thirrje të ndryshme për punë, atij nuk iu hapën dyert, pavarësisht studimeve e trajnimeve të shumta që kishte kryer.

“Jo perspektiva për njerëzit e kualifikuar me të drejtë, domosdoshmëria mu kyç në parti për te zënë vend pune, robëri ndaj “Komandantëve” për të pasur një “perspektivë”, çlirimi në Kosovë ka ndodhur nga Serbia, por ka ndodhur robëria ndaj “Komandantëve” janë disa nga arsyet që A. Syla e kanë shtyer të largohet nga Kosova.

Ai në një rrëfim për Indeksonline thotë se studimet e inxhinierisë në Kosovë i kanë hyrë në punë, pasi tani është punësuar në profesionin e tij.

“Po jam punësuar në një firmë që ka të bëjë me profesionin tim. Posa kam bërë lajmërimin si i kualifikuar (pasi unë kam njohuri për gj. angleze, gj. turke dhe elementare gj. gjermane) ,nuk ka qenë edhe aq vështirë për të gjetur oferta pune, pasi këtu janë nevojat e mëdha për njerëz të kualifikuar”, ka thënë mes të tjerash A. Syla.

Ai përfundoi studimet mastër dhe aplikoj për doktoraturë mirëpo të gjitha këto nuk i ndihmuan që të gjejë vend pune. Prandaj, edhe nuk mendon të rikthehet në Kosovë.

“Duke ditur arsyet e braktisjes se vendit dhe njëjtën kohë duke pasur parasysh mirësjelljen, mikpritjen ne çdo institucion që shkon këtu në qytetin ku jetoj asht për të ardhur keq veç mendja me te shku mu kthy prap vendlindje…! Mbi të gjitha këtu vlerësohesh si njeri. Pa ndonjë ndryshim rrënjësor te politikës në Kosovë, nuk guxoj as me mëndu për një rikthim….”, ka thënë mes të tjerash ai.

Nuk është vetëm A. Syla ai që braktisi Kosovën për të siguruar vend më të mirë pune jashtë vendit.

Edhe 24-vjeçari Q. Gashi nga Komuna e Klinës këtë vit ka shkuar në Gjermani për shkak të vështirësisë për të gjetur punë. Mungesa e perspektivës në Kosovë dhe shpresa për një jetë dhe punë të mirë e ka shtyer edhe Q. Gashin t’ia mësyjë Gjermanisë.

Pavarësisht se ishte duke kryer studimet master, ai u interesua dhe aplikojë në shumë vende pune që kishin të bëjë me profesionin e tij, përkatësisht administratën publike.

Mirëpo, ai në një rrëfim për Indeksonline tha se në shumë konkurse edhe përgjigjët e sakta kishin komente nga komisioni se “ku po e dinë këtë pyetje, a e njeh najkon brenda këtu a”.

“Pas përfundimit te nivelit bachelor të studimeve dhe fitimit të njohurive nëpërmjet trajnimeve dhe kurseve të ndryshme, fillova te interesohem për punë në profesionin tim qe kishte te bënte me administratën publike. Aplikova në shumë konkurse në institucioneve publike, por ishte e kot. Në një institucion të sigurisë në intervistë me gojë për shkak të përgjigjeve të sakta, kam hasë në këso komente nga paneli “ku po e din ti këtë pyetje? A njeh najkon këtu brenda a?” D.m.th ish zor me ditë e zor mos me dit, kështu që tentativa ishte e kot, jeta ecën përpara dhe vendosa me provu fatin ne Gjermani”, thotë Gashi derisa thekson se njohuritë dhe shkolla janë investim që nuk i ka lenë anash dhe vazhdon të lexojë shumë libra edhe atje.

Ai posa ka shkuar në Gjermani ka vijuar kurs për të mësuar gjuhën, derisa me gjuhën angleze ka arritur që të hyjë me një fabrikë.

Ndonëse nuk është në profesionin e tij, ai thotë se pagesa është shumë më e mirë në raport me Kosovën dhe ka stabilitet në punë.

“Punësuar po, punojë në një fabrikë që përgatitë një pjesë të dekorimeve të automjeteve, pagesa është e mirë në raport me Kosovën, ka një stabilitet në çdo aspekt. Vështirësi pak në gjuhë, por kam filluar të punojë këtë aspekt”, ka Q.Gashi.

Ai thotë se derisa nuk ka shpresë më të mirë për vendin, nuk do të kthehet.

“Për momentin nuk mendojë të kthehem në Kosovë për qëndrim afatgjatë, ndoshta nëse ka një shpresë më të mirë, pse jo në vendin tim do kthehna. Por, as këtu nuk po mungon mundësia e integrimit në shoqëri”, ka theksuar ai.

Mungesa e meritokracisë, nepotizimi dhe klientelizimi partiak, sipas Gashit po i kushton më së shumti popullit.

“Synimet e mija janë me përvetësuar gjuhën në nivelin qe me mujt me i vazhdu studimet ose me përfunduar masterin këtu, e pas kësaj me u sistemu diku në profesionin qe kam investuar në të. Mendojë që do të arrihet, thjesht do të mundohem. Mungesa e meritokracisë, nepotizmi dhe klientilizmi partiak në Kosovë kanë sjell nëpër administratë analfabet funksional, njerëz jo të duhur, e krejt kjo përfundon në faturë të popullit. Shpresojë që gjeneratat e reja nëpër parti politike kanë me tentu me thy at sistem te vrazhdë e kriminal që behën ndërmjet partive qe vinë ne pushtet”, ka thënë mes të tjerash Q. Gashi.

Ani pse kosovarët po gjejnë punë në Gjermani ata po përballen me vonesa në terminin e vizave. Një termin për vizë punë sipas faqes së Ambasadës Gjermane duhet pritur më shumë se një vit. Vonesat në terminin e vizave po u shkakton telashe kosovarëve të cilët po i humbin mundësitë e punës atje. Për këtë temë është diskutuar edhe në Parlamentin Gjerman, ku ka pasur ankesa nga bizneset atje se po iu vonohen punëtorët nga vendet e Ballkanit.

Pritjet e qytetarëve para Ambasadës Gjermane
Se ka vonesa e thonë edhe zyrtarë të një prej agjencioneve e cila është e licencuar. Bëhet fjalë ‘Punësohu.eu’, agjencion ky i cili është i licensuar për procedimin e aplikacioneve për punësim në vendet e zhvilluara dhe e cila ka partneritet zyrtar me agjensionet rekrutuese ndërkombëtare dhe kompanitë tjera.

Drejtori menaxhues i këtij agjencioni, Hamëz Bytyqi për Indeksonline ka thënë se çdo vit procedon dhe klasifikon oferta pune nga vendet e zhvilluara për kosovarët që aplikojnë për vende pune jashtë vendit.

“Si Agjension Rekrutues Punësohu.eu çdo vit procedon dhe klasifikon oferta pune nga vendet e zhvilluara të cilat i përgjigjen aftësive dhe nevojave të fuqisë punëtore në vendin tonë (bëhet fjalë për klientët tanë të regjistruar në portalin tonë www.punësohu.eu duke u bazuar në CV e tyre)”, ka thënë Bytyqi.

Punsohu.eu është një prej agjensioneve rekrutuese që operon jo vetëm në territorin e Republikës së Kosovës, por dhe më gjerë e cila ka punësuar fuqi punëtore në vendet e BE, që sipas drejtorit Bytyqi janë me qindra klientë që janë punësuar në vendet e BE-së.

Ai ka treguar se gjatë vitit 2018 kanë qenë afërisht 30 mijë kosovarë që janë interesuar për punë.

Por, kanë aplikuar vetëm 587 qytetarë, të cilët po presin termin që nga 1 tetori i vitit 2017.

“Në zyrë gjatë vitit 2018, kanë qenë përafërsisht mbi 30 mijë vizita, por aplikime i kemi gjithsejtë 587 klientë…ku 70 % e tyre janë duke pritur datën për termin në Ambasadë qe nga 01.10.2017”, ka thënë mes të tjerash Bytyqi.

PUNSOHU EU SH.P.K nuk garanton punësimin e individëve,pasi pritjet në Ambasadë janë të gjata.

“Ne informojmë klientët për vendet e reja të punës, asistojmë në procesin e aplikimit, bëjmë kompletimin e dokumenteve përkatëse, vetëm me kërkesën dhe autorizimin e veçantë të klientëve (CV, letrave motivuese, plotësimin e formularëve), procedojmë aplikacionin për vendin përkatës të punës përmes postës elektronike apo shërbimit postal, plotësojmë formularët për aplikim për vizë të punës, plotësojmë formularët për aplikim për leje pune”, ka theksuar ai.

Mirëpo, ai ka shtuar se nuk premtojnë asnjëherë sigurimin e punësimit, pasi ajo çështje nuk ka të bëjë me ta.

Ndërsa, për drejtuesin e Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci, edhe për shumë kohë, ekonomia e vendit nuk mund të krijojë vende pune as për gjysmën e atyre që kërkojnë punë.

“Edhe për shumë kohë, ekonomia e Kosovës nuk mund të krijojë vende pune as për gjysmën e atyre që kërkojnë punë, prandaj nuk është reale të pritet që migrimi do të ndalet. Përkundrazi, njerëzit do të kërkojnë rrugë për ta zgjidhur problemin e punësimit dhe migrimi do të lehtësohet nëse liberalizohen vizat”, ka thënë Pupovci.

Poupovci ka shtuar se nëse vendi do të ofronte siguri jurdike për investitorët, atëherë edhe kompanitë e huaja do të interesoheshin për të hapur vende pune në Kosovë.

“Nuk duhet të jemi a priori kundër migrimit, sepse njerëzit tonë një pjesë të mirë të fitimeve që i realizojnë jashtë i kthejnë në Kosovë dhe kjo ndihmon zhvillimin ekonomik. Pastaj, vende të reja pune do të mund të krijohen nëse Kosova ofron më shumë siguri juridike për investitorët e huaj, nëse e lufton korrupsionin dhe e përmirëson cilësinë e arsimit. Në një situatë të tillë, kompanitë e huaja mund ta shohin interesin për të hapur njësi punuese në Kosovë, duke llogaritur se këtu fuqia punëtore është më e lirë se në vendet e BE-së”, ka thënë mes të tjerash Pupovci.

Në anën tjetër, sociologu Valon Jashari, njëherisht ish hulumtues i migrimit në ICMPD për Indeksonline ka treguar disa nga shkaqet të cilat ndikojnë në ikjen e qytetarëve nga Kosova.

Ndër to, janë faktori ekonomik, mungesa e perspektivë e zhgënjimi në elitën politike.

“Sipas gjitha analizave, studimeve dhe përmbledhje të hulumtimeve mund të vijim deri tek disa nga përfundimet mbi shkaqet dhe arsyet që shkaktuan dhe vazhdojnë të shkaktojnë ikjen e qytetarëve nga Kosova, përfundime këto poashtu të cekura nga shumë hulumtime: Faktori ekonomik, papunësia, është njëri prej faktorëve shtytës kryesor për emigrimin në masë të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve perëndimore, mungesa e perspektivës dhe zhgënjimi në institucionet e vendit është një faktor po aq përcaktues sa ai ekonomik, faktori politik – zhgenjimi ne eliten politike, dhe paqartesia e se ardhmes, tensionet sociale, te shkaktuara nga dy dimensionet – ai ekonomik e politik, fluksi i madh dhe trendi në rritje – efekti psikologjik i masave, mungesa e informacionit mbi politikat e azilit në vendet perëndimore apo dezinformatat, grupet kontrabandiste – te cilat shfrytëzuan situatën dhe përhapen thashetheme dhe informata te rrejshme, lehtësimi i qarkullimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe ulja e kostos se udhëtimit, përderisa nuk ka hulumtime, studime dhe analiza konkrete mbi motivet, arsyet dhe faktorët që shtynë njerëzit të ikin, strategjitë, planet e veprimit, mekanizmat e krijuar dhe deklaratat e kampanjat për vetëdijesim nuk do ta ndalin ikjen e qytetarëve”, ka thënë Jashari.

Ai ka përmendur një hulumtim të Zyrës Federale Gjermane për Migrim ku supozohet se nga viti 2014, 100.00 shtetas kosovarë apo me shumë kanë vendosur ta lëshojnë vendin për një jetë më të mirë.

“Sipas një hulumtimi të Zyrës Federale Gjermane për Migrim dhe Refugjatë (Bundesamt für Flüchtlinge und Migration, BAMF), pakënaqësia me udhëheqjen e shtetit, korrupsioni, nepotizmi, si dhe konflikti i vazhdueshëm me Serbinë dhe popullsinë serbe në Kosovë, ka rritur përsëri presionin për migrim në Kosovë. Supozohet që nga viti 2014, 100.000 shtetas kosovarë apo më shumë kanë vendosur ta lëshojnë vendin e tyre, me shpresë që të gjejnë një jetë më të mirë, shumica prej tyre kanë kërkuar azil në Gjermani. Si arsye për azil ceken problemet ekonomike dhe sociale si dhe përjashtimi apo përndjekja e minoriteteve etnike, fetare apo seksuale ose shkelje tjera të drejtave të njeriut” ka thënë mes të tjerash ai.

Se ka interesim të madh të të rinjëve për të braktisur Kosovën e tregon edhe hapja e një konkursi për punë në aeroportin e Hamburgu nga kompania B.S.B Aviation në Prizren, ku mijëra kosovarë iu përgjigjën. Mirëpo, aplikimet ende nuk kanë nisur, për shkak të hapjes së hetimeve nga prokuroria lidhur me kompaninë në fjalë, hetime këto të cilat ende nuk kanë pushuar.

Qytetarët duke pritur para zyrës në Prizren për dy mijë vende pune në aeroportin e Hamburgut

Pritjet e gjata për një vizë punë po diskutohet në Parlamentin e Gjermanisë ku është propozuar një ligj që do të shkurtojë pritjet. Risi e këtij projektligji është se kualifikimi i profesionistëve do të njihet edhe në Gjermani, ku është një vizë që jepet për një afat kohor deri në gjashtë muaj.

Viza për të kërkuar punë i jep të drejtën një personi të kualifikuar që të vijë në Gjermani pa kontratë pune. Rregulli aktual parasheh se kush gjen punë brenda këtij gjashtëmujori, nuk ka nevojë të dalë nga Gjermania për të marrë vizë pune, por mund të aplikojë direkt në zyrën e të huajve, në vendin ku jeton.

Kjo pritet të ndodhë në mesin e vitit 2019 ndërsa është parashikuar të hyjë në fuqi në vitin 2020./Indeksonline/

Artikulli paraprak20 vjet nga masakra e Reçakut
Artikulli vijuesPërse gomat patjetër duhet të jenë të zeza dhe me asnjë ngjyrë tjetër