Imami i Xhamisë së Lazaratit: Nuk ka grupe që stërviten, ISIS armik i Islamit

GJIROKASTËR- Imami i Xhamisë së Lazaratit, Gentian Pollo ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetarin e News24, Spartak Koka, ku u ka bërë thirrje personave që janë në kërkim të dorëzohen. Imami Pollo ka mohuar kategorikisht se në Lazarat ka grupe terroriste që stërviten. Ai tha se në Lazarat praktikohet feja islame e pastër, larg çdo grupacioni radikal, duke theksuar me forcë se ISIS është armik i Islamit dhe fesë myslimane. Imami Pollo, u shpreh i indinjuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, të cilin e cilësoi vëlla.
 
“Falënderoj Allahun që më mundësoi të merrem me këtë fe të pastër dhe që ka shtuar radhët tona. Jemi tronditur shumë për ngjarjet e fundit, për vrasjen e vëllait tonë besimtar prej njerëzve që nuk e dimë se çfarë janë ata dhe çfarë duan të tregojnë me këtë. Jam totalisht i indinjuar me disa media që shkruajnë se në Lazarat por stërviten grupe të ISIS. Në Lazarat ka besimtarë që trajtojnë thirrjen për tek Allahu për tek e vërteta. ISIS është armiku i Islamit, i myslimanëve në radhë të parë pastaj i atyre me të cilët luftojnë. Në Lazarat nuk ka asnjë lloj grupi që stërvitet”, tha Imami i Lazaratit.
 
Lidhur me numrin e besimtarëve myslimanë në Lazarat, Imami tha se ka ardhur në rritje që pas aksionit para një viti, ku u asgjësuan të gjitha parcelat me hashash. Ai tha se Xhamia e Lazaratit praktikon Islamin e pastër.
 
“Deri para një viti kur ka qenë hashashi ka patur besimtarë por të larguar për shkak të këtij sherrit. Besimtarët dita-dita shtohen. Kemi bërë detyrën tonë, i kemi thirrur tek e vërteta, të duan Allahun, respektojnë prindërit të mbajnë lidhjet farefisnore. Ne nuk kemi lidhje me ISIS se na kanë pyetur për këto grupe radikale. Ne praktikojmë Islamin e pastër larg këtyre grupacioneve. E dënojmë jashtëzakonisht ngjarjen e djeshme. Ne duam rend, duam qetësi, duam punë. Duam që njerëzit të mendojnë për jetën e tyre për familjen e tyre”, ka theksuar Imami Pollo.
 
Ai ka folur edhe për prirjet radikale, ekstremiste të personave të shpallur në kërkim nga policia për sulmin ndaj bluve. Pollo tha se i njeh por nuk kanë lidhje me fenë islame.
 
“I njohim se janë fshatarët tanë. Në të vërtetë e kam thënë edhe diku tjetër. Kam shkuar edhe në polici. Ata janë adoleshentë mund të jenë nën efektin e drogës a ku di unë. Këtu vijnë shumë njerëz. Na përshëndesim, i përshëndesim e pastaj ikin. Duam praktikimin e fesë së pastër. Ndërsa ata që bëjnë vepra të ndaluara, thyejnë rregullat e shtetit ne jemi kundër”, tha Imami i Lazaratit.
 
Ai ka folur edhe për problemet ekonomike me të cilat po përballen banorët e fshatit të Lazaratit, duke vënë theksin tek papunësi. “Nuk ka mundësi për punësim këtu. Kemi 20 djem të rinj që na thonë që nëse ka shoqata që na mundësojnë punësimin. Disa kanë ikur edhe jashtë. Këtu nuk ka vjedhje. Kjo është diçka që ka të bëjë me mentalitetin e tyre. Para 1 viti, para se të hynte policia, kishte armë, shteti e dinte. Qëllonin me armë, persona të huaj. Ishim bërë si të marrë, edhe fëmijët tanë, të trembur. Fshati ynë është përdorur. Të gjendej mundësi punësimi në të bardhë”, tha Imami.
 
Në përfundim ai i ka bërë thirrje personave që janë në kërkim të dorëzohen, pasi në këtë mënyrë banorët e Lazaratit do të jenë të qetë dhe familjet e tyre.
 
“U bëj thirrje si Imam i Xhamisë, nëse janë myslimanë të dorëzohen tek policia dhe të thonë të vërtetën. Nëse do të dorëzohen ata, do jemi edhe ne të qetë edhe familjarët e tyre, sepse nëna, babai nuk e ka kusur të dëgjojë për ta. U bëj thirrje të gjithëve besimtarëve myslimanë të bëjnë dua për atë myslimanin dhe për të gjithë ne. Sepse ne nuk jemi terroristë, jemi praktikues të Islamit të pastër”, deklaroi Imami i Lazaratit, Gentian Pollo./BalkanWeb/kohaislame.com
Artikulli paraprakPutini përpiqet ta shkatërrojë nga brenda BE-në
Artikulli vijuesRespekto veten!