"Më mirë të jesh me ngjyrë se serb"

Tifozët e futbollit nga hapsirat e ish-Jugosllavisë janë në zë të keq, për shkak të ofendimeve racore. Shembuj të tillë ka në Serbi por dhe Kroaci. Po a bëhet fjalë gjithmonë vetëm për racizëm?
Data 12 qershor 2012, ishte një ditë shumë e bukur për futbollin kroat. Kombëtarja barazoi në Kampionatin Evropian me Italinë dhe arriti në prag të çerekfinale. Ndërsa data 14 qershor 2012 ishte një ditë shumë e pakëndshme për futbollin kroat. Nga tribunat e stadiumit u hodhën banana në drejtim të futbollistit italian Mario Baloteli. U dëgjuan edhe zëra të ndryshëm që dëgjohen nga majmunët…
Sllavisha Veselinoviq

Racizmi në Kampionatin Evropian
“Mendoj se ata kanë qenë shembujt më tipik të ofendimeve racore dhe gjuhës së urrejtjes. Këtu nuk bëhej fjalë për një, dy apo tre persona, por Baloteli është ofenduar çdo herë kur ka prekur topin”, pohon Sandra Bençiq, nga Qendra për Studime Paqësore në Zagreb. Në EURO 2012, ajo ka bërë studimin e sjelljes së tifozëve nga Kroacia.
Shefi i UEFA-s Platini ishte i shokuar me sjelljen e tifozëve kroatë: “Nuk jam i lumtuar për shkak të Kroacisë. Ajo ka një kombëtare shumë të mirë, por nuk është e pranueshme kur në stadium shikoni qindra idiotë”. UEFA ka dënuar Federatën Kroate (HNS) me 80.000 euro. Dënimi u vlerësua si simbolik, sepse kjo nuk ishte hera e parë që Kroacia ka zhgënjyer francezin Platini. Ka pasur edhe kërkesa për suspendimin e Kroacisë nga skena ndërkombëtare e futbollit, po kjo nuk ndodhi.
Incidente edhe në vendet e tjera

Racizmin nuk e gjejmë vetëm tek tifozët kroatë. Gjëra të tilla ka në mbarë botën, por edhe tek fqinjët e Kroacisë, thotë gazetari i sportit Sllavisha Veselinoviq. Në Krushevc të Serbisë në vjeshtë të vitit 2011 u shënua incidenti më i rëndë, kur futbollistët e rinj dhe tifozët e Serbisë sulmuan lojtarin me ngjyrë të kombëtares britanike (U21) Danny Rose. UEFA ka nisur një procedurë kundër Federatës së Futbollit të Serbisë, të cilën e ka dënuar me para dhe dy ndeshje pa praninë e tifozëve. Sllavisha Veselinoviq thotë se sjellja e tillë e tifozëve nuk është e rrallë: „Në ndeshjet e këtilla shikuesit gjejnë mjetet të cilat e godasin më së shumti Evropën. Nëse konstatojnë se ofendimi racor do të ishte më i rëndi, atëherë veprojnë pikërisht mbi këto baza.”
Veselinoviq pohon se racizmi nuk është ndonjë problem i madh kur zhvillohen ndeshjet e klubeve në këto vende. “Në sportin e Kroaicsë dhe Serbisë ka shumë sportistë me ngjyrë, por ata nuk ofendohen në kampionatet kombëtare apo rajonale”, shpjegon ai.
Në kampionatet e vendeve të ish – Jugosllavisë ka me qindra futbollistë dhe basketbollistë me ngjyrë. Disa prej tyre janë idol të publikut, si për shembull Massa Sarra i Hajdukut të Splitit. Derisa ai është adhuruar, kundërshtarët me ngjyrë janë ofenduar në mënyrën më të keqe, si për shembull Eduard da Silva, që dikur ka luajtur për Dinamon e Zagrebit por edhe kombëtaren e Krocisë.

Sociologu kroat Drazhen Llalliq, i cili është ndoshta edhe njohësi më i mirë i skenës së tifozëve në ish – Jugosllavi, mendon se tifozët e këtyre vendeve në fakt nuk janë fare racistë. „Ofendimet më shumë janë pasojë e ritualeve. Nacionalizmi është një problem shumë më i madh sesa racizmit tek ne”, pohon ai.

„Paradoksi maqedonas“
Gazetari i njohur maqedonas Zlatko Kalinski flet për një “paradoks në Maqedoni”: „Në çdo ndeshje të kombëtares maqedonase dëgjohen parulla antishqiptare. Ndërkohë që disa shqiptarë luajnë për kombëtaren e Maqedonisë.”
Kombëtarja e Maqedonisë
Në Ballkan ka shumë tifozë të papunë, që nuk shohin asnjë perspektivë. Pas luftërave të viteve 90-të është mbledhur shumë energji negative, pohon Sllavisha Veselinoviq. Ndaj këtu kemi më shumë të bëjmë me urrejtje se sa me racizëm: „Sikur në ndeshjen e ardhshme të Kroacisë kundër Serbisë të luajë një me ngjyrë, ai me siguri që do të përjetonte më pak ofendime sesa lojtarët e tjerë nga Serbia. E njëjta vlenë edhe për ndeshjen kthyese mes Serbisë dhe Kroacisë, e cila do të zhvillohet më vonë në Beograd.“
Në hapsirat e ish-Jugsollavisë jetojnë sot shumë pak të huaj. Njerzëit me ngjyrë janë shumë të rralë. Ndaj nuk ka vend për racizëm, mendon Dandra Bençiq. Ndryshe, në Ballkan është toleruar tepër gjatë ofendimi mbi bazat nacionale, që ka ardhur edhe prej niveleve më të larta politike. Ndërkohë kanë ndryshuar ligjet, të cilat parashikojnë denime shumë më të rrepta. Por ka mbetur problem zbatimi i ligjeve./de

Artikulli paraprakHollësi të reja rreth vrasjes së Hamdi Sopës
Artikulli vijuesICKosovo, ofron këshilla për financimin e biznesit