Polakët investojnë miliona në xehet e Vushtrrisë

0
133

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) në konferencën e fundvitit ka paralajmëruar një investim serioz në komunën e Vushtrrisë në vitin 2019, ku do të punësohet 150 punëtorë.

Investitor është kompania polake “Bisek”, e cila ka hulumtuar për xehen e magnezitit në Dubovc dhe në Galicë.

Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) në mbledhjen e fundvitit ka paralajmëruar një investim serioz në komunën e Vushtrrisë në vitin 2019. Sipas Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, një kompani e huaj do të investojë në vitin 2019 rreth 7 milionë euro për pesë vjet, ndërsa resurs kryesor është magneziti, por edhe resurset tjera që do të dalin pas hapjes së minierës. Sipas KPMM-së, pritet të punësohen 150 punëtorë.

Gazeta Zeri ka mësuar se bëhet fjalë për një kompani nga Polonia, e cila ka paralajmëruar se do të rifunksionalizojë minierën e magnezitit në Dubovc. Zyrtarët e kësaj kompanie kanë vizituar dy herë Komunën e Vushtrrisë dhe janë dakorduar me zyrtarët komunalë që të fillohet me punët që duhet bërë në riaktivizimin e minierës.

Gjithashtu zyrtarë të kësaj kompanie kanë biseduar edhe me banorët lokalë, tokat e të cilëve do të shfrytëzohen për eksploatimin e xehes.