Daçiq i ka shkruar Ban ki Moonit: Kosova nuk mund të anëtarësohet në UNESCO

Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq i ka shkruar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban ki Moonit lidhur me qëllimin dhe përpjekjet e Kosovës për t’u barë anëtare e UNESCO-s.
 
Në letrën të cilën RTS thotë ta ketë parë, shkruan se “Serbia s’e ka ndryshuar pozicionin e vet në raport me statusin e Krahinës edhe pse po ballafaqohet me kërkesat dhe me përpjekjet e Prishtinës që të përfshihet në punën e organizatave ndërkombëtare jashtë kontekstit të marrëveshjeve për prezantimin dhe bashkëpunimin rajonal”.
 
“Kjo për Serbinë është e papranueshme”, ka thënë Daçiq, transmeton Koha.net dhe si shembull të fundit ai e ka marrë përpjekjen e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO.
 
“Kosova si territor, ashtu siç e paraqet Rezoluta në fuqi 1244 e KS të KB-së (1999), është nën administrim të Kombeve të Bashkuara, në këtë kontekst nuk mund të konsiderohet si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, prandaj edhe nuk mund të kualifikohet as për pranim në UNESCO”, ka thënë Daçiq.
 
Ai ka shtuar se në këtë kuptim, çdo qasje tjetër në shqyrtimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është injorim, përkatësisht shkelje e të drejtave të KB-së për ruajtje të paqes e të sigurisë botërore./Koha.net
Artikulli paraprakVrasja në Itali, vetëvritet nga turpi ungji i adoleshentit
Artikulli vijuesIpeshkvi thotë Serbët do të qëndrojnë këtu!