Kryeministri Isa Mustafa ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Federica Mogherinit, për takimin e radhës, më 27 janar, në Bruksel.
Burime të RTV Dukagjinit, brenda Qeveris së Kosovës, thonë se miratimi i MSA-së nga Parlamenti Evropian dhe vizita e ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, janë dy arsyet që e kanë shtyrë Mustafën të marrë pjesë në raundin e ri të dialogut politik, Kosovë-Serbi, i pari për vitin 2016.
Mungesa e një rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian për Kosovën, që publikoi vetëm raportin e fundit, vitin e kaluar, me tetë kritere për t’u plotësuar, kishte hidhëruar shefin e Qeverisë.
Fatin e dialogut, Mustafa e kishte lidhur me liberalizimin e vizave. Në fillim të janar, ai kishte paralajmëruar se do të presin një përgjigje pozitive nga BE për vizat, ndryshe do të jetë e vështirë të merret pjesë në proceset e mëtutjeshme.
Pavarësisht se nuk ka ende një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian, Mustafa, të mërkurën, do të ulet sërish në tavolinën e Brukselit me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, për temat e radhës.
Takimi i fundit në Bruksel, në fund gusht 2015, mes Kosovës dhe Serbisë, i vlerësuar si më i rëndi, kishte përfunduar me katër marrëveshje, mes tyre, edhe ajo për Asociacionin, e cila e ka futur vendin në krizë politike, tash e 4 muaj.