Ulja e çmimit të naftës, analistët: Është thikë me dy presa

Rënia e menjëhershme e çmimit të naftës është kthyer në kryefjalën e diskutimeve të analistëve në mbarë botën.
Ekspertët janë shprehur se rënia e çmimit të naftës për vendet jo-eksportuese është e barazvlefshme me një reduktim të taksave ndërsa shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaroi se një rënie prej 30% në çmimin e naftës gjeneron një rritje ekonomike prej 0.8% në ekonomitë më të zhvilluara dhe jo eskportuese të këtij produkti.

Pavarësisht këtyre deklaratave duket se situata nuk do të jetë aq pozitive pasi lajmet e këqija kanë filluar të vërshojnë gjatë kësaj jave.

Gjiganti “British Petroleum” ka njoftuar se do të largoje nga puna qindra punonjës si pasojë e një plani ristrukturimi prej 1 miliard dollarësh, një lëvizje kjo e detyruar për shkak të rënies së çmimit të naftës.

Një tjetër gjigant i naftës si “Halliburton” konfirmoi se do të largojë nga puna rreth 1000 punonjës ndërsa “Conoco Philips” u bë kompania e parë amerikane e naftës e cila redukton shpenzimet për vitin 2015.

Sipas ekspertëve shkurtimi i vendeve të punës nuk është masiv dhe do të duhet një rënie e mëtejshme e çmimeve të naftës për ta kthyer këtë produkt në jofitimprures për kompanitë.

Sipas tyre rritja e prodhimit të naftës është kthyer në një element kyç për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

Përgjatë 5 muajve të fundit çmimi i naftës ka rënë me rreth 40% duke u pozicionuar në nivelet më të ulëta të 5 viteve të fundit. (Ora News)

Artikulli paraprakTerrorizëm?
Artikulli vijuesMinistri gjerman: Sulmi mbi Charlie HEBDO është "një sulm ndaj Islamit"