Tiranë, kryhen 4 transplatet e para falas të veshkave edhe në spitalet jopublike

Ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga drejtori i FSDKSH-së (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), Dr. Astrit Beci, vizitoi sot në mesditë spitalin privat në Tiranë ku janë realizuar 4 transplatet e para falas të veshkave në një spital jo publik.

Ministri Beqaj ndoqi nga afër rezultatet e ndërhyrjeve kirurgjikale falas të transplantit të veshkës për katër pacientët e parë, të cilët kanë përfituar nga paketat e financuara 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pa asnjë kosto shtesë.

Pas fillimit të zbatimit të paketave shëndetësore falas për pacientët që vuajnë nga probleme shëndetësore të zemrës, tashmë, edhe pacientët që vuajnë nga sëmundjet e veshkave, të cilët kanë nevojë për dializë apo transplant të veshkave, kanë filluar ta përfitojnë këtë shërbim shëndetësor falas si në spitalet publike, ashtu dhe ato jopublike.

Ministri Beqaj në fjalën e tij u shpreh se: “këto janë katër rastet e para të transplanteve me financim te plotë nga Fondi pa asnjë pagesë shtesë nga pacientët dhe ne do të vijojmë financimin edhe gjatë këtij viti.” Kostot për përfituesit e këtyre paketave mbulohen 100% nga Fondi, si në rastin e marrjes së shërbimit në spitalet publike, ashtu edhe në ato private.

Ndërkohë, drejtori i FSDKSH, Dr. Astrit Beci tha midis të tjerash tha se “jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund listës së pritjes në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë pacientë, duke theksuar se “do të vijojmë gjithashtu edhe me ofrimin e paketave te tjera të dializës, kardiologjisë, kardiokirurgjisë, etj, si pjesë e realizimit të dhjetë paketave të shërbimeve shëndetësore pa pagesë të financuara nga Fondi”.

Artikulli paraprakKërkimet për avionin AirAsia, deri më tani gjenden 22 trupa të pajetë
Artikulli vijuesSerbia i kërkon Australisë të mos i dorëzojë Kroacisë kapiten Draganin