Sikur të ushqeheshim me të, nuk do të kishte dalë peshku

Librat e historisë tregojnë ngjarjen e njeriut që quhej Nasr Sajjad. Ai ishte njeri shumë i varfër. Kishte gruan dhe djalin të cilët me ditë nuk kishin hëngër. Vajtimi kishte mbushur shtëpinë e tij, qante fëmija dhe nëna.

Njëherë shkoi tek njeriu i devotshëm Ahmed b. Miskin dhe iu ankua për gjendjen e tij, ndërsa ai i tha: “Eja me mua në det, fal dy reqate namaz dhe hidhe rrjetën tënde.” Ai veproi siç i tha Ahmed Miskin dhe rrjeta e tij kapi një peshk të madh. E shiti peshkun dhe me parat bleu dy pogaçe për familjen e tij. Mendoi që njërën pogaçe t’ia jap shejhut, ndërsa njërën ta çoj te shtëpia e tij. Mirëpo, shejhu nuk e pranoi duke i thënë: “Sikur të ushqeheshim me të, nuk do të kishte dalë peshku”.

Duke u kthyer në shtëpi takoi një fëmijë me nënën e tij të cilët të uritur sytë i kishin ngulitur tek dy pogaçet që i mbante në dorë. Para syve i doli skena e djeshme, kujtoi djalin dhe gruan e tij që kishin mbetur të uritur. Ai ua dha pogaçet, fëmija qeshi ndërsa nëna e tij nuk mundi t’i përmbaj lotët e gëzimit. Kështu u kthye në shtëpi pa asgjë.

Nuk shkuan disa orë kur erdhi një njeri dhe e thirri me emër. U afrua dhe i tha:

“A je ti Ebu Nasr Sajjad?”

“Po” – u përgjigj ai.

“Të kërkoj që 20 vjet, babai yt të ka lënë pasuri, andaj dua të ta jap”, i tha njeriu.

Ia dha tridhjetë mijë dërhem. Pasi i mori paratë filloi tregti kështu që u bë pasanik dhe çdo ditë ndante sadaka. Një natë pa në ëndërr veten duke dhënë llogari për veprat e tij. Veprat e këqija i kishin rënduar ato të mirat.

Ai tregon: “Në ëndërr e pyeta melekun: Çka është puna me sadakën time?”

Meleku më tha: “Shiko, nën çdo dërhem që ke dhënë është dëshira për emër dhe syfaqësi.”

Pastaj një thirrës tha: “A ka ky njeri ende vepra të mira?”
Meleku tha: “Ka dy pogaçe”.

I vendosën dy pogaçet dhe punët u barazuan.
Përsëri pyeti: “A ka ende punë të mira?”
Meleku tha: “Ka lotin e nënës.”

E vendosën lotin e nënës në anën e veprave të mira dhe veprat e mira rënduan ato të këqijat.

Pas kësaj thirrësi tha: A ka edhe diçka nga punët e mira”?
Meleku tha: “Ka buzëqeshjen e fëmijës.”

Kur e vendosën buzëqeshjen e fëmijës, veprat e mia rënduan plotësisht. Atëherë thirrësi tha: “Shpëtoi Ebu Nasr Sajjad. Në ato momente më doli gjumi duke thënë: “Sikur të ushqeheshim me të, nuk do të kishte dalë peshku”.

Burimi: Islambosna.ba

Përshtati: Islampress

Artikulli paraprakDurimi dhe falënderimi janë pjesë e besimit
Artikulli vijuesSi mund e pamundura të bëhet e mundshme?