Skandalet e Vatikanit dhe ato të Erdoğanit

Sa herë që papa lëviz nëpër botë ose zhvillohet ndonjë takim i nivelit të lartë i organizuar nga Selia e Shenjtë mediat shqiptare janë njëzëshëm altoparlanti përçues i ngjarjeve për publikun tonë, duke mos pasur as nevojën e theksimit të prapavijës fetare, aq evidente në raste të tilla. Për çudi, lajmi keq, që për natyrë përhapet më shpejt dhe tërheq audiencë, nuk gjen kurrë të njëjtën gatishmëri, ndryshe me raportimin e skandaleve të Erdoğanit apo të ndonjë anonimi në Afganistanin e largët, i cili bëhet person publik edhe në Shqipëri sapo martohet.

Këto ditë mediat botërore kanë raportuar vazhdimisht për skandalin më të fundit në Vatikan në lidhje me dy arrestime dhe botimin e librit Avarizia të Emiliano Fittipaldit. Dy arrestimet u cituan në tre fjali nga ABC News, që vetëpublicizohet si lideri i informacionit televiziv shqiptar. Diçka më shumë ofroi Ora News, ku u cituan Fittipaldi dhe gazetari tjetër, Gianluigi Nuzzi, pa hyrë aspak në detajet e skandaleve. Sapo gërmohet pak rreth tyre, zbulohet heshtja totale e mediave shqiptare. Përkundrazi, gazeta më e rëndësishme e Shqipërisë boton një opinion-editorial ku Selia e Shenjtë ofrohet si paralelizëm me Reformën në Drejtësi, kurse i vetmi lajm i nëntorit i lidhur drejtpërdrejtë me Selinë e Shenjtë është çmimi i Elifit të telenovelës akorduar në Vatikan!

Skandalet e publikuara nga dy gazetarët janë rrënqethëse. Tarcisio Bertone, sekretar shteti gjatë periudhës së Benediktit XVI, gati në moshën 80 vjeçare, shpenzon 200.000 euro për të restauruar një papafingo luksi, prej 700 m2, me fonde bamirësie të destinuara për spitalin Bambin Gesù. Më herët, Carlo Maria Viganò, arkipeshkvi i Ulpianës “sonë” në 1992, i famshëm, ndër të tjera, për paratë që i mori motrës Rosanna dhe vëllait Lorenzo (për t’i depozituar në Zvicër), jetonte vetëm në 250 m2. Kjo teksa papa aktual jeton në 50 m2!

downloadDonacionet e mbledhura përmes kanalit Obolo di San Pietro, të destinuara për të varfrit, në fakt grumbullohen në një fond jashtë bilancit, që llogaritet në 400.000.000 euro. Cikërrima: kori i Cappella Sistinas, në kohën e Benediktit XVI, shpenzonte 1.600.000 euro në vit; Radio Vatikani merr 26.000.000 euro në vit; dita e lumturimit të Antonio Rosminit ka kushtuar 375.000 euro.

Nuk përbëjnë interes mediatik këto lajme më shumë ose po aq sa “Zonja Erdogan bllokon një rrugë në Bruksel për shoping”, siç raportonte Mapo para një muaji? Duke e konsideruar nga aspekti i interesit komercial, skandalet e mësipërme do të tërhiqnin vëmendjen më së paku për paradoksin: nga njëra anë Françesku I nënvizon jetën e thjeshtë, nga ana tjetër prelatët jetojnë në luks dhe fondet e bamirësisë të investuara në industri e financë janë marramendëse. Më siguri do të ishin më informuese dhe interesante se: “Papa Françesku nuk e mban dot të qeshurën”, “Papa bën vetë pazar për syzet e reja”, “Papa Françesku lutet para Velit të Shenjtë të Torinos”, “Sikur të mësonin nga Papa politikanët tanë…”, “Mos u shumoni si lepuj”! Çfarë nënkupton Papa?”, “Papa pengohet gjatë ngjitjes në avion por askush nuk e ndihmon”.

Mund të jetë interesant lajmi me shqiptarin në New York që bën një picë me imazhin e papa Françeskut I, por qindra milionë euro fonde të mjegullta të një institucioni që vepron edhe në Shqipëri detyrimisht duhet të jenë më të rëndësishme se një picë. Kur publikut i përcillet me 6 nëntor (pasi skandali po bën bujë në mediat botërore) mesazhi i Papës “S’mund të flasim për të varfrit dhe të jetojmë si faraonë”, nuk mund të mos pasqyrohet qoftë edhe një minimum rreth faraonëve të Selisë, përndryshe është manipulues titulli “Papa i të varfërve në pallatin luksoz” referuar (përsëri!) Erdoganit. Fundja, jo për etikë gazetarie se sa për interes komercial, ose për t’i shmangur vetes imazhin e shndërrimit (prej kohësh tashmë) në antenat laike, private dhe made in Albania të Radio Vatikanit. Përballë zellit në përhapjen e skandaleve, kritikave, sulmeve e denigrimeve të lidhura me komunitetin islam e ortodoks vezullon jo edhe aq një komunitet i përkëdhelur se sa shëmtia e pushtetit të gazetarisë shqiptare, mes degradimit shumëdimensional.

E-zani

Artikulli paraprakSiri: Avionët rus vrasin mbi 40 njerëz
Artikulli vijuesBombardimi i Sirisë: Qindra njerëz në rrugë të Evropës