Në takimin e zhvilluar në Shkup mes Zyrave për Siguri Publike të Maqedonisë, Austrisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Serbisë, drejtuesit e policive të vendeve të Ballkanit Perëndimor konstatuan se tani më shumë se kurrë më parë nevojitet pajtim dhe koordinim i përbashkët nga të gjitha vendet tranzitore të Ballkanit Perëndimor mbi lëvizjen e refugjatëve, me qëllim që të përballen me krizën aktuale të refugjatëve.
Drejtuesi i policisë maqedonase, Goranço Savovski, deklaroi se në takim është diskutuar për avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas së cilës është konstatuar se shkëmbimi i shpejtë i informacioneve me ngjarjet në rrugën tranzitore të refugjatëve dhe marrja e masave të reja është çelësi kryesor për t’u shmangur situatat e tensionura në vijat kufitare si dhe për të menaxhuar këtë fluks të refugjatëve.
Një ndër hapat kryesorë që drejtuesit e policive të Ballkanit Perëndimor u dakorduan është regjistrimi i standardizuar i refugjatëve. Sipas Savovskit, nevojitet harmonizimi i standardeve, metodave dhe procedurave të regjistrimit. Ai theksoi se personat që nuk posedojnë dokumente udhëtimi, i kanë të falsifikuara apo janë të dhëna personale jo të sakta, nuk do t’u lejohet të përdorin këtë rrugë tranzitore.
“Tema e takimit të sotëm ishte ndërmarrja e një qëndrimi të përbashkët mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të njëjtën të propozojmë kolegëve të shteteve tjera. Shpresoj që në të ardhmen edhe ata do të pranojnë këtë që u dakorduam sot dhe të gjendet një mënyrë e regjistrimit të refugjatëve pasi të hyjnë në vendin e parë evropian, që është Greqia, e deri në vendin pranues”, deklaroi Savovski, duke shtuar se kjo nismë rajonale mbetet e hapur për përfshirjen e shërbimeve policore të të gjitha vendeve të prekura nga fluksi i refugjatëve.
Nga ana tjetër, zëvendës drejtori i policisë austriake, Franz Lang, theksoi se patjetër nevojitet angazhim i përbashkët për të reduktuar fluksin e personave që kanë pak apo aspak mundësi për të marrë të drejtën për azil.
Lang bëri të ditur se në pesë muajt e fundit tranzituan rreth 780 mijë persona, ndërsa në 13 muajt e fundit vetëm në Austri 100 mijë persona kanë parashtruar kërkesë për azil. Ai theksoi se qeveria e Austrisë javën e kaluar ka ndërmarrë hapa për zvogëlimin e kuotës së 37 mijë e 500 azilkërkuesve.
Lang theksoi se Austria është vendi i dytë më i prekur në Evropë nga azilkërkuesit.
“Është afati i fundit për të ndërmarrë standardet e përbashkëta të regjistrimit të refugjatëve, me qëllim që sa më shpejt t’i shkëmbejmë informacionet e tilla. Për këtë arsye ne kemi vendosur të mbështesim Maqedoninë në të ardhmen, me pajisje, teknikë dhe me mbështetje në personel”, deklaroi Franz Lang.