Islami inkurajon për punë dhe zhvillim

Dhënia e Zekatit është një prej pesë shtyllave të Islamit, sepse Islami Zekatin e ka bërë detyrë për çdo mysliman, që ta jap për të varfrin, në mënyrë që ta inkurajojë ndihmën apo lëmoshën dhe njëkohësisht ta dekurajojë kulturën e varësisë, e cila konsiderohet rrënim i dinjitetit njerëzor. Saktësisht, Kurani (Fjala e Allahut të Madhëruar) dhe Syneti (tradita e të Dërguarit të Allahut) kanë treguar rëndësinë e punës dhe ushqimin e familjes nga ai fitim. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Askush nuk ka ngrënë ushqim më të mirë sesa atë që është fituar nga duart e tij” (Buhariu). Kurani thekson rëndësinë e punës në ajetin vijues: Dhe thuaj: “Veproni, All-llahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët, e më vonë do të ktheheni te njohësi i së fshehtës dhe të dukshmes, e do t’ju njoftojë për atë që vepruat. (At-Teube:105) Kurani dhe Syneti tregojnë një interesim të veçantë për mirëqenien e përgjithshme të njerëzve,(1) përderisa qëndrimi unanim i fukahenjve (juristëve islamë) është se mirëqenia shoqërore dhe lirimi i njerëzve nga vështirësitë, është synim kryesor i Sheriatit. Zhvillimi ekonomik apo zhvillimi në përgjithësi duhet të jetë në përputhshmëri me normat e Sheriatit dhe çdo herë në shërbim të njeriut.(2)

Mësimet islame e bëjnë të qartë se individëve u janë dhuruar interesa të ndryshme, talente, aftësi, pozita të ndryshme shoqërore si dhe status ekonomik e pasuri nivelesh të ndryshme. Këto dallime krijojnë kushte për varësi dhe marrëdhënie të përbashkëta. Në të vërtetë, dallimet dhe llojllojshmëritë janë veçori të brendshme të shoqërisë njerëzore. Allahu xh.sh.ka thënë: “A thua ata e përcaktojnë mëshirën (pejgamberllëkun) e Zotit tënd? Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë; Ne kemi dalluar disa në shkallë më të lartë se të tjerët, që të shfrytëzojnë njëri-tjetrin për shërbime. E mëshira (caktimi për pejgamber) e Zotit tënd është shumë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë”. (Ez-Zuhruf: 32)

KRITERI PËR TË MARRË SHPËRBLIMIN BOTËROR, JETESA E NJERIUT VARET NGA PËRPJEKJA E TIJ

Ndonëse Islami e konsideron se aftësia e një individi, interesi apo kapaciteti natyror për kryerjen e punëve të caktuara, janë parapërgatitje, kjo nuk do të thotë që pozita sociale dhe ekonomike e një personi është e paracaktuar. Për më tepër, kriteri për të marrë shpërblimin botëror, jetesa e njeriut varet nga përpjekja e tij. Në të vërtetë, Allahu xh.sh. nuk e ndryshon gjendjen e njeriut (popullit) përveç nëse ata vetë marrin masa për të ndryshuar gjendjen e tyre.(3)

Islami e konsideron Zekatin një obligim, që të fitojë mjetet e jetesës nga puna e vet, dhe i inkurajon ata që t’i ndihmojnë njerëzit që të bëhen të pavarur financiarisht. Në të vërtetë, i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s., ishte vetë tregtar, si dhe disa prej shokëve të tij punuan punë krahu e zeje të ndryshme. Është vërtetuar se, duke punuar për të siguruar të ardhurat e jetesës, njeriu pajiset me dinjitet dhe gradohet me pavarësim, ndërsa lypja e lëmoshës dhe mbështetja në ndihmën nga të tjerë, kur personi ka mundësi fizike që të punojë, konsiderohet poshtërim.

Ka shumë hadithe që theksojnë ose veçojnë rëndësinë e punës, sigurinë në vete, të jesh i pavarur dhe krenar për punën tënde, edhe nëse ajo punë është si pastrues a shërbëtor me të ardhura të vogla, apo edhe nëse ajo punë është e rëndë. Në të kundërtën, lypja e lëmoshës për shkak të pasivitetit dhe përtacisë, konsiderohet degradim dhe është krejtësisht dekurajuese.

Hadithi në vazhdim e ilustron këtë perspektivë: Një njeri në mesin e njerëzve në Medinë erdhi te Muhamedi a.s. dhe i kërkoi pak ushqim. Megjithëse Muhamedi a.s. nuk ishte i gatshëm për të refuzuar një kërkesë për ndihmë, në të njëjtën kohë ai nuk e inkurajoi lypjen dhe varësinë nga tjetri. Prandaj ai e pyeti njeriun: ”A nuk keni asgjë në shtëpinë tuaj?” “Po,” ia ktheu njeriu,- një mbulesë (çarçaf) një pjesë nga e cila ne e veshim, kurse pjesën tjetër ndonjëherë e shtrijmë në dysheme, dhe një enë prej druri, prej së cilës pimë ujë”. ”Sillmi ato këtu”, – i tha Muhamedi a.s.. Ai atëherë i mori gjërat dhe i pyeti disa nga shokët e tij: “Kush dëshiron t’i blejë këto dy gjëra?” “Unë” – tha njëri, – “për një dërhem”. Një tjetër tha: “Unë do t’i marr për dy dërhemë”. Muhamedi a.s. i shiti të dy gjërat për dy dërhemë dhe ia dha njeriut (të hollat) e i tha: ”Me një dërhem bli ushqim për familjen tënde dhe me tjetrin bli një sëpatë e ma sill mua”. Njeriu u kthye me sëpatë. Muhamedi a.s. i vuri një bisht me duart e tij dhe e këshilloi njeriun: “Shko e mblidh dru, dhe unë nuk dua të të shoh për dy javë”. Njeriu shkoi larg, mblodhi dru, i shiti ato dhe fitoi dhjetë dërhemë. Me disa nga paratë e fituara bleu ushqim, kurse me të tjerat bleu rroba. Muhamedi a.s. atëherë i tha: “Kjo është më mirë për ty sesa t’i lejosh (vetes) lypjen, që të të bëhet shenjë në fytyrën tënde në Ditën e Gjykimit”. (Ebu Davudi).

Të njëjtin synim ka edhe një hadith tjetër, në të cilin theksohet: “është më mirë për juve të merrni një litar dhe të pritni dru (nga mali), t’i bartni ato me shpinën tuaj dhe t’i shitni, (si mjet për të fituar të ardhurat tuaja), më mirë se të kërkoni nga një person për diçka, e ai mund t’ju japë ose të mos ju japë”. (Buhariu dhe Muslimi).

Këtu është një përgjegjësi e pastër për sigurinë në vetvete: “ Atë që përmbahet dhe shmang lypjen, Allahu e mbron kundër varfërisë, dhe atë që kërkon apo përpiqet për mjaftueshmëri/ pavarësi, Allahu do ta bëjë në gjendje të pavarur.” (Muslimi).

LËMOSHA NUK ËSHTË (HALLALL) E LEJUAR AS PËR TË PASURIT DHE AS PËR NJERËZIT E AFTË

Është e qartë se Islami përkrah faktin që njeriu nuk duhet të varet nga lëmosha apo ndihma, nëse ai/ajo mund të fitojë mjete jetese të mjaftueshme, për familjen a tijsaj me përpjekje të tij/saj. Muhamedi a.s. ka thënë: “Lëmosha nuk është (hallall) e lejuar as për të pasurit dhe as për njerëzit e aftë” (Tirmidhiu); “Kushdo që ka ushqim për një ditë e një natë, është e ndaluar për atë të kërkojë lëmoshë” (Ebu Davudi) dhe ai që dëshiron të përmbahet nga kërkimi i lëmoshës, do të jetë i mbrojtur nga Allahu, dhe ai që kërkon vetësigurim, do të jetë i vetësiguruar nga Allahu” (Buhariu).

Islami nuk e pranon apo miraton kërkimin e lëmoshës, në mënyrë që njerëzit të mund të ruajnë dinjitetin e vet dhe të zhvillojnë vetësigurinë, megjithëse nëse të varfrit janë në varfëri të skajshme dhe të shtyrë që të kërkojnë ndihmë financiare, atëherë ata konsiderohen të pafajshëm. Në të vërtetë, të gjithë ata që janë të aftë për punë, janë të porositur të punojnë, në mënyrë që t’i fitojnë të ardhurat e tyre. Askush që është fizikisht dhe nga mendja i aftë, nuk duhet të bëhet i varur nga familja e tijsaj.

SISTEMI EKONOMIK I HARTUAR SIPAS ISLAMIT, ËSHTË SISTEMI QË ËSHTË I GARANTUAR PËR SUKSES DHE U PËRSHTATET TË GJITHA KOHËVE DHE TË GJITHË POPUJVE

Ndonëse që të gjitha punët që kryhen, duhet të jenë të dobishme dhe të përputhen me Sheriatin, për besimtarin nuk lejohet të involvohet në ndonjë punë apo biznes që në vete përmban gjëra të ndaluara sipas Sheriatit. Asnjë punë nuk konsiderohet e parëndësishme për sa i përket qëllimit ose shpërblimit a dënimit në ketë botë dhe në botën tjetër. El-Gazali, një dijetar që i takon shekullit 11, duke folur për heshtjet ekonomike dhe rëndësinë e punës, se secili nje
ri duhet të punojë dhe të angazhohet të paktën të mos i bëhet barrë shoqërisë, e ka përmendur rastin e Omerit r.a., tek i cili ka shpjeguar rëndësinë e punës edhe më tutje, duke u treguar njerëzve: “Asnjëherë, asnjëri nga ju nuk duhet të mendojë se duaja (lutja) për ushqim pa punuar, do të bëjë punë, nga qielli kurrë nuk bie ari e as argjendi”.Në të vërtetë, Islami i inkurajon punët, të cilat sjellin ndryshimin e përhershëm të jetës së njeriut. Muhamedi a.s. ka thënë: “Prej punëve që Allahu më së shumti i pëlqen, është puna që zgjat, edhe nëse është e vogël”. (Muslimi) dhe: “ Kur një njeri vdes dhe puna e tij nuk sjell më shpërblime përveçse nga tri gjëra: dhënia e lëmoshës, dituria prej së cilës njerëzit përfitojnë, ose një fëmijë i mirë (fetar), i cili lutet për atë” (Muslimi).

Përkrahja dhe mbështetja ekonomike për qëndrueshmëri, është prej punëve të lavdëruara dhe që meritojnë shpërblim nga i Gjithëmëshirshmi. Të gjithë popujt, pa marr parasysh mbështetjen apo përcaktimin ideologjik, mundohen të arrijnë zhvillim ekonomik, dhe mirëqenia sociale të jetë në nivel të kënaqshëm për popullin e vet. Populli ynë duhet të bëjë të njëjtën gjë, me një prirje dhe vullnet të mirë, për shkak se për një kohë të gjatë ka qenë i privuar nga të drejtat dhe zhvillimet ekonomike për shkaqe politike dhe ideologjike. Zhvillimi ynë duhet të fillojë prej mendjeve, fjalëve dhe veprave, të cilat duhet të jenë në pajtueshmëri me mësimet islame. Sistemi ekonomik, i hartuar sipas Islamit, është sistemi që është i garantuar për sukses dhe u përshtatet të gjitha kohëve dhe të gjithë popujve.

 

Dr. Islam Hasani‏

——————————————

(1) El-Bekare,201.

(2) Muhamad Umar Chapra,Tovards a Just Monetary System, (Leicester: The Islamic Foundation, 1985. fq. 35.

(3) Er-Rra’ad, 11

 

Artikulli paraprakNëse Islami është feja më e mirë, pse atëherë shumë muslimanë janë të pandershëm, mashtrues, merren me mito, shitblerje të drogës, etj?
Artikulli vijuesRealitet apo fushatë politike:Thaçi thotë se mbulesa në shkolla do të lejohet që nga shtatori