OPERACIONI “SHIGJETA”, VAZHDIMËSI E LUFTËS TË UÇK-ës NË KOSHARE DHE PASHTRIK PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS

0
1118

Në theksim të risive të aplikuara gjatë zhvillimit të operacionit “Shigjeta”, është në të mirë jo vetëm të së tashmes, por dhe të ardhmes, për të nxjerrë në dukje zhvillimet, se si janë kryer këto veprime gjatë këtij operacioni. Kështu, në vazhdimësi të këtij zbërthimi, theksojmë se ky operacion, nuk u fillua e u vazhdua njëherësh në të gjithë frontin, por u nda në dy faza, për një arsye të vetme dhe kryesore. Ajo kishte të bënte me mungesën e theksuar të municioneve e pjesërisht të armatimit, në njësitë e UÇK-ës, që vepronin në brëndësi të teritorit të Kosovës.

     ZHVILLIMI I VEPRIMEVE OPERACIONALE

    Për zhvillimin e veprimeve luftarake të këtij operacioni, janë dhënë mendime nga më të ndryshmet, duke filluar që nga oficerët e mirëfilltë të karrierës ushtarake, luftëtarët e njohur të betejave të panumërta të UÇK-ës, e deri tek luftëtarët pjesëmarrës direkt në front të këtij operacioni, mbështetur në shënimet, përshkrimet dhe ditarët e mbajtur nga vet këta luftëtar, gjatë zhvillimit të këtyre luftimeve. Është e natyrshme dhe plotësisht e justifikueshme, që të gjitha këto mendime janë të qarta, aq sa është dhe vizioni i tyre, i njohur me këtë ide, të zhvillimit e drejtimit, për pozicionin e vet, që këta individ kanë patur, në kompleksitetin e detyrave të caktuara të këtij operacioni në veçanti e të luftës së Kosovës në tërësi. Mbështetur në dokumentet përkatëse të planifikimit, të drejtimit dhe të zhvillimit të këtij operacioni, një analizë paraprake dhe disa konkluzione janë dhënë shumë kohë më parë, pothuajse para disa vitesh në revistën javore “Zëri”, me numër 1739, datë 17 maj 2000 nga komandanti i këtij operacioni, kolonel Bislim Zyrapi dhe pjestar tjerë të shtabit drejtues të këtij operacioni. Nisur nga këto analiza dhe konkluzione të argumentuara e të dokumentuara nga shtabi i këtij operacioni, gjatë zhvillimit dhe në përfundim të tij, është treguar konkretisht se si u organizua, zhvillua dhe u drejtua ky operacion.

Por, për të qenë gjithmonë real, e plotësisht i përputhur me ndodhitë e veprimeve konkrete, të depozituara nëpërmjet dokumenteve ekzistuese, e të arkivuara të këtij operacioni, vlen të theksohet se operacioni “Shigjeta”, për mënyrën e vet të organizimit, zhvillimit dhe të drejtimit, pati karakteristikat e tija të përgjithshme e të veçanta. Ashtu si ishte planizuar, sipas strategjisë e doktrinave të kohës, edhe për UÇK-ës erdhi ajo fazë veprimi, për të kaluar nga veprimi i kombinuar guerilo-sulmues-frontal, në atë klasik frontal, për të arritur qëllimin e lartë, të misionit historik të marrë për obligim. Operacioni “Shigjeta” është i një lloji të veçantë, jo vetëm nga mënyra e planizimit, organizimit, zhvillimit dhe drejtimit, por dhe të zbatimit të formave të reja të luftimit, në përshtatje me kohën, vendin, situatat politike, ekonomike, veprimtarinë diplomatike, e aq më tepër për atë të planizimit të luftës psikologjike, që u aplikua e zhvillua me sukses, gjatë gjithë gjerësisë e thellësisë frontale. Kjo veprimtari e re, e zbatuar gjatë operacionit “Shigjeta”, konsistoi në një seri manovrash të lëvizjeve taktike të forcave nga fronti në thellësi, anasjelltas dhe paralel me frontin, duke krijuar imazhe të rreme, për sasinë numerike të forcave dhe të mjeteve në përdorim, gjatë këtyre veprimeve operacionale.

Në theksim të risive të aplikuara gjatë zhvillimit të operacionit “Shigjeta”, është në të mirë jo vetëm të së tashmes, por dhe të ardhmes, për të nxjerrë në dukje zhvillimet, se si janë kryer këto veprime gjatë këtij operacioni. Kështu, në vazhdimësi të këtij zbërthimi, theksojmë se ky operacion, nuk u fillua e u vazhdua njëherësh në të gjithë frontin, por u nda në dy faza, për një arsye të vetme dhe kryesore. Ajo kishte të bënte me mungesën e theksuar të municioneve e pjesërisht të armatimit, në njësitë e UÇK-ës, që vepronin në brëndësi të teritorit të Kosovës. Nisur nga kjo gjëndje paraoperacionale, u pa e arsyeshme dhe u gjykua, që duke shfrytëzuar ndërhyrjen e fuqishme të NATO-s dhe çoroditjen e forcave Serbe pas ndërhyrjes ajrore të Aleancës, të jepej një goditje e shpejtë dhe e befasishme me forcat frontale të Drejtimit Operativ Nr.1, në kufirin imagjinar drejt Koshares, duke filluar në këtë mënyrë dhe fazën e parë të operacionit “Shigjeta”.

FAZA E PARË – BETEJA E KOSHARES

     Faza e parë e këtij operacioni, e njohur edhe si Beteja e Koshares, u studjua e u vlerësua me imtësi gjatë planizimit të sajë, duke u zbërthyer me hollësi në interes të zhvillimeve të mëtejshme, nga vet Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Bislim Zyrapi e stafi drejtues i këtij operacioni. Në këtë fazë forcat e inkuadruara, që sipas urdhërit luftarak u quajtën Drejtimi 1-rë Operativ, morën për detyrë të mësyjnë në brezin: Letaj (8035-4095), lart. 882 (0020-3015), kodra e Gashit (9060-2085), kodra e Pejasit (8015-4050) me detyrë që në bashkëveprim me focat e ZO të Dukagjinit, ZO të Pashtrikut dhe aviacionin e NATO-s, të rrethojnë dhe asgjësojnë armikun përballë dhe të kapin vijën Gjakovë (9055-2085), Deçan (1005-4035), në të pastajmen, duke futur në luftim eskalionin e dytë, të vazhdonin mësymjen në drejtim të qytetit të Prishtinës. Kjo betejë e vërtetë, e zhvilluar nga UÇK, me pjesëmarrjen e forcave të emërtuara sipas këtij kodimi operacional Drejtimi i 1-rë Operativ, përfshinte Br.138; 134; ZO e Dukagjinit dhe forcat e tjera në krah, front dhe thellësi. Sipas referimit të ngjarjeve të zhvilluara të asaj kohe dhe dokumentacionit ekzistues, del që urdhërin për fillimin e Betejës së Koshares, si faza e parë e operacionit “Shigjeta”, e ka dhënë vet ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të asaj kohe, kolonel Bislim Zyrapi, urdhër të cilin, ja ka komunikuar për veprim Komandantit të Br.138 Rrustem Berisha, aktualisht dhe komandat i Drejtimit 1-rë Operativ.

Urdhëri i Ministrisë së Mbrojtjes: nr. 11 – datë 01. 04. 1999, me të cilin është emëruar eprori Rrustem Berisha, Komandant i Drejtimit Operativ Nr.1 – KOSHARE.

 

__________________________________

 

Për të vërtetuar këto veprime tepër të sakta, le të ballafaqohemi me një deklarim të vet zotit Zyrapi, të dhënë më 27 maj 2000, në revistën “Zëri”, të po asaj date: “Urdhërin për fillimin e operacionit “Shigjeta” e kam dhënë unë” thotë ai dhe shton se “në atë kohë, pasi që ishte përpiluar dhe hartuar plani i luftimit, i dhashë urdhërin e sulmit Komandantit të Br.138, Rrustem Berishës, që të fillonte sulmi në Koshare, përkatësisht në një pjesë të brezit kufitar Shqipëri-Kosovë”. U theksuan këto deklarime të ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK.-ës për atë periudhë, sepse me luftën e Koshares është spekulluar shumë nga forca të errëta politike, të cilat mundohen, që veprimet e UÇK-ës, t’i vënë në funksion të interesave të ngushta, e jo në atë të përgjithshmes, atë atdhetare e të bashkimit kombëtar. Rëndësia e madhe e këtij operacioni, i cili fillon me fazën e parë të tij, Betejën e Koshares, del akoma më tepër, me interesimin e madh që i ka kushtuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nëpërmjet Ministrit të saj të Mbrojtjes të asaj kohe, Azem Syla, i cili së bashku me antarë të tjerë të këtij operacioni dhe të SHP të UÇK-ës, pas kontrollit dhe inspektimit të veprimeve përgatitore, nga afër të këtij operacioni, në konsultim të ngushtë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës kolonel Bislim Zyrapin dhe Komandantin e Drejtimit 1-rë Operativ, përkatësisht Komandantin e Brigadës 138, Rrustem Berishën, vendosën dhe sulmi filloi i befasishëm, në orët e hershme të mëngjesit, e pikërisht në orën 3.30 të datës 9 prill 1999.

Vetkuptohet që sulmi ishte tepër i furishëm dhe plotësisht i befasishëm. Lufta për kapjen e Koshares nuk u zhvillua si në vaj, si e përshkruajnë disa autorë shkrimesh këndej dhe andej kufirit. Kjo betejë ishte sinonim i veprimit të rrufeshëm luftarak të UÇK-ës, në përballje me forcat serbe, të armatosura deri në dhëmbë. Mirëpo, si në të gjitha përpjekjet luftarake të UÇK-ës, për vite me radhë në të gjithë thellësinë e Kosovës, ashtu edhe në Koshare, fitoi sulmi shpirtëror luftarak i Shqiptarëve të Kosovës Shqiptare, i cili mposhti ushtrinë e blinduar Serbe të pseudo-Jugosllavisë së ngelur në vdekje e sipër. Sulmi në kufirin Shqiptaro-Shqiptar, i mbrojtur nga Sllavët e jugut, me dëshirën e një Serbie të Madhe, ishte vepër vetëm e UÇK-ës, asaj UÇK-je, që në radhë të parë simbolizonte gjakun e derdhur jo vetëm në shekuj, por në veçanti, atë të derdhur në këtë luftë të fundit, atë të derdhur në Prekaz nga Jasharajt legjendar, atë të Zahir Pajazitit, Luan Haradinajt, Mujë Krasniqit, Ilaz Kodra e deri tek Agim Ramadani, pikërisht këtu në Koshare.

Dëshmori i Kombit – Komandant Agim Ramadani

Jehona e Koshares pati një ndikim të veçantë në ide, mendim e veprim, e sidomos në atë moral si faktor kryesor, në zhvillimin e arritjen e suksesit luftarak. Kjo betejë krijoi kushte të reja furnizimi, jo vetëm për Kosharen, por për të gjitha zonat e tjera operative në thellësi. Me këtë veprim, SHP i UÇK-ës, realizoi njërin synim të operacionit “Shigjeta”, duke i treguar mbarë opinionit ndërkombëtar, se UÇK, nuk ishte një ushtri vetëm për luftë guerile e partizane, por ishte një ushtri, që kur e lyp nevoja, di të sulmojë frontalisht, e jo vetëm kaq, por të realizojë objektivin, duke i shkaktuar humbje të konsiderueshme kundërshtarit, asaj ushtrie që e quante vetën si të pathyeshme.

     FAZAS E DYTË – LUFTA E PASHTRIKUT

     Faza e dytë e operacionit “Shigjeta”, mbështetur në ecurinë e veprimeve luftarake në thellësi të Kosovës, e sidomos atij në Koshare, u organizua, zhvillua e u drejtua në kushte më të përshtatshme se sa “Shigjeta-1”, pra Beteja e Koshares. Lufta e Pashtrikut, siç quhet në fjalorin e përditshëm, sipas kodifikimit operacional në kuadrin e përgjithshëm të operacionit “Shigjeta”, u quajt “Shigjeta-2”. Kjo fazë e gjithë “Shigjetës”, mbajti këtë emër me shifrën e koduar “2”, deri në fillimin e sulmit të Drejtimit 2-të Operativ mbi forcat Serbe në brezin: Bërdoc (6020-6030), Ferizaj (1030-9050), Lipjan (1000-0095), Vlana (0050-7095) me detyrë që në bashkëveprim me Drejtimin e 1-rë Operativ, forcat e ZO – Dukagjinit, ZO -Pashtrikut dhe aviacionin e NATO-s, të rrethonte dhe asgjësonte armikun përballë dhe të kapte vijën: Ferizaj (1030-9050), Lipjan (1000-0095). Në vazhdim, duke futur në luftim eskalionin e dytë në bashkëveprim me D.1.O. die ZO – Pashtrikut, ZO – Dukagjinit, ZO – Drenicës, ZO – Mitrovicës, ZO – Llapit, ZO – Narodimes dhe ZO – Karadakut, të vazhdonin luftimin mësymës në thellësi të Kosovës, në drejtim të qytetit të Prishtinës.

Lufta në këtë fazë të operacionit “Shigjeta”, e sidomos në drejtim të Pashtrikut, ishte një ndeshje luftarake shumë e rreptë, sepse forcat Serbe, pas Betejës së Koshares, në drejtimin e Pashtrikut dhe zonës përreth tij, kishin bërë një koncentrim të madh të forcave, përgjatë gjithë vijës kufitare. Përveç të gjitha forcave organike të Korpusit 52 të Prishtinës, në këtë zonë kufitare, ushtria Serbe në këtë pjesë të kufirit kishte futur në formacionin e përgjithshëm luftarak edhe Brigadën Parashutiste të Korpusit Special të Beogradit, forcat e së cilës kishin një përgatitje të lartë e të veçantë. Komandës të operacionit “Shigjeta”, vetëkuptohet që i dolën probleme lidhur me këtë gjendje luftarake të ndërlikuar, por që u kalua me një moral tepër të lartë dhe me intensifikim të madh sulmesh e goditjesh, të fuqishme, të njëpasnjëshme e të suksesëshme. Në vazhdim të zhvillimeve të mëtejshme, pas shumë përgatitjeve të forcave të UÇK-së në Burrel, Tiranë, Kolsh dhe Helshan, si dhe për sulmin në Koshare, pati debate e konsultime, tepër të frytshme, e sidomos me pjestarët “Miqt e ajrit” specialist të ardhur nga SHBA-të, ku nëpërmjet mikro-operacionit tepër sekret “Dora e tërthortë”, u përcaktuan veprimet e mëtejshme për ruajtjen e fshehtësisë të bashkëveprimit. U arrit vënia në dispozicion e aviacionit gjuajtës – bombardues taktik dhe strategjik të Paktit të Atlantikut Verior të NATO-s, në mbështetje të plotë, për neutralizimin gradual deri në asgjësimin e forcave të Brigadës Parashutiste të Korpusit të Beogradit, të vendosura kryesisht në mbrojtje në vijën e parë dhe atyre në thellësi.

Edhe në këtë fazë të operacionit “Shigjeta”, u ndryshua taktika dhe manovra, e cila konsistoi në bombardimin me aviacion për disa ditë rresht dhe fshehtësinë e fillimit të sulmit. Nisur nga parimet ekzistuese të mësymjes frontale, duhej që përgatitja me aviacion e shumta, duhej të zgjaste 30-45 minuta. Mirëpo në fakt nuk ndodhi ashtu. Përgatitja me aviacion zgjati disa ditë, aq sa forcat Serbe u çoroditën dhe kur më 26. 05. 1999 forcat e Drejtimit të 2-të Operativ, u hodhën në sulm në mënyrë të befasishme. Forcat Serbe nuk e prisnin këtë situatë luftarake sulmuese. Prandaj, edhe suksesi ishte tepër i madh, por nuk u shfytëzua si duhet arritja e tij. Forcave Serbe iu shkaktuan humbje të mëdha në njerëz e teknike ushtarake. Qëllimi u arrit sipas planit të parashikuar e të planifikuar nga organet drejtuese. Gjatë këtij operacioni ranë në fushën e luftës 17 dëshmorë dhe u plagosën 78 luftëtarë, prej të cilëve 3 dëshmorë dhe një i plagosur, i përkasin efektivit të bataljonit “Atlantiku”, të Shqiptaro-Amerikanve të ardhur nga kontinenti i perëndimit të largët.

Për këtë operacion, janë dhënë mendime të shumta, duke e etiketuar “si shpërthim”, “si çarje” e disa të tjerë si “thyerje”. Është e drejtë e secilit, ta etiketojë e ta quaj luftën si të dojë. Por, përsa i përket luftës së UÇK-së, duhet që secili prej nesh, të mendohet mirë për atë që duhet thënë, deklaruar dhe aq më tepër, për atë që duhet shkruar. Kjo për të vetmen arsye, se kjo luftë duke qenë si fenomen i veçantë, për Kosovën e popullin e saj, paraqet një kapitull në vehte të historisë të popullit Shqiptar, e për pasojë, ajo duhet paraqitur realisht, në përputhje me kohën e vendin e zhvilluar. Rivihet theksi për këtë problem, sepse individ karrierist dhe të prirur, për ta vënë historinë në funksion të vetvetes, kanë shkruar e po shkruajnë për këtë operacion, duke u shprehur sa tinzar, aq dhe nihilist të atyre veprimeve, që jo vetëm nuk i kanë planizuar, por për të madhështuar vetveten, duke tentuar të vjedhin planin e operacionit, e meqë ai nuk u ra në dorë, tani shkruajnë kujtime në formë përrallash, si tek “Njëmijë e një netët”.

Një pjesë e komandës operative – të operacionit ‘Shigjeta’.

Beteja e Kosharës dhe lufta e Pashtrikut, janë një operacion i tërë, me një ide e qëllim të përbashkët. Pavarësisht nga fazat e zhvillimit të tij, ky operacion karakterizohet, nga gërshetimi i veprimeve luftarake frontale dhe ato në thellësi të gjithë territorit të Kosovës. Zhvillimi i veprimeve luftarake në operacionin “Shigjeta”, fillimisht në Koshare dhe pastaj në Pashtrik, ishin vazhdimësi seriale e veprimeve luftarake, të së kaluarës dhe të kohës së UÇK-së, me një theks më të veçantë në taktikë e strategji. Fillimi i mësymjes, në front të gjërë me të gjitha forcat e operacionit “Shigjeta”, në gërshëtim të ngushtë, me të gjitha forcat e zonave operative të Dukagjinit, Pashtrikut, Drenicës, Llapit, Mitrovicës (Shala e Bajgores), Karadakut e Nerodimës, nën mbështetjen e fuqishme të aviacionit të NATO-s, arsyetuan ushtarakisht, qëllimin e ndërmarrë operacional, për t’u sulmuar qytetet kryesore të Kosovës, nga ku, duke dhënë goditje të fuqishme, të çliroheshin ato dhe të krijoheshin kushte, për çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Vetkuptohet që rrjedha e veprimeve luftarake e operacionit “Shigjeta” në veçanti dhe e krejt veprimeve luftarake të UÇK në përgjithësi, gjatë muajve Mars-Prill-Maj-Qershor 1999, u gërshetuan dhe u mbarsën me shumë veprime të ngjeshura politike, diplomatike e psikologjike, të cilët ndikuan në rrjedhën e zhvillimit luftarak, duke sjellë ndryshime tepër të ndieshme nga dita në ditë, e sidomos në fund të muajit Maj e fillimit të Qershorit 1999, nga ku për pasojë të progresit të veçantë e të përgjithshëm të veprimeve luftarake UÇK-ës e NATO-s, u arrit kapitullimi dhe nënshkrimi i Traktatit të Kumanovës, për tërheqjen e forcave jugosllave nga krejt Kosova.

MENDIMET PAS OPERACIONALE

     Operacioni “Shigjeta” ishte hapi vendimtar historik i Qeverisë së Përkohshme, në luftë për çlirimin e Kosovës. Si i tillë, ai u hodh me mençuri të paparë, që në fillimet e tij e deri tek ai përfundimtar, të largimit të krejt forcave Jugosllave nga territori i Kosovës. Nuk është e arsyeshme të futemi në hollësira të këtij operacioni, sepse shumë nga këto u shpjeguan dhe u paraqitën më lart, por në refleks të disa paqartësive, që janë shfaqur nga disa individ me mendje të pakthjelluara, po japim në vazhdim shkurtimisht, pjesë nga ai realitet i zhvillimeve konkrete, në ballafaqim me disa “qyqarë”, që kërkojnë të deformojnë historinë, sipas orekseve individuale, në përfitim të një qëllimi a konçesioni të ndonjë segmenti politik e partiak, me synime tepër të errëta e të largëta.

Ky operacion është një koncentrim i madh veprimesh, të pjesshme e të tërësishme në front, thellësi dhe paralel me frontin. Ai u zhvillua në gjerësinë e të gjitha fushave, e gjithë hapësirat dimensionale të tyre në teori dhe praktikë. Veprimi luftarak i këtij operacioni, ishte pjesë e pandarë, jo vetëm i UÇK-ës, por i krejt popullit shqiptar, i shtrirë jo vetëm brenda trojeve Shqiptare, por në krejt botën, ku punonin e jetonin Shqiptarët e vërtetë. Dhe kjo ka arsyet dhe logjikën e vet. Lufta nuk zhvillohet vetëm me pushkë në vijën e parë, por ajo shtrihet, për kushtet e sotme, e sidomos për atë të Kosovës, në vija pozicionale e frontale me shumë pozicione, rajone, breza e fronte të dukshëm e të padukshëm, jo vetëm të fushës ushtarake, por edhe të fushave të tjera, nga ku rrjedhin burimet apo mjetet mbështetëse, politike, diplomatike, ekonomike dhe ato psikologjike. Pikërisht në këto kërkesa e parime të kohës e situatave që iu krijuan, u mbështet edhe Qeveria e Përkohshme, Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-ës dhe Shtabi i Operacionit “Shigjeta”, në planizimin dhe zhvillimin e veprimeve luftarake të këtij operacioni, që përshpejtuan kapitullimin përfundimtar të Serbisë.

Pas përfundimit të operacionit “Shigjeta”, nisur nga e mira, që të mos lihen gjërat në harresë, e për më tepër, të dokumentohen disa nga përfitimet praktike të këtyre veprimeve operacionale, nga ana e komandës së operacionit, janë hedhur në letër disa konkluzione paraprake, duke i lënë hapësirë historisë në të ardhmën, për një analizë më të thellë e me koka të ftohta, për të nxjerrë konkluzionet e duhura e përkatëse të kësaj dukurie luftarake. Mirëpo, nga shkrime e kujtime të ngatërruara, individë të ndryshëm me dhe pa spaleta, flasin, shkruajnë dhe bile edhe këshillojnë që historia të ndërtohet, ashtu si e duan ata dhe jo ashtu si është zhvilluar ajo vetë. Dhe këtë e bëjnë, sepse duan të sanksionojnë madhështinë e vetvetes. Kështu, ngatërrojnë jo pa qëllim, se kush e planizoi operacionin, kush e drejtoi, kush ishte komandant, cili ishte shtabi i tij drejtues, e si u zhvilluan veprimet luftarake të këtij operacioni. Nëpërmjet këtyre shkrimeve të qëllimshme, është për të ardhur keq, për hapat e pakontrolluar, të hedhur nga njerëz dhe individë që quajnë veten si ushtarak të mëdhenj, por që në fakt, po e zvogëlojnë veten në sytë e historisë reale, duke u shkallëzuar në rolin e një dezertori të kamufluar e dinak.

Shkrimet e këtyre pseudospaletaxhinjve “të mëdhenj”, bien ndesh me realitetin teorik dhe praktik të këtij operacioni. Dosja e operacionit “Shigjeta” është me 200 e ca faqe dhe përbëhet nga disa kapituj, ku me hollësi paraqiten planizimi, ideja, qëllimi, zhvillimi si dhe urdhërat vendimmarrëse. Ka patur individ në luftë dhe në pas luftë, që janë interesuar direkt apo indirekt, për t’u njohur me këtë dosje operacionale. Qëllimi i tyre ka qenë dhe mbetet, që çdo gjë ta vënë në funksion të vetvetes, për t’u bërë madhështor në rrjedhat historike të pasluftës. Por, e vërteta ka qenë e do të mbetet e vërtetë, sepse ajo i takon popullit dhe bijve të tij luftëtar, që ashtu siç ditën të luftojnë në ato ditë të stuhishme e luftarake, me të njëjtën sakrifice, do të luftojnë edhe sot në mbrojtje të historisë së popullit të vet, për ta ruajtur atë krejtësisht të pastër, sepse duke ruajtur pastërtinë historike, ruajmë amanetin e të rënëve, ruajmë ardhmërinë e Kombit Shqiptar./Kumti.com

      03. 05. 2012) – Spiro Butka