Federata e Atletikës së Kosovës pranohet në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës

Nga sot, Federata e Atletikës së Kosovës është anëtarja më e re e Federatës së Atletikës Ndërkombëtare (IAAF), bëhet e ditur në ueb faqen zyrtare të institucionit më të lartë botëror të këtij sporti, transmeton Anadolu Agency (AA).
 
Ky vendim u mor në mbledhjen e 198-të të Kuvendit të IAAF i cili po mbahet në Pekin, ku delegatët e këtij institucioni e kontrolluan aplikacionin e Kosovës për pranim dhe vendosën se Kosova i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e re e familjes botërore të atletikës.
 
Kështu, Federata e Atletikës e Kosovës është anëtarja e 214-të e Federatës Botërore të Atletikës dhe pas 25 viteve të izolimit sportiv, atletëve të Kosovës iu hapën dyert e pjesëmarrjeve në garat ndërkombëtare të mbretëreshës së sporteve.
 
Me këtë rast, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka uruar anëtarësimin e Federatës së Atletikës të Kosovës në IAAF, duke falënderuar të gjithë ata atletë dhe punëtorë të atletikës të cilët, me vite, kanë punuar në mbijetesën e këtij sporti në kushte të vështira dhe kanë mundësuar arritjen e këtij qëllimi
 
“Iu dëshiroj mbarëvajtje dhe korrje të rezultateve sa më të mëdha, atletëve e atleteve, në garat dhe ngjarjet që do të marrin pjesë. Ndërkombëtarizimi i atletikës përbën një lajm të jashtëzakonshëm dhe tepër të rëndësishëm, ngase sporti i atletikës ka një traditë në vendin tonë. E në anën tjetër, kësaj federate i janë hapur dyert për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare, duke e përfaqësuar Kosovën në mesin e vendeve tjera të botës” thuhet në urimin e ministrit të Sportit, Kujtim Shala.
 
Sipas tij, anëtarësimi i atletikës kosovare në IAAF është edhe një hap përpara në procesin e ndërkombëtarizimit të plotë të sportit kosovar dhe inkurajim për angazhim më të madh në përmirësimin e infrastrukturës sportive të atletikës.
Artikulli paraprakFAO paralajmëron për krizë ushqimi në Jemen
Artikulli vijuesZëdhënësi i Vatikanit, Lombardi: I marrim në konsideratë reagimet e Turqisë