Sekretarja Klinton vizitë në Ballkan

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, do të udhëtojë nga data 29 tetor deri më 2 nëntor për në Algjeri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci.

Në një komunikatë për opinion të Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet se sekretarja Klinton do të udhëtojë në Ballkan për të dëshmuar edhe një herë interesimin, përkushtimin dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë rajon dhe të ardhmen e tij në integrimet evropiane dhe euro-atlantike.

Në Bosnjë, Serbi dhe në Kosovë, ajo do të shoqërohet nga shefja e politikës së jashtme te Bashkimit Evropian Catherine Ashton.

Në Prishtinë dhe Beograd, ato do të flasin për çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe do ta ritheksojnë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, se Serbia dhe Kosova duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura dhe të avancojnë në dialogun e tyre, si dhe do t’i inkurajojnë palët në hedhjen e hapave konkret, që do tu mundësojnë të dyja vendeve të përparojnë në rrugët e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në Tiranë, sekretarja Klinton do të theksojë solidaritetin me Shqipërinë, aleate e NATO-s dhe do të marrë pjesë në kremtimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë me një fjalim në Parlament. Ajo po ashtu do të vërë theksin tek nevoja e bashkëpunimit më të fuqishëm politik dhe vendosjen e sundimit të ligjit, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Artikulli paraprakVALA për Kurban Bajram 2 cent thirrjet dhe SMS-të
Artikulli vijuesQytetet e mëdha shkaktojnë stres