Qeveria e Kosovës hartoi strategjinë kombëtare për zhvillim 2016-2021

Qeveria e Kosovës, sot mbajti takimin e parë iniciues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016 – 2021, ku të pranishëm ishin anëtarët e grupeve punuese nga të gjitha ministritë që do të punojnë në hartimin e strategjisë, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Sipas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016 – 2021 parashihet të shërbej si udhërrëfyes për prioritetet e zhvillimit ekonomik dhe për fuqizimin e sektorit privat. Ai më tej vlerësoi këtë strategji si shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe se, nuk dëshiron që ky dokument të mbetet vetëm në letër, por duhet të zbatohet edhe në praktikë.
 
Kryeministri Mustafa theksoi se me zbatimin e kësaj Strategjie, do të mundësohet zhvillimi ekonomik, punësimi shumë më i madh dhe konkurrenca më e madhe në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, gjëra këto të cilat qojnë drejtë integrimit më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve të vendit.
 
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi se Qeveria do të përqendrohet në projektet dhe investimet strategjike me çka do të ndikohet në nxitjen e investimeve të huaja
 
“Rritja ekonomike në periudhën e ardhshme do të synohet të arrihet nëpërmjet të renditjes së qartë dhe objektive të prioriteteve, apo thënë ndryshe të prioritetit të prioriteteve, përqendrimit në projekte dhe investime strategjike, rritjes së pjesëmarrjes në tregjet e jashtme, zhbllokimit të potencialeve dhe aseteve materiale e financiare deri tani të pashfrytëzuara, siç janë pasuritë minerare, energjetike, pronat tokësore dhe fondet financiare që momentalisht ndodhen jashtë përdorimit dhe jashtë shfrytëzimit ekonomik. Së bashku me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim do të adoptojmë edhe kornizën legale e cila do të mundësojë tërheqje të investimeve të huaja dhe do ta bëjë vendin tonë konkurrent në ofertën për tërheqje të këtyre investimeve” tha Mustafa, njofton zyra e kryeministrit.
 
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci deklaroi se qeveria është dashur të ketë një strategji të tillë shumë kohë më parë ndërsa planet e ndryshme strategjike që secili sektor i ka punuar ndër vite, tashmë duhet të sintetizohet në një dokument të vetëm, të bashkërenduar mirë.
 
Gjatë këtij takimi, Zyra për Planifikim Strategjik pranë Zyrës së Kryeministrit, prezantoi  procesin dhe konceptin e strategjisë kombëtare për zhvillim dhe shtyllat në të cilat do të bazohet kjo strategji, ndërsa grupet punuese u informuan për aspektet teknike dhe koordinuese që do të përcillen gjatë procesit të hartimit të strategjisë.
 
Në takimin iniciues për përgatitjen e strategjisë kombëtare për zhvillim 2021, kryeministri Mustafa ka deklaruar po ashtu se, kjo strategji nuk do të jetë statike dhe pa  mundësi  ndryshimi.
Artikulli paraprakWikiLeaks: NSA ka spiunuar politikanët gjermanë për dekada
Artikulli vijuesFranca, Britania dhe SHBA me marrëveshje lejuan masakrën e Srebrenicës