Receta për Majonezë

Majoneza është një nga salcat më të njohura e më të përhapura në botë. Përdorimi i saj në kuzhinë është i gjerë. Majoneza shkon mirë me peshkun, me mishin e ftohtë, me vezë të ziera, me perime të ndryshme apo si bazë për salca të tjera.
 
Përgatitja e kësaj salce është shumë e thjeshtë, me pak përbërës dhe me pak kujdes në përgatitje do të arrijmë një majonezë perfektë.
Jam e sigurt që pasi ta keni provuar ta gatuani vetë në shtëpi, nuk do të shkoni më të blini në supermarket majonezën. Shija e kësaj salce e përgatitur vetë ka me të vërtetë ndryshim nga ajo e blera. Provojeni e do të më besoni.
 
 
Përbërësit për Receta për Majonezë
 
 
2 të verdha veze
 
250 ml vaj kikiriku ose luledielli
 
1 lugë kafeje me uthull të bardhë
 
lëngun e 1/2 limoni
 
pak kripë
 
pak piper të bardhë ( fakoltativ)
 
Përgatitja
Gjëja kryesore që duhet përpara se të fillojmë majonezën është që vezët dhe vaji duhet të jenë në temperaturë ambienti dhe të verdhat e vezëve duhen ndarë mirë nga të bardhat.
 
Marrim një enë qelqi të madhe në të cilën hedhim të verdhat e vezëve. Shtojmë pak kripë dhe pak piper të bardhë sipas dëshirës. Shtojmë gjithashtu edhe uthullën. Fillojmë të rrahim përbërësit me një rrahës elektrik. Më pas fillojmë të hedhim vajin fill, e duke vazhduar ngadalë,(kujdes, tek hedhja e vajit qëndron sekreti për një majonezë të mirë). Duhet ta trazojmë me rrahësin elektrik gjithmonë në të njëjtin drejtim derisa të kemi shtuar të gjithë vajin dhe të kemi arritur një masë të trashë. Më pas, gjithmonë duke e rrahur, shtojmë edhe lëngun e limonit. Më pas do të shohim që kemi arritur një masë homogjene dhe të trashë.
 
Në këtë mënyrë majoneza është gati dhe e vendosim në vazo duke e futur në frigorifer më pas. Majonezën e përgatitur mund ta ruajmë përreth një javë në frigorifer. Salca e përgatitur është gati për tu shërbyer.
Artikulli paraprakSupë orizi me mëlçi pule
Artikulli vijuesSpeca me domate