Manastiri i Deçanit sillet si shtet

Në njëvjetorin e vendimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, që pronat e Ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” t’i dhurohen Manastirit të Deçanit, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Deçan ka organizuar një marsh protestues.
Disa historianë dhe pak qytetarë, që u ishin bashkuar atyre, nuk arritën të shkonin deri te Manastiri i Deçanit, pasi që kontingjenti italian i KFOR-it nuk lejoi një gjë të tillë, transmeton KTV.

“Kjo dhuratë e institucioneve gjyqësore të Kosovës, e cila po merr edhe bekimin e institucioneve tjera shtetërore, për Manastirin e Deçanit u bë sipas vendimit të vitit 1993 dhe të vitit 1997 të institucioneve të Serbisë në Beograd. Manastiri i Deçanit i ka kaluar të gjitha limitet e institucionit fetar. Ai sot sillet si shtet. Pengon ekonominë e Deçanit”, deklaroi historiani Shkodran Imeraj.

Nga aty, historianët nga Deçani iu kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, që të ndërhynë dhe të zgjidhet një herë e përgjithmonë kontestin pronësor ndërmjet Manastirit dhe Komunës së Deçanit. /Telegrafi/

Artikulli paraprakGjakovë: Njerëzit e haraçit i vendosin eksploziv para shtëpisë Drejtorit të urbanizmit
Artikulli vijuesRexhep Qosja: Turqinë e kemi mike, ndërsa Islamin fe…