Ai ka thënë se secila prej këtyre partive kur ka ardhur në pushtet është kujdesur jo ta forcojë shtetin, por ta forcojë vetveten, partinë.
Akademik Rexhep Qosja, në këtë intervistë dhënë “Epokës së re”, ka shprehur nevojën e themelimit të një partie të re. Ai ka thënë se secila prej këtyre partive kur ka ardhur në pushtet është kujdesur jo ta forcojë shtetin, por ta forcojë vetveten, partinë. Sipas tij, forcimi i partisë e jo i shtetit ka sjellë të keqen e quajtur nepotizëm, të keqen e quajtur korrupsion, të keqen e quajtur krim i organizuar. “E quaj të rëndësishëm krijimin e një partie të re, me program që do të ndryshonte thelbësisht prej programeve të partive të tjera, madje me një pjesë të madhe të tij, edhe prej programit të Vetëvendosje!-s”, ka thënë Qosja.
Akademik Qosja në këtë intervistë ka folur edhe për mbledhjen e dy qeverive që është mbajtur të hënën në Tiranë. “Kam folur për këtë çështje në disa raste, prandaj nuk do të doja t’i përsëris ato që kam thënë. Këtë herë po mjaftohem ta them vetëm një fjali: do të dëshiroja që dy qeveritë të kenë kujdes. Mosideja e madhe e krijimit të hapësirës gjithëkombëtare politike, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, shëndetësore të mos bëhet estradë, që do të tregohet e bukur me retorikë, por e varfër me përmbajtje”, është shprehur Qosja.
Qosja ka folur edhe për 100-ditëshin e Qeverisë Mustafa, për të cilin 100-ditësh thotë se do të mbahet mend për gjithçka. “E para, 100 ditët e kësaj qeverie i kujtoj për arsye të shpërnguljes së njëkohshme të një numri të madh, dhembshëm të madh, të shqiptarëve në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian…”, ka thënë Qosja, duke e kritikuar kryeministrin Mustafa për deklarata fyese që po bën. Ai i ka kritikuar Mustafën, Thaçin, Haradinajn dhe Krasniqin se po i lënë shumë e shumë familje pa asnjë të ardhur, po i detyrojnë ta lypin shpëtimin në rrugët e Evropës!
Duke folur për punën edhe të opozitës për këto 100 ditë, Qosja ka thënë se opozita e sotme në Kosovë është shumë e hollë, prandaj edhe roli e ndikimi i saj janë më modestë se ç’dëshirohet.
E për formimin e Gjykatës Speciale, Qosja ka thënë se është një padrejtësi politike që i bëhet Kosovës prej atyre që kanë vendosur ta formojnë.
Akademik Qosja e ka komentuar edhe deklaratën e Azem Vllasit. Qosja ka thënë se Azem Vllasi do të duhej ta dinte, si bashkëkohës i demonstruesve, se parulla qendrore e tyre ishte “Kosova Republikë”. Qosja në këtë intervistë ka folur edhe për mundësinë nëse Hashim Thaçi do të bëhet president sipas marrëveshjes me LDK-në dhe për të ardhmen e PDK-së.