Majko kundër Qoses: Ja pse propozimi juaj është i gabuar!

Ish-Kryeministri i Shqipërisë në periudhën e luftës së Kosovës, Pandeli Majko ka dalë kundër idesë së Rexhep Qosjes për shkëmbim territoresh me Serbinë. Sipas tij, kjo ide s’mund të realizohet pasi ndryshimi i kufijve s’bëhet mbi dëshira kombëtare, por nëpërmjet garancive ndërkombëtare.

Reagimi i plotë i Majkos

Rexhep Qosja padyshim është një cilësi e pandryshueshme kombëtare.
Propozimin e tij për shkëmbim të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë e konsideroj të gabuar.

Historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare. Ato janë dhe mbartin garancitë ndërkombëtare. Kufiri është serioziteti i cdo shteti për të respektuar fqinjin. Ai shpreh vullnetin për të respektuar rregullat ndërkombëtare që e bëjnë atë anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm. Tashmë ka një vullnet ndërkombëtar të shprehur për sovranitetin territorial të Kosovës. Dëshirat janë njerëzore. Shteti ka qëllime. Nuk është e nevojshme që, pikërisht tani, të ngrihet nga ata që i duan dhe nuk i duan shqiptarët pyetja “Cfarë duan shqiptarët!?”

Pasiguria në marrëdhëniet ndërkombëtare nxjerr të humbur palën që e nxit atë.
Me respektin maksimal për Rexhep Qosen, për një mik që koha nuk e ndryshon… Nga ai kam mësuar se serbët njohin vetëm ato kontrata që nuk e nxjerrin humbës.

Artikulli paraprakPse nuk lejohen avionët të fluturojnë mbi Qabe?
Artikulli vijuesMbi debatin rreth deklarimit të Rexhep Qosjes mbi “këmbimin e territoreve – Sulejman Abazi