Për varrezat katolike në Llapushnik, Demaku veproi krye në vete: Ja dëshmitë (Dokument)

Banorët e fshatit Llapushnik të Drenasit po e kundërshtojnë projektin që një parcelë prej dy hektarë e gjysmë të shërbejë për varreza katolike, e ku në të ardhmen mund të ndërtohet një kishë. Një gjë të tillë po e kundërshtojnë banorët e besimit mysliman të fshatit po edhe disa këshilltarë komunal në Drenas, që thonë se Komuna e ka marrë këtë vendim jashtëligjshëm pa e marrë pëlqimin e këshilltarëve të tjerë në Kuvend. Telegrafi ju sjellë e gjithë kësaj çështjeje dhe shkeljet që janë bërë.

Krejt ngjarja fillon me kërkesën e banorëve (me 19 qershor të vitit 2009) dhe ish-kryetarit të fshatit Llapushnik, Beqir Thaçi, drejtuar ndërmarrjes publike NPBQ “Drenica” (parcela e cila kërkohej nga banorët, para privatizimit menaxhohej nga kjo ndërmarrje), ku kërkohej ndarja e katër hektarëve tokë, për ndërtimin e lapidarit në dëshmorëve të fshatit të rënë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

 


Mirëpo, ende pa e marrë përgjigjen prej ndërmarrjes NPBQ “Drenica”, respektivisht Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP), llapushnikasit u befasuan më një kërkesë nga komuniteti Katolik i Llapushnikut, drejtuar Drejtoratit për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, i cili kërkon që toka e njëjtë të cilën banorët e Llapushnikut kërkuan të shfrytëzohet për ndërtimin e një memoriali të dëshmorëve, të jepet në shfrytëzim për banorët e besimit katolik të fshatit, pa e specifikuar se për cilat nevoja.

 

 

 

Kërkesa e përfaqësuesve të besimtarëve katolikë të Llapushnikut – Famullia “E Lumja Nënë Terezë” (nënshkruar nga Ismet Sopi, këshilltar i Famullisë) – drejtuar Komunës së Drenasit, bëhet me datën 15 shtator të vitit 2009, që i bie se kjo kërkesë është bërë jo më shumë se tre muaj e katër ditë pas kërkesës së banorëve të fshatit.

Më 1 mars të vitit 2010, Famullia në Llapushnik kërkon nga Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, që në vendin e quajtur Gradina të ndahet një parcelë për ndërtimin e varrezave të këtij komunitetit katolik, ku mund t’i ushtrojnë ceremonitë dhe ritet fetare për të vdekurit, që eshtrat e tyre të pushojnë të qetë në të ardhmen.

 

Për dallim prej herës së parë, ku përfaqësuesit e katolikëve të Llapushnikut kërkuan një hapësirë për plotësimin e nevojave të besimtarëve të tyre, në kërkesën e radhës specifikohen kërkesa e tyre. Këtë herë kjo kërkesë është nënshkruar nga Don Robert Jakaj ,dhe për dallim prej herës se parë, kësaj radhe vula e vendosur mbi nënshkrimin e Jakajt ka mbishkrimin e Komunitetit Katolik Shqiptar, Llapushnik, Drenas.

Kërkesë për plotësimin e nevojave të katolikëve të Llapushnikut – për varrezat – me datën 5 mars të vitit 2010 i është drejtuar kryetar të Komunës se Drenasit edhe nga Administrata Apostolike e Prizrenit

Mirëpo, karakteristikë e kësaj kërkese është se Administrata Apostolike e Prizrenit kërkon që prona në të cilën do të ndërtohen varrezat e katolikëve të Llapushnikut të titullohet me emrin Ipeshkvia e Kosovës – Kisha Katolike në Llapushnik. Kjo kërkesë e lë të hapur mundësinë që kjo parcelë përveç shfrytëzimit për ndërtimin e varrezave të jetë edhe një hapësirë ku do të ndërtohet në të ardhmen një kishë katolike, duke e ndryshuar kështu destinimin e kërkesës fillestare.

 

Kërkesë ishte nënshkruar aso kohe nga Dr. Don Shan Zefi, Kancelar Ipeshkvnor.

Pas kërkesave të njëpasnjëshme, ka ardhur edhe reagimi i të parit të Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, i cili më datën 19 mars të vitit 2010 nënshkruan vendimin përmes të cilit miratohet kërkesa e Ipeshkvisë së Kosovës, për ta marrë në shfrytëzim një parcelë prej 2.5 hektarë për ndërtimin e varrezave të katolikëve të këtij fshati.


Pas miratimit të kërkesës së Ipeshkvisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Drenasit, pas dëgjimit publik i mbajtur me 27 prill të vitit 2010 (që nuk është mbajtur në Llapushnik, ku do të duhej të bisedohej me palët e interesit – fshatarët – por në zyrat komunale ku kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e AKP-së), ka marrë Vendimin Preliminar më 13.07.2010 mbi ligjshmërinë e shpronësimit të propozuar.

 

 


Aty ndër të tjera thuhet se miratohet kërkesa e subjektit kërkues, të Ipeshkvisë së Kosovës për shpronësimin e një pjese të ngastrës kadastrale për arritjen e qëllimit të ligjshëm publik – ndërtimin e varrezave të komunitetit katolik në fshatin Llapushnik.

Në arsyetimin e Komunës së Drenasit mbi Vendimin Preliminar mbi ligjshmërinë e shpronësimit të propozuar, shkruhet se ndarjen e një parcelë për ndërtimin e varrezave të katolikëve të Llapushnikut e ka kundërshtuar në tërësi përfaqësuesi i Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP). Arsyetimi i kundërshtimit të përfaqësuesit të AKP-së, për këtë vendim të Komunës së Drenasit, është se organi shpronësues nuk ka bazë ligjore të bëjë shpronësimin e pronës shoqërore në vështrim të nenit 44.2 të ligjit për shpronësimin e pronës publike.

 


Parcela që është paraparë të ndahet për varrezat e katolikëve të Llapushnikut, nga ana e Komunës së Drenasit, ka qenë pjesë e ish-ndërmarrjes publike NPQB “Drenica” e cila ndërmarrje dhe të tjerat (publike) menaxhohen nga AKP-ja.

Ndërsa, në anën tjetër, më datën 4 korrik të vitit 2010, kryetari i Komunës bën shkelje ligjore përballë vendimit për Shpalljen e Interesit të Përgjithshëm dhe Fillimin e Procedurës për Shpronësimin e Pjesës së Ngastrave Kadastrale nr 545 në Zonën kadastrale Llapushnik (hapësirën në shfrytëzim për ndërtimin e varrezave të katolikëve të Llapushnikut), sepse në dokumentin të cilin e posedon Telegrafi shkruhet në mbledhjen e mbajtur të Kuvendit Komunal, e që në këtë rast nuk ekziston asnjë procesverbal se kjo mbledhje është mbajtur në këtë datë (madje në dokument nuk na paraqitet asnjë datë, e që i bie se vendimi i 4 korrikut të vitit 2010 është marrë kokë ne vete nga i pari i Drenasit dhe jo nga Asambleja komunale ashtu si e parasheh ligji – sipas nenit 35 të ligjit për vetëqeverisje lokale- Nr. 03/L-040).

 


Këto vendime janë në kundërshtim edhe me Rregulloren mbi organizimin e bashkësive, fshatrave dhe lagjeve urbane me nr: 031-3438 të miratuar me datë 29.05.2008 nga Kuvendi Komunal i Drenasit dhe vendimet e lartcekura të kryetarit të Komunës janë në kundërshtim me nenin 19, pika 6 të kësaj rregullore ku thotë se varrezat menaxhohen nga fshati, përkatësisht Komuna.

 

Sipas rregullores për organizimin e fshatrave, varrezat mirëmbahen dhe sigurohen nga Komuna, e që sipas kësaj i bie që varrezat janë në menaxhimin e Komunës. Ndërsa, për rastin në fjalë – me vendimin e kryetarit te komunës së Drenasit – i bie që varrezat e komunitetit katolik janë në menaxhim të Ipeshkvisë dhe të myslimanëve në dorë të Komunës (neni 11 pika L).

 

Në anën tjetër, në një artikull të botuar me 26 prill, në vitin 2010, nga e përditshmja “Koha Ditore”, shkruhet se përmes vendimit të cilin e kishte marrë aso kohe, pa pëlqimin e Asamblesë komunale, është miratuar kërkesa e Ipeshkvisë së Kosovës për shpronësimin e 2.5 hektarëve – tokë e ndërmarrjes OP “Drenica” – që do të përdoren për varrezat e katolikëve dhe për ndërtimin e një kishe në Llapushnik.

Ndërsa, Demaku ka deklaruar për Kohen Ditore, më 26 prill të vitit 2010, se “jam munduar që ta plotësojë kërkesën e komunitetit katolik që i garantohet edhe me Kushtetutën e Kosovës”. Në këtë artikull të gazetës shkruhet se Demaku këtë vendim e ka marrë krye ne vete, pasi kjo kërkesë nuk kishte arritur të futej si pikë e rendit të ditës në asnjë mbledhje të Asamblesë komunale.

 


Komiteti për Politikë, Buxhet dhe Financa është ai i cili i cakton pikat e rendit të ditës të mbledhjeve të komunës. Anëtarët e këtij komiteti votojnë se cilat pika duhet të jenë në rend të ditës dhe cilat jo. Ndërsa, ky propozim është kundërshtuar më shumicë votash.

“Pas kësaj, kryetari ka marrë vetë vendim pa e diskutuar me Asamblenë komunale”, ka treguar asamblisti i atëhershëm i LDD-së, Rifat Bilali.

Veprimin e kryetarit Demaku e ka kundërshtuar edhe ish-asamblisti i AKR-së në Komunën e Drenasit, Nexhmedin Bala.

“AKR-ja si opozitë është kundër këtij vendimi të kryetarit, sepse neve nuk na është prezantuar kurrë kjo çështje dhe ai ka vepruar në kundërshtim me të gjitha ligjet”, është shprehur Bala.

Edhe zyrtarët e AKP-së kishin deklaruar se asnjë Komunë nuk ka të drejtë që të shpronësojë tokat të cilat i menaxhon AKP-ja.

“KK-ja mund të bëjë kërkesë zyrtare në AKP për ndërrim të pronës shoqërore me atë komunale, nëse shprehet qartë interesi publik. Por, edhe kërkesat e tilla nuk mund të realizohen, sepse jemi në pritje të miratimit të Ligjit për Shkëmbimin e Tokave nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi.

Në një shkresë zyrtare që AKP-ja ia ka dërguar kryetarit Demaku me 08 prill të vitit 2010, ku janë dhënë komentet e AKP-së, lidhur me vendimin e Demakut, thuhet: “I propozojmë organit shpronësues të Komunës së Gllogocit që ta anulojë vendimin për shpronësim ose në të kundërtën AKP-ja do të jetë e detyruar, që në mbështetje të nenit 82, të Ligjit për vetëqeverisje lokale të inicojë procedurën për shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit të kundërshtuar pranë MAPL-it”. /Blendi Devolli/Telegrafi/

Artikulli paraprakKryepolici Çako kërkon ndihmën e hoxhallarëve për Lazaratin
Artikulli vijuesMes gazetarisë dhe aktivizmit. Gazetari, a mund të jetë gjithçka që shkruhet?