Në kryeqytetin e Republikës së Afrikës Qendrore, Bangui përsëri janë hapur 10 xhami pas ndërprerjes së dhunës në rajon, ndërsa popullsia muslimane ka filluar të kthehet në shtëpitë e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në këtë vend dhuna u përshkallëzua në dhjetor 2013. Që atëherë, kanë humbur jetën të paktën 5.000 persona dhe qindra njerëz, kryesisht muslimanët u shpërngulën. Nga përleshjet midis muslimanëve dhe të krishterëve në Republikën e Afrikës Qendrore janë shkatërruar 417 xhami, prej 436 sa ishin në total.
Njëri nga imamët më me ndikim në vend, Aliou Ousseini tha se 10 xhami në dy javët e kaluara përsëri janë hapur për besimtarët.
Forcat e Kombeve të Bashkuara (OKB), dhe trupat ushtarake franceze intensivisht janë angazhuar për të vendosur stabilitetin në vend. Në Republikën e Afrikës Qendrore, një vend shumë i varfër ku jetojnë 4,6 milion banorë, është prezente edhe dhuna në mes të komuniteteve etnike dhe fetare, ku të krishterët përbëjnë 80 përqind dhe muslimanët janë 20 përqind e popullsisë.