Komuna e Kumanovës i qëndron në dispozicion Qendrës për menaxhim me kriza për të tejkaluar krizën me refugjatë dhe trajtimin më human për refugjatët, deklaroi kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski, i cili sot në hapësirat e komunës u takua me drejtoreshën e Qendrës Rajonale për Menaxhimin e Krizave, Suzana Saliu.
Damjanovski premtoi se do të ndihmojnë në mbledhjen e mbeturinave, duke siguruar ujë të pijshëm për refugjatët e tjerë. Sipas tij, qyteti e tregoi humanizmin dhe solidaritetin në krizën e refugjatëve, e cila është problem në një shkallë më të gjerë dhe prek disa vende evropiane.
“Kjo nuk është vetëm sprovë e Maqedonisë, por është një sprovë e madhe për bashkësinë evropiane. Kriza e refugjatëve është një problem që përfshin disa vende në Evropë. Ky është një problem global, por ne jemi një vend transit, i cili i ka të gjitha pasojat e këtij tranziti të refugjatëve dhe dëshirojmë të tregojmë humanitet, solidaritet. Kumanovë i qëndron në disponim QMK-së”, tha Damjanovski.
Saliu tha se në Kumanovë refugjatët transitojnë në mënyrë të organizuar, pa pasoja për rendin publik. Pasi pritet që refugjatë të ketë edhe në periudhën e dimrit, do të ndërmerren masa për mbrojtje adekuate të emigrantëve. Saliu tha se të gjithë subjektet që kanë bërë shpenzime për trajtimin me valën e migrantëve, duhet të drejtohen tek ata dhe të hollat përmes Qeverisë do t’u kthehen.
“Unë mendoj se kjo do të rrjedhë si duhet. Ne jemi ende në fillim të definimit të kësaj krize dhe për këtë arsye ne mendojmë se nuk do të ketë problem me kompensimet e harxhimeve. Kudo që të shkojmë ne po përballemi me këtë problem. Ne jemi një vend i vogël dhe ne nuk kemi financa vetë të ballafaqohemi me këtë, por unë mendoj se me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë me sukses do të dalin nga e gjithë kjo”, tha Saliu.
Saliu, së bashku me kryetarin e komunës Damjanovski, shkoi në vendkalimin hekurudhor Tabanoc, për të parë gjendjen aktuale në terren me refugjatët.