Produkte vendore në treg me emrin “Frutat e Kosovës”

0
210

Blerim Shefkiu nga Përlepnica e Gjilanit nuk do të ketë më telashe për gjetjen e tregut për shitjen e pemëve të tij. Ai e ka të sigurt tregun në tërë Kosovën për shitjen e dredhëzave, mollëve edhe kumbullave të tij. Këtë ia ka mundësuar instituti Riinvest, i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) që ka grumbulluar pemëtarët. Të bashkuar nën ombrellën e Unionit të Pemëtarëve të Kosovës ata kanë themeluar një brend të ri.

“Kjo është një ndihmë e madhe për prodhuesit vendorë. Prodhimet tona tani identifikohen, konsumatorit po i ofrohet një siguri më e madhe me të dhënat e detajuara për vendin e prodhimit, prodhuesin dhe kohën e vjeljes. Na kanë ndihmuar edhe me gjetjen e tregut”, thotë fermeri Blerim Shefkiu.

Sipas tij, pemëtarët janë ndihmuar edhe me mjete materiale dhe këshilla profesionale.

“Për neve ka qenë një ndihmë e madhe materiale, por edhe profesionale. Neve na kanë furnizuar me paketime të reja për produktet tona që kanë logon e Unionit”, thotë Shefkiu.

Drejtori ekzekutiv i Riinvestit, Lumir Abdixhiku, thotë se nga kjo javë nëpër marketet e Kosovës, kosovarët do të kenë mundësi të konsumojnë frutat vendore me pamje, paketim e emërtim të ri.

“Instituti Riinvest, i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), pas një angazhimi 18-mujor kanë finalizuar njërin prej aktiviteteve në fushën e hortikulturës e që në esencë ka pasur themelimin e një brendi të përbashkët të prodhimit të frutave vendore, ‘Frutat e Kosovës’. Në këtë periudhë nëpërmjet fascilitimit të bërë nga Riinvest, prodhuesit e frutave kosovare janë bashkuar dhe nën ombrellën e Unionit të Pemëtarëve të Kosovës kanë themeluar një brend të ri”, theksoi Abdixhiku.

Procesi i fascilitimit dhe krijimit të brendit ka pasur tri faza. Në fazën e parë është bërë bashkimi i gjithë përfaqësuesve në zinxhirin prodhues, përfshirë kultivuesit e frutave dhe shitësit e tyre nëpër gjithë Kosovën.

“Rezultati i përbashkët i kësaj faze ka qenë lindja e nevojës për unifikim të fuqive vendore dhe bashkëpunimi më thelbësor në zinxhirin prodhues”, thotë Abdixhiku.

Në fazën e dytë janë zhvilluar standardet e brendit dhe kriteret që duhen përmbushur për gjithë prodhuesit e frutave kosovare që duan të shfrytëzojnë këtë emërtim. Këto kritere tanimë kontrollohen nga Unioni i Pemëtarëve të Kosovës dhe jo çdo frut kosovar mund të shitet me këtë emërtim.

“Janë disa standarde bazike që duhen plotësuar paraprakisht. Faza e fundit është marrë me dizajnimin dhe paketimin e produkteve në fjalë”, theksoi ai.

Abdixhiku konsideron se me një projekt të tillë është rritur vlera e produkteve kosovare të cilat më herët janë shitur pa ndonjë emërtim të veçantë, pa ndonjë kujdes në paketim dhe pa ndonjë standard verifikues të kualitetit.

“Emërtimi i produkteve kosovare me brendin ‘Frutat e Kosovës’ do të lehtësojë identifikimin e produkteve nga konsumatorët dhe rrjedhimisht do të rrisë kërkesën për këto produkte. Konsumimi i produkteve vendore në radhë të parë do t’u ndihmojë prodhuesve kosovar që përkundër çdo vështirësie në ambientin biznesor megjithatë arrijnë të japin kualitet dhe fruta shumë herë më konkurrente se ato të rajonit. Një konsum i tillë do t’i shërbente gjithashtu Kosovës që paratë e konsumit të mbesin brenda e jo të eksportohen jashtë”, thotë Abdixhiku.

Ai beson se krijimi i vendeve të reja të punës në vend mund të bëhet vetëm me fuqizimin e prodhimit vendor dhe me një sjellje më racionale ndaj konsumit të brendshëm./koha/kohaislame