Charlie Hebdo nuk kursen as Ajlanin e mbytur: edhe kjo është liri shprehjeje?

Nga Bujar M. Hoxha

Në numrin e saj të fundit, revista satirike franceze Charlie Hebdo ka guxuar t‘i kushtojë dy karikatura fëmijës sirian të mbytur në brigjet turke. Ndërsa vetë revista nuk ka caqe e principe në zgjedhjen e objektivit të vet, ironia në dy skicat fshikulluese është tejet therëse.

Në skicën e parë është pamja e fëmijës me kokën poshtë në rërë, dhe sipër janë fjalët, “Si près du but…”, që do të thonë, “Aq pranë synimit të tij”. Ndërsa në ballë gjejmë diçka nga McDonald’s, ku shkruhet në frëngjisht: “Dy menu fëmijësh për çmimin e njërës”.

Mund ta komentosh në shumë mënyra këtë karikaturë, ama kontrasti ulëritës mes fëmijës së mbytur dhe promocionit të restorantit të famshëm fast-food nuk ka dyshim se nuk është qëllimmirë! Qesëndisja është e qartë!

first-drawing

Ajlan Kurdi preku dhe zemrat më të ftohta, duke nxitur një valë përkrahjeje të pashembullt për refugjatët, posaçërisht për ata sirianë. Por duket se nuk ka ndodhur kështu me punonjësit e Charlie Hebdo-së, që e kanë parë mbytjen e tij si mundësinë më të mirë për të spikatur edhe një herë tjetër në tregun mediatik.

Në karikaturën e dytë, në të cilën mund ta përdorësh imagjinatën si të duash, lexojmë në krye, “Prova se Europa është kristiane”. Në njërën anë të skicës është portreti i një mashkulli me mjekër, i supozuar të jetë Jezusi, që qëndron mbi ujë e thotë, “Krishterët ecin mbi ujë”. Në dallim me të, në krah të tij shihen vetëm këmbët e një fëmije, me trupin të fundosur në ujë. Pamjen rrëqethëse e shoqërojnë fjalët, “Fëmijët muslimanë mbyten”.

Për të mos i ngrënë hakun, ai që i ka bërë këto dy karikatura është treguar shumë mendjemprehtë, pasi ka lënë vend për mëdyshje të thellë në nxjerrjen e kuptimit të tyre. Kështu që ca mund ta interpretojnë si tallje me fëmijën fatkeq, e ca të tjerë mund ta shohin si shpoti ndaj sjelljes së një pjese të europianëve karshi refugjatëve.

Sidoqoftë, në çdo rast, revista, ashtu si shumë herë të tjera, nuk kursen askënd, as dhe Ajlanin e mbytur, në misionin e vet, çfarëdo qoftë.

A duhet të shkojë kaq larg liria e shprehjes, kjo është çështja. Ngjan se Charlie Hebdo-në nuk e ha meraku për kufij, si për ato të etikës dhe të moralit.

Kësisoj, a ia vlen të thuash, “Je suis Charlie”?

Artikulli paraprakKryetari Sadiki mori pjesë në konferencë ndërkombëtare të komunave në Stamboll
Artikulli vijuesXhugumanov: Kriza e refugjatëve do ta fus Maqedoninë në NATO