Një 16-vjeçare, nxënëse e shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë ka humbur jetën në një aksident rrugor, në Shupkovc të Mitrovicës, të hënën në orët e pasdites.
Ajo ka marrë plagë vdekjeprurëse, në momentin kur është goditur nga një veturë në lëvizje dhe e kishte hedhur 10 metra larg vendit të aksidentit.
Dëshmitarët kanë thënë, se viktima sapo kishte zbritur nga një veturë taxi dhe në momentin që kishte zbritur e kishte goditur një veturë që lëvizte me shpejtësi të madhe, në rrugën rajonale Mitrovicë-Prishtinë, në Shupkovc.
Toger Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, duke konfirmuar rastin, tha se viktima është dërguar në spital pa shenja jete, raporton “Zëri”.
Ai shtoi se policia ka dalë menjëherë në vendin e aksidentit dhe ka kryer ekspertizën, ndërsa nuk ka njoftuar, nëse shkaktari i këtij aksidentit fatal është prangosur.