VV: Ndërtimet e egra në Skenderaj ndihmohen nga pushteti

Qeverisja lokale në Skenderaj përveç që nuk është treguar asnjëherë transparente përballë qytetarëve të saj sa u përket përgjegjësive dhe llogaridhënies, ajo vepron mbi ligjin. Shumë qytetarë, shoqëria civile dhe mediat, ishin të pranishëm para disa vitesh kur është prezantuar plani rregullativ i qytetit.

Ky plan ka qenë deri vonë edhe në faqen zyrtare të Komunës, e tanimë nuk është, dhe qartësisht shihet për secilën zonë urbanistike çfarë ndërtimesh mund të bëhen në to. Sipas këtij plani, vetëm në zonën A, që nënkupton qendrën e qytetit, lejohet ndërtimi P+5. Ndërsa, zonat e tjera nuk e kanë këtë mundësi, thotë përmes një kumtese Vetëvendosje.

Kur thuhet që qeverisja lokale, e me konkretisht Drejtoria e Urbanizmit, vepron mbi ligjin, nënkupton se shumica e ndërtimeve të larta tejkalojnë këtë lartësi dhe asnjëherë nuk është vërejtur se kanë vepruar as inspektorët, as kjo drejtori.

Disa herë e kemi ngritur këtë shqetësim në Asamblenë Komunale dhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit vetëm i është shmangur përgjigjes. Pikërisht në sheshin “Adem Jashari” janë ndërtuar disa objekte të larta deri edhe në njëmbëdhjetë kate, pa leje ndërtimi. pra, përveç mungesës së lejes së ndërtimit, nuk i përshtaten as planit rregullativ të qytetit. Po në këtë zonë ku ndërtimet e larta kanë marrë hov, është pikërisht firma “Rukolli”, që gjithashtu e tejkalon këtë planin rregullativ.

Në rrugën “28 Nëntori” ndërtesat e larta jo vetëm që janë ndërtuar jashtë rregullave të planit, por edhe janë ndërtuar nga tri kate pa leje ndërtimi. Për të gjitha këto parregullsi është e njoftuar qeverisja lokale, e cila jo vetëm që nuk i ndalë por përkundrazi ua mundëson një gjë të tillë. Të gjithë ata që merren me ndërtime të larta, janë të afërt me pushtetin lokal, ose janë pjesë e pushtetit. Inspektorati komunal intervenon në raste të rralla, vetëm te disa gjera të imëta sa për të mos thënë se nuk vepron fare. Ka vepruar vetëm atëherë kur kanë qenë në pyetje disa biznese të mesme dhe të vogla, kur me dhunë ua kanë prishur lokalet dhe i kanë detyruar të shkojnë në tregun e gjelbër, treg ky që është pronë e vëllait të Sami Lushtakut, si dhe tek toka e Komunës që është e dhënë me koncesion. Në këtë rast inspeksioni pati vepruar me njësi speciale të policisë. Ndërsa në rastet kur gjithçka ia prish pamjen qytetit, për përfitime personale të njerëzve të pushtetit, nuk kanë vepruar asnjëherë, thotë ndër të tjera kumtesa./Koha

Artikulli paraprakJaponi, pesë persona vriten nga një sulmues me thikë
Artikulli vijuesVitia dhe Kllokoti po përballen me vërshimet