Sipas opozitës, si “Zajednica” do të shkojë edhe Qeveria

Opozita e bashkuar mbajti dje në ora 17:00 tubim me qytetarët e Gjilanit, ku u fol rreth mobilizimit për protestën e 17 shkurtit, bëri të ditur përmes një njoftimi për media ky organizëm.

Para qindra pjesëmarrësve në këtë tubim, folën përfaqësues të subjekteve politike opozitare nga Gjilani, të cilët u bënë thirrje qytetarëve që të angazhohen sa më shumë, ashtu që protesta e radhës më 17 shkurt të jetë edhe më masive sesa ajo e 9 janarit, transmeton Koha.net.

Më pas, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, si dhe deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, folën për nevojën e mobilizimit të popullit të Kosovës për ta mbrojtur Republikën, ashtu që në asnjë mënyrë të mos lejojmë realizimin e projekteve të Serbisë brenda Kosovës, dhe të mos lejojmë faljen e territorit të Kosovës Malit të Zi.

Me protestat tona anembanë Kosovës, me peticionin prej 205.254 nënshkrimeve, me aksionet e shumta simbolike, me gazin lotsjellës në Kuvendin e Republikës, me protestat e 28 nëntorit dhe 9 janarit, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që thotë se secili prej 7 kapitujve të “Zajednicës” janë në kundërshtim me gjithsej 23 nene të Kushtetutës, mund të themi që “Zajednica” ka vdekur, “Zajednica” nuk kalon, dhe kjo opozitë nuk do të lejojë asnjëherë ringjalljen e saj.

Më 17 shkurt, nëpër sheshet e Prishtinës, do t’iu dërgojmë sinjal të fuqishëm të gjithëve, se në Kosovë populli është zgjuar dhe është ngritur, se ashtu siç ka shkuar “Zajednica”, ashtu po shkon edhe Qeveria LDK-PDK-Srpska.

Ky popull do të fitojë, sepse ky popull nuk do të durojë.

Artikulli paraprakÇantat e rënda “deformojnë” fëmijët
Artikulli vijuesMedvedev rithekson mbështetjen e Moskës për Assadin