Policia e Ballkanit sinkronizon politikat e sigurisë për të luftuar terrorizmin

Vendet e Ballkanit Perëndimor presin që t’u përgjigjen më me gatishmëri kërcënimeve të sigurisë, duke harmonizuar politikat e tyre të sigurisë me ato të BE-së.

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia po përpiqen të sinkronizojnë politikat e tyre të sigurisë me ato të BE-së për të reaguar në mënyrë më të efektshme ndaj terrorizmit dhe kërcënimeve të tjera të zakonshme të sigurisë.

Procesi ka përfshirë reforma të gjera dhe vendosjen e standardeve, duke përfshirë riorganizimin e agjencive të sigurisë, sigurimin e një force punonjëse besnike dhe me etikë shumë të lartë, si edhe implementimin e legjislacionit përkatës.

Roli i BE-së është të monitorojë dhe sigurojë miratimin dhe implementimin e legjislacionit vendas, si edhe të kontrollojë pajtueshmërinë e tij me standardet e BE-së, tha Alesandro Rota, këshillues i çështjeve politike pranë të dërguarit të posaçëm të BE-së në Kosovë.

“Gjithashtu, [roli i BE-së është] të ofrojë kapacitete dhe forcimin e kapaciteteve vendase, duke ofruar asistencë në sektorin e sigurisë dhe në luftën kundër terrorizmit”, tha Rota për SETimes.

Ekspertët thanë se caktimi i një kuadri ligjor dhe rritja e transparencës bazuar në standardet ekzistuese të BE-së është thelbësore për përmirësimin e efikasitetit të agjencive të sigurimit në përgjigjen ndaj kërcënimeve të zakonshme të sigurisë.

Nevoja për të sinkronizuar politikat e sigurisë buron nga realiteti në ndryshim se terrorizmi nuk konsiderohet më kërcënim i nivelit të mesëm, tha Florian Qehajaja, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Kosovës për Studimet e Sigurisë në Prishtinë.

Gjashtë persona u arrestuan muajin e kaluar në Kosovë të akuzuar për terrorizëm dhe armëmbajtje pa leje.

“[Terroristët] i kanë konsideruar këto vende si vende tranziti për të depërtuar në Evropë. Deri tani, grupet me potencial terrorist kanë përdorur pushtet të butë për të shtrirë influencën e tyre të karakterit fetar. Por tani, ato janë në pozicion të tillë ku kanë filluar të përdorin forcën si instrument”, tha Qehaja për SETimes.

Sinkronizimi i politikave është i rëndësishëm, sepse vendet e Ballkanit Perëndimor luajnë një rol të konsiderueshëm në ruajtjen e sigurisë evropiane, tha Andreja Bogdanovski, një studiues i lartë në institutin kërkimor Analytica në Shkup.

“Këto vende po përpiqen … në të njëjtën kohë të krijojnë një bllok koherent sigurie mbi përmbajtjen evropiane. Së bashku, ata do të luftojnë më mirë kërcënimet e mundshme”, tha Bogdanovski përSETimes.

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ishin pjesë e një projekti të përbashkët të mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili përfshinte studime krahasuese mbi progresin e sinkronizimit.

Çdo vend është përballur me sfidat e veta në implementimin e reformave, tha Besa Luzha, koordinatore projekti për Fondacionin Friedrich Ebert.

“Ata janë në rrugën e duhur, por kanë ende shumë punë për të bërë”, tha Luzha për SETimes.

Lusha tha se procesi i sinkronizimit synon gjithashtu të stimulojë bashkëpunimin rajonal, i cili është veçanërisht i rëndësishëm ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë për anëtarësim në BE.

“Sa më shumë të standardizohen në përputhje me kërkesat evropiane, aq më të përgatitur do të jenë për t’u përballur bashkërisht me sfidat”, tha Lusha.

Çfarë duhet të bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor për të sinkronizuar plotësisht politikat e tyre të sigurisë me ato të BE-së? Ndani opinionet tuaja në hapësirën e komenteve./set

 

Artikulli paraprakDonacionet turke për Serbinë përmirësojnë marrëdhëniet dypalëshe
Artikulli vijuesRritet ndikimi i medies sociale në rajon