Prokuroria: Burg të përjetshëm për Frrokun

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Arben Frrokun.
 
Ky i fundit akuzohet se ka vrarë kryekomisar Dritan Lamajn.
 
Kjo është pretenca e prokurorisë prej 70 faqesh për të akuzuarin kryesor të vrasjes së komisar Lamajt.
 
Avokati i Frrokut, Genc Gjokutaj, tha se nuk është provuar që Frroku është autori i krimit.
 
Arben Frroku nuk ishte i pranishëm në këtë seancë, por prokuroria ka kërkuar që Arben Frroku të vuajë dënimin në një burg të sigurisë të lartë dhe se në bazë të provave Frroku është autori i vrasjes së Lamajt.
 
Ndërsa avokati mbrojtës tha se klienti i tij nuk ka lidhje me ngjarjen.
 
“I pandehuri ka ardhur në çdo seancë, sot është dëshira e tij të mos vijë. Ai do të jetë në seancën e mbrojtjes, mund të bëjë deklarimin e tij. Është ngjarje e rëndë dhe duhet të hetohet si e tillë, por klienti im nuk ka lidhje me ngjarjen,” tha Gjokutaj.
 
Procesi gjyqësor ndaj Frrokut nisi rreth një vit më parë, ndërsa Lamaj u ekzekutua më 24 shkurt në 2013.
 
Arben Frroku nuk e ka pranuar akuzën, ndërsa ka deklaruar se ditën e ngjarjes ai ishte në Kapshticë pasi po shkonte në Greqi. Për të rrëzuar këtë alibi, gjykata bëri edhe eksperimentin për të vërtetuar se sa orë duhet për të mbërritur në pikën e kalimit kufitar nga shtëpia e Dritan Lamajt.
 
Arben Frroku akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim, dhe mbajtjes së armëve luftarake.
 
Historia e Frrokut merr një rëndësi tjetër, për shkak se vëllai i tij, deputeti Mark Frroku, dyshohet se është përfshirë në një krim. Ai mendohet se ka fshehur një të shumëkërkuar në makinën e tij.
 
Frroku akuzohet nga deputeti Tom Doshi se ka qenë ai i pari që i ka dhënë lajmin e komplotit për vrasjen e tij.
 
Frroku e ka mohuar këtë gjë, por Doshi dhe Dritan Prifti thonë se Frroku është ‘i kapur’ për shkak të historisë së vëllait dhe të të dyshuarit për trafik droge në makinën e tij.
Artikulli paraprakEdhe një hafëz në trojet shqiptare
Artikulli vijuesSerbia arreston për herë të parë të dyshuar për masakrën në Srebrenicë