Sportistja e parë amerikane me hixhab fiton medalje bronzi në Olimpiadë

0
249

Ibtihaj Muhammad (30), është sportistja e parë amerikane me hixhab në Lojërat Olimpike, si pjesë e ekipit amerikan të skermës që ka fituar medalje të bronztë në Rio de Janeiro, raporton Anadolu Agency (AA).

Muhammed, me bashkëlojtarët Dagmar Wozniak, Mariel Zagunis dhe Monic Aksamit në ekipin e skermës mundi ekipin Italian me rezultat 45:30.

Ajo para Olimpiadës shfaqi shpresën se do të bëhet atletja e parë amerikane me hixhab që do të garojë në Olimpiadë. “Shpresoj se përmes përvojës sime në Lojërat Olimpike, fitimit të medaljes dhe guximit, do të thyhen steriotipet dhe keqkuptimet për muslimanët, afro-amerikanët dhe gratë në përgjithësi”, tha Muhammad.

Pjesëmarrjen e Muhammad në Olimpiadën në Rio e lavdëroi edhe bashkëlojtarja e saj Wozniak, e cila është me origjinë nga Polonia. “Ky është sport. Nuk është me rëndësi çfarë flokë keni, çfarë religjioni jeni, puna qëndron në atë që të shkosh në fushë dhe të jesh sportistja më e mirë që mund të bëhesh. Ne më së miri prezantojmë atë që vërtetë është Amerika, përzierje e racave dhe kulturave të ndryshme”, porositi Wozniak.