Pse kjo pari e ligë, pafundësisht po inskenon situata provokuese

0
720

Ashpërsimi i retorikave ndaj muslimanëve, inskenimi i situatave tensionuese dhe provokuese, presioni i shpifësve të organizuar në “mediumeve mercenare”, madje edhe sinkronizimi i aksioneve të institucioneve për zbatimin e ligjit, duket se janë vetëm loja tragjike e këtij pushteti dhe i shërbejnë vetëm e vetëm dramatizimit të situatës dhe zhvendosjes së opinionit të qytetarëve nga dështimet fatale të kësaj klike pushteti që ka uzurpuar gjithçka përveç mendjeve gati të mykura dhe zemrave gati të vdekura të këtij populli durimtar. Kjo bandë që ka përfshi të gjitha pushtetet, për të ruajtur privilegjet e saja nuk kursen asgjë, as qetësinë mendore të qytetarëve ngase mirëqenien vetëm se ua ka shkatërruar qysh më parë.

Fatkeqësia qëndron se inskenimet e fundit të pushtetit po bëhen gjithnjë e më tepër, lojëra të ulëta dhe tepër të rrezikshme, që po cenojnë në çdo formë interesat kombëtare, shtetërore dhe ato të harmonisë dhe diversitetit qytetar të këtij vendi.

Kjo klikë e njerëzve të pa aftë dhe të pa virtyte, asnjëherë nuk e kuptoj zhvillimin shoqëror e as ekonomik, e lerë më atë shkencor e teknologjik. Të pa aftit me plotë ligësi, krijuan vetëm atë që raportuesi i KE e quajti “Kosova: Moçal Korrupsioni”, ky grumbull i pa aftë, jo vetëm që e kanë kthyer prapa në çdo aspekt dhe i kanë humbur të gjitha shanset për zhvillim kësaj shoqërie por, këtë ia paskan këputur “lozën” çdo fare të zhvillimit që të diturit dhe dashamirët e këtij populli e kishin hedhur më parë.

Duke e parë që taktikat e manipulimit të masave po konsumohen dhe nuk po japin efektin e dhënë më parë, kjo klikë po e mbyt mendjen kolektive të kësaj shoqërie me “overdoza” të inskenimeve prej më të ndryshme, duke kombinuar “Kallashin”, radikalizmin, terrorizmin, “eksplozivet” nëpër xhami, KEDS-in, riaktualizon “Stendat”, shkarkon prokurorin “që dëshiron sheriatin”, frikëson qytetarët me virusin Zika, huton me Trepçën dhe doganat, e ku ta di me çka tjetër do të befasohemi në ditët në vijim. Si duket metodat dhe resurset njerëzore po i kombinojnë me fqinjët verior, të cilët para Rambujesë ishin armiq, por nga aty e tutje u bën miq të këtij pushteti.

Krejt kjo për të mbuluar dështimin total në Parlamentin e Këshillit të Evropës, raportin e Freedom House për të shkeljen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë, diskriminimin e drejtësisë Lushtaku vs. Ivanoviç, më herët liberalizimin e vizave, vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin, demarkacionin kufitar, dhe pothuajse çdo segment institucional dhe shoqëror, e ajo më e rëndësishmja humbja e pushtetit dhe fillimi i gjykatës speciale.

Sa më real që e ndjen fundin ky pushtet dhe sa më afër i duket ky fund, “shqelmat që do t’i hanë ky popull” do të jenë më të fortë se asnjëherë më parë. Fatkeqësia qëndron se viktima të para do të jenë grupet komunitare më me pak forcë politike, ato që rëndom të parat sakrifikohen për çdo çështje, qysh nga koha e Fatmir Rexhepit e deri në ditët sotme.

Kjo nuk do të thotë favorizim as i opozitës, pasi me reagime të sotme një pjesë e tyre duket se tregoi gatishmërinë që është ajo e njëjta, që për tu kthyer në klubin e oligarkëve është prapë në gjendje “ta kall” vendin.

Të dashurit populli im, informohuni drejtë dhe të ndryshojmë së bashku. Ngriteni lartë ballin tuaj dhe brenda tij vetëdijen për ta kuptuar realitetin ku po jetojmë dhe të ndryshojmë si individ, të ruajmë familjet tona, ato gjithnjë mbeten fara për ta mbirë përsëri një shoqëri më të mirë.