Prokuroria pushon hetimet për krim të organizuar kundër Kamishit

Prokurori special, Faik Halilaj ka vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale të krimit të organizuar që rëndonte mbi deputetin Bekim Haxhiu, dhe të tjerëve. Halilaj ka pushuar hetimin për këtë vepër pak kohë pasi e ka marrë lëndën nga EULEX-i.

Pas këtij vendimi, lënda ka kaluar në Prokurorinë Themelore, e cila ka nxjerr vendim të ri për fillim të hetimeve më 25 mars të këtij viti për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe legalizim të përmbajtjes së pavërtetë. Me këtë vendim, Prokuroria ia ka dhënë vetës edhe dy vjet afat për hetime.

Pak kohë pasi e ka pranuar lëndën nga EULEX-i, prokurori special Faik Halili, ka pushuar hetimin kundër Bekim Haxhiut dhe të tjerëve për veprën penale të krimi të organizuar, ka zbuluar Insajderi.

Ai ka vlerësuar se nuk ka prova për këtë vepër siç kishte vendosur prokurorja e EULEX-it.

Pa këtë vepër penale, lënda me automatizëm ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për vepra shumë më të lehta, siç është shpërdorimi i pozitës zyrtare dhe legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë.

Kjo, prokurori ka nxjerr një vendim të ri për nisje të hetimeve më 25 mars të këtij viti Bekim Haxhiut, Mujë Rugovës, Ismet Shalës, Shkurte Rrecajt, Faton Morinës, Hajrije Hundozit – Hysenajt dhe Isuf Dedushajt.

Kësisoj, Prokuroria ka afat edhe dy vjet për të kryer hetime për këto vepra penale.

Pas raportimit të Insajderit, për rrezikun e mbylljes së kësaj lëndë për shkak të shkeljeve të afateve ligjore të hetimit, Prokuroria e Shtetit ka sqaruar se hetimi i ri i Prokurorisë Themelore të Prishtinës është në vazhdim e sipër.

“Prokuroria Themelore, Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë ka nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve më 25 mars 2016 kundër personave të sipërpërmendur… Hetimi aktualisht është në rrjedhë e sipër”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi.

Kozmaqi, ka sqaruar rrethanat e nxjerrjes së dy vendimeve për hetime në një rast të vetëm penal. Ka thënë se hetimi i parë për veprën penale të krimit të organizuar është pushuar dhe veprat e mbetura janë transferuar në Prokurorinë e Prishtinës.

“Pas hetimeve është nxjerr aktvendim për pushim të hetimeve për krim të organizuar nga Prokuroria Speciale dhe lënda është dërguar në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë”, ka thënë Kozmaqi.

Insajderi ka raportuar se deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ishte pranuar në mënyrë të paligjshme në Universitetin e Prishtinës si asistent i ri. Statuti nuk lejon që kandidatët mbi 35 vjeç të pranohen. Haxhiu i njohur si Kamishi, ishte 41 vjeç.

Por me anë të ndikimit mbi ish-rektorin Mujë Rugova, Haxhiu dyshohej se kishte përdorur fuqinë për shkeljen e të gjitha kritereve nga ana e UP-së. Kishte arritur që ta ndërronte komisionin e parë që nuk e kishte pranuar në Fakultetin e Mjekësisë në UP. Dyshohet se kishte arritur ta anulonte konkursin e parë dhe kishte anuluar zgjedhjen e dy kandidatëve tjerë. Gjithë këto veprime dyshohet se i kishte bërë falë ndikimit që kishte mbi ish-rektorin Mujë Rugova dhe profesorë tjerë të Fakultetit të Mjekësisë.

Pos këtyre shkelje, Haxhiu kishte prezantuar edhe dëshmi se po doktoronte në një universitet virtual.

Me të njëjtat shkelje ishte pranuar edhe Ismet Shala. Ishte bashkëmoshatar i Kamishit. Të dy ua kishin zënë vendet kandidatëve që plotësonin kushtet dhe ishin shumë më të rinj në moshë.

Insajderi ka siguruar një shkresë të kryeprokurorit të Prishtinës, Imer Beka dërguar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit ditën e raportimit për këtë rast. Aty sqarohet e gjithë procedura pas pranimit të lëndës nga EULEX-i.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me aktvendimin e datës 27 maj 2014 ka filluar hetimin kundër Bekim Haxhiut, Mujë Rugovës, Ismet Shalës, Shkurte Rrecajt, Faton Morinës, Hajrije Hundozit – Hysenajt dhe Isuf Dedushajt për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale krim i organizuar, legalizim i përmbajtjes së pavërtetë dhe shpërdorim të pozitës zyrtare”, thuhet në këtë shkresë.

“E njëjta prokurori më aktvendim të datës 31 gusht 2015 ka pushuar hetimin e filluar, (prokurori Faik Halili), me arsyetimin se krimi i organizuar është kompetencë ekskluzive e kësaj Prokurorie, ndërsa veprat penale Shpërdorim i pozitës zyrtare dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë janë kompetencë e Prokurorisë Themelore të Prishtinës”, shkruan më tej.

“Me shkresën e Prokurorisë Speciale të 31 gushtit 2015 lënda penale është dërguar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës”.

Veprimet kriminale që vlerësoheshin nga prokurori i EULEX-it si “krimi i organizuar” përshkruheshin në detaje. Prokuroria dyshonte se Haxhiu, Rugova, Shala dhe Hundozi-Hysenaj janë në lidhje të ngushtë me njëri-tjetrin që nga viti 2011.

Zyrtarët e UP-së, dyshoheshin se në mënyrë të kundërligjshme kaishin anuluar konkursin e parë me të kuptuar se Haxhiu nuk është zgjedhur asistent. Pos kësaj ndërrohet edhe komisioni.

“Si shpërblim, Hundozi-Hysenajn e promovuan në pozitën e zëvendës dekanes në Fakultet, pikërisht me ndihmën e Mujë Rugovës dhe Bekim Haxhiut, i cili ka përdorur pozitën e deputetit dhe anëtarit të PDK-së (pjesë e së cilës ishte edhe Rugova para se të bëhet Rektor)”, thuhet në vendimin e Prokurorisë./insajderi/

Artikulli paraprak10.7 milionë euro për shpenzime të udhëtimit
Artikulli vijuesShpendi, i gatshëm t’i prijë alternativës qeverisëse te opozitës