Veçantitë e diturisë së Teuhidit (njësimit të Allahut):
1. Origjina e tij është Shpallja hyjnore: Kurani dhe Suneti, pra Allahu adhurohet vetëm në atë mënyrë që Ai e ligjësoi.
2. Obligimi i parë dhe i fundit për çdo njeri përgjegjës, është shqiptimi i dy Dëshmive, siç thotë Allahu i Madhëruar: “ Dhe adhuroje Zotin tënd, derisa të vijë vdekja.” (El-Hixhr: 99)
3. Çelësi i thirrjes së të gjithë profetëve është pikërisht thirrja në Teuhidin e Allahut, Një dhe të Vetëm: “Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj më adhuroni (vetëm) Mua!” (El-Enbija: 25)
4. Teuhidi është dituria më e madhe dhe më themelore në krahasim me fetë e tjera, prandaj imam Ebu Hanife librin e tij në të cilin përmblodhi bazat e fesë do ta quante “Fikhu el-ekber”, (Dituria më e madhe).
5. Teuhidi është garanci për mbrojtjen e jetës, nderit dhe pasurisë. Asnjëherë nuk mund të arrihet lumturia në Dynja dhe Ahiret pa Teuhidin. Allahu i Madhëruar thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl: 97)
6. Pranimi dhe saktësia e adhurimeve është në varësi të Teuhidit, Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Unë jam vetëm një vdekatar si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot I Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos I shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (El-Kehf: 110)