50 hijet e atyne që bahen marak për "BURRAT E MESJETËS"

Do ditë para, publikova nji shkrim: Lehtësia e të qenit e lirë në botë burgu. Për ta kam menue me ditë, e kam ba me dashni të madhe, aniqë ca miq t’mijë e morrën për limonatë. Nuk më çudit kjo ma, sepse e kuptoj që në tanë këtë zallamahi sherresh e hallesh, “me fol për gratë” asht luks i madh; gjellë pasanikësh!
Dje, mbas nji muaji të plot agjënimi, ata që sakrifikuen vetën prej ushqimit e pijes, me nijet për afrim me Krijuesin, pastrim e udhëtim shpirtnor, për përjetime të brendshme e të jashtme, kanë patë festë, si me thanë kanë patë ditë të gëzueme. 
Për vete, këto ditë i kam shijue e i kam vujtë i trohë prej temperaturave të nalta. Po sa herë m’binte n’men që sa e sa njerëz e kalojnë stinën e motin pa vu nji kafshatë në gojë, a i pikë ujë në buzë, më vijke turp prej ligësisë tem! Thanë pak ma nrysh, në këtë muej; njeriu përvec se lartësohet nga nevojat gati kafshërore, poashtu i nxen do valë të forta përjetimi.
Me u kthy aty prej ku u nisa; 
N’shoqënine tonë me plot paragjykime, lajme të rreme e andrra të kota, nuk m’duket e pabesueshme që njerëzit i mshelin dy sytë dhe zhyten në injorancën e tyne. S’do mend që në Kosovë ka mijëra probleme ekonomike, politike, sociale e kulturore. Në nji vend ku pothuaje kurrgja s’asht tue ec qysh duhet; DUHET domosdo me kuptu që E KEQJA nuk ka as fe, as gjuhë, as komb, as ngjyrë.
Me të vërtetë, shumë burra e kalojnë jetën si me qenë skllavopronar. Ata dalin n’syth t’lindjes së diellit, e kthehen n’muzg vonë. Ata s’i njohin gratë e as fmijtë e vet. Ata s’kanë men as sy me këqyr ma larg se stomaku! Këta burra; i takon kudo. Në Amerikë, në Australi, në Gjermani, në Francë, në Kinë, kudo, kudo, kudo!!!! 
Burra që grun e shohin vec si objekt; ka plot. Burra që grun e “privatizojnë” ka sa të duash.
Por, megjithkëtë në nji kohë kur zjarrit i asht hedh benzinë me ton’ duhet me u menue fort para se me nxjerrë fjalë që vrajnë, ofendojnë e keqinformojnë. Tendenca me përgjithësue e stigmatizue asht e ulët. Tendenca e “gjetjes së armikut” asht po aq e damshme.
Kushdo që niset me luftue për shoqni t’paqt, t’mirë, t’hapun, t’drejtë, t’barabartë, t’edukume e t’civilizume s’falet kur përjashton do tjerë’ apo kur i hedh llafet me t’cilat “ndërton” realitete të paqena edhe “iluminon” tjerët! Aq ma tepër, kur soji i gazetarëve të tillë, me nji paragraf të shkarravitun, pretendon se i ka gjuejtë në nji thes të tanë burrat!!!!
Gratë kanë mijëra sfida para vetës. E sfida ma e madhe o vetja e tyne, jo tamli me oriz e bakllava. Ky sistem i degradum; ka me mjellë shumë idhnim tuj përgjithësue e tuj i dhanë hapsirë gjithësekujt më u ba intelektual, gazetar, profesor, shkrimtar …
Nxirrni dritë prej territ!!! :))

Fjolla SPANCA

Artikulli paraprakReagim ndaj ofendimit të Artan Haraqisë
Artikulli vijuesBajrami dhe kuptimi shumëdimenzional i tij