Shqipëri, Urdhër-Arrest për pronarin e Agon Channel, akuzohet se pastroi miliona euro

Prokuroria e Tiranës sekuestron 60 për qind të aksioneve të kompanisë “AgonSet”, e cila zotëron televizionin Agon Channel në Shqipëri dhe lëshon urdhër-arrest për administratorin e saj, Francesco Beccheti.
 
Bashkë me kompaninë mediatike, Prokuroria sekuestroi edhe shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400 KV” dhe “Fuqi”, të drejtuara nga Beccheti, nëna e tij Liliana Condomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini.
 
Këshilltari për mediat i Prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani tha përmes një deklarate se biznesmeni italian, Beccheti dhe njerëzit e afërm të tij dyshohen se janë përfshirë në një skemë gjigande pastrimi parash, që arrin në miliona euro.
 
Pas një hetimi të nisur në vitin 2014, njësia Task-Force e Prokurorisë së Tiranës i është drejtuar të hënën gjykatës dhe ka marrë miratim për urdhër-arrestin e Becchetit. Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për bashkëpunëtorët e tij.
 
Sipas Prokurorisë, ata akuzohen për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve, të kryer në bashkëpunim më shumë se një herë” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 287 të Kodit Penal.
 
Prokuroria tha se skema e pastrimit të parave fillon me koncensionin për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, për të cilin Beccheti dhe nëna e tij janë përfshirë në një marrëdhënie financiare si koncesionar-kontraktor.
 
Sipas hetimit, koncensionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Francesco Becchetit ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Condomitti. Nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi i Prokurorisë, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro, të cilat më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre. Prokuroria thotë se një pjesë të parave të përfituara nga manovrat financiare ata i kanë depozituar nëpër banka.
 
Nga ana tjetër, Prokuroria thotë se kompania “Energji” i detyrohet drejtorisë së Tatimeve 770 milionë lekë detyrime të papaguara. Llogaritë e kësaj kompanie janë bllokuar nga Drejtoria e Tatimeve për këtë arsye.
 
Hetimet e Prokurorisë janë shtrirë edhe tek drejtuesja e një banke të nivelit të dytë në Shqipëri, e cila dyshohet se ka lejuar në mënyrë të kundraligjshme pagesa që shkojnë në miliona euro përmes manovrave financiare.
 
Prokuroria tha se po vazhdon hetimet për të zbardhur skemën e plotë të pastrimit të parave nga biznesmeni italian dhe bashkëpunëtorët e tij në biznes.kohaislame
Artikulli paraprakPezullohet hetimi ndaj "BABES"
Artikulli vijuesIndustrite e lashta të naftës – Demat e detit