Mësuesi i shekullit XXI

Zhvillimet teknologjike nuk mund të lënë pa prekur edhe mënyrën e mësimdhënies. Ndoshta ka ardhur koha që nxënësit të mësojnë se pajisjet teknologjike mund të përdoren për më shumë gjëra kreative sesa thjesht komunikimi.

Nga Tsisana Palmer*

Përparimet e fundit teknologjike kanë prekur shumë aspekte të jetës sonë: Mënyrën se si ne komunikojmë, bashkëpunojmë dhe sigurisht se si mësojmë. Në bazë të këtyre zhvillimeve, edhe fjalori ynë duhet zgjeruar, duke “prodhuar” përkufizime të reja, si për shembull “të lindur digjitalë”, “emigrantë digjitalë” dhe sigurisht “mësuesi i shekulli XXI”.

Ndërsa po shkruaj këtë artikull, po përpiqem të kujtoj nëse ndonjëherë kam dëgjuar përkufizime të tilla si “mësuesi i shekullit XX” apo “mësuesi i shekullit XIX”. Një kërkim i shpejtë në Google më tregon se togfjalësha të tillë nuk ekzistojnë. Por, duke e ndryshuar kërkimin nga “XX” në “XXI” do të shfaqen shumë rezultate: Shkolla e shekullit XXI, arsimimi i shekullit XXI, mësuesi i shekullit XXI, aftësitë e shekullit XXI e shumë të tjera.

Natyrisht, të mësuarit në shekullin XXI është diçka krejt e ndryshme. Asnjëherë më parë nuk mund të mësohej në mënyrën që po ndodh tani – kudo, në çdo kohë, mbi çdo temë të mundshme dhe me anë të çdo lloj metodologjie të të nxënit. Por çfarë do të thotë realisht një mësues i shekullit XXI? Më poshtë renditen disa karakteristika që duhet të kenë mësuesit e shekullit XXI.

Fokusi është nxënësi nëpërmjet këshillave të personalizuara

Duke qenë se studentët kanë akses në një rrjet të gjerë informacioni, nuk ka nevojë “ta përkëdhelësh” dijen apo t’i mësosh të gjithë njëlloj. Për sa kohë nxënësit kanë personalitete dhe nevoja të ndryshme, ofrimi i këshillave të personalizuara nuk është vetëm i mundshëm, por edhe i dëshirueshëm. Kur nxënësit lejohen që të marrin vetë vendime, ata do ta zotërojnë dijen e tyre, do t’u rritet motivimi dhe do të bëjnë më shumë përpjekje për të arritur rezultate.

Studentët si prodhues

Nxënësit sot disponojnë pajisjet më të fundit teknologjike, e megjithëkëtë, rrallë përdorimi i tyre shkon përtej komunikimit me shoqërinë dhe familjen përmes telefonatave dhe chatimit. Edhe pse sot ata shihen si të lindurit digjitalë, shumë prej tyre janë larg të prodhuarit në mënyrë digjitale. Në shumë klasa, nxënësve u kërkohet që të fikin celularët apo pajisjet e tjera teknologjike që kanë dhe të përdorin letrën për të bërë detyrat e tyre. Fatkeqësisht, shpesh herë këto letra hidhen tutje dhe asnjë nuk i sheh më. Por, nëse studentëve u jepet një shans për të punuar me pajisjet teknologjike, ata mund të krijojnë në mënyrë kreative blogje, filma apo histori grafike, të cilat mund t’i ndajnë edhe me të tjerët.

Bëhuni globalë

Nëpërmjet këtyre pajisjeve inteligjente, mund të mësoni për vende dhe popuj të tjerë në pak minuta. Sigurisht që librat mësimorë janë ende eficientë, por nuk ka asgjë më të bukur se sa të mësosh gjuhë të huaja, të marrësh njohuri për kultura të ndryshme dhe të shkëmbesh eksperienca, duke folur me të tjerë në anën tjetër të botës. Është vërtet një turp, që me gjithë këto pajisje që kemi në dispozicion, ende mësojmë për të tjerët nëpërmjet medieve. Të mësoni studentët se si t’i përdorin pajisjet që kanë në duar për të “vizituar” çdo cep të planetit, do të na bëjë më të informuar dhe më të këndshëm.

Bashkëpunoni

Teknologjia lejon bashkëpunimin ndërmjet mësuesve dhe nxënësve. Të krijosh burime digjitale, prezantime dhe projekte të përbashkëta me mësues dhe nxënës të tjerë do të bëjë që klasa të ngjajë me botën e vërtetë. Ky bashkëpunim duhet ama të shkojë përtej email-ve apo prezantimeve në PowerPoint. Shpesh herë, shumë ide gjeniale nuk shkojnë përtej një kopjeje në letër, çka është një humbje e madhe! Bashkëpunimi globalisht do t’ju ndryshojë gjithë perceptimin tuaj.

Mësim i bazuar në projekte

Në kohën kur studentët kanë akses të palimituar në internet për të gjetur informacione, ekspertët në mbarë botën thonë se të mësuarit me tekstet shkollore është stili i “shekullit XX”. Nxënësit e sotëm duhet të zhvillojnë pyetjet e veta autentike, të sjellin kërkimet e veta dhe të krijojnë projekte përfundimtare, duke i ndarë me të tjerët nëpërmjet atyre pajisjeve që mbajnë në duar. Gjithçka që ata kërkojnë nga mësuesit e tyre është udhëheqje.

Bëhuni inteligjentë dhe përdorni telefonat inteligjentë

Unë si mësuese e anglishtes kam mësuar se nxënësit kanë nevoja të ndryshme kur vjen puna te mësimi i fjalëve të reja. Kështu që nuk ka kuptim të shpenzohet kohë, duke shpjeguar diçka që ndoshta do të jetë e vlefshme vetëm për një ose dy studentë. Në vend të kësaj, të mësosh nxënësit se si të jenë të pavarur dhe të dinë si të kërkojnë për përgjigjet që u nevojiten, e shndërron klasën në një mjedis krejt tjetër.

Unë kam arritur ndryshime pozitive që kur kam filluar t’i shoh telefonat e studentëve si mjete të nevojshme. Shpesh përgjigjem duke u thënë “Nuk e di, përdor Google dhe na e thuaj edhe ne!” Çfarë ndryshimi që ka në reagimet dhe në rezultatet e tyre!

Inovacion

Ju ftoj të zgjeroni mënyrat tuaja të të mësuarit dhe të provoni rrugë të reja, që nuk i keni përdorur më parë. Ashtu siç përmendëm, të ofrosh mësimdhënien përmes rrjeteve sociale apo të zëvendësosh tekstet mësimore me burimet e internetit janë vetëm dy prej shumë mundësive inovative. Jo për hir të mjeteve, por për hir të nxënësve!

*Shkrimi është marrë i shkurtuar nga portali mbi arsimin edutopia.org.

Artikulli paraprakKRONOLOGJI: 4 VJET NGA AKSIONI POLICOR “MONSTRA” (VIDEO)
Artikulli vijues15 gjëra që nuk e keni ditur se mund t’i bëni me ‘Messenger’